Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/10/2025 3:11:00 PM

Studentët e Fakultetit Ekonomik nisin praktikën profesionale në ZKA

Pesëmbëdhjetë studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot filluan praktikën profesionale në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar vitin e kaluar ndërmjet dy institucioneve.

 

Studentët u mirëpritën nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe zyrtarët e tjerë të menaxhmentit të lartë, të cilët i informuan studentët mbi rëndësinë e auditimit publik, rolin e ZKA-së dhe pritshmëritë nga praktika profesionale. Pas prezantimeve hyrëse, studentët nënshkruan kontratat e praktikës, duke zyrtarizuar kështu angazhimin e tyre për tre muajt e ardhshëm.

 

Studentët janë bërë pjesë e ekipeve audituese të ZKA-së dhe përgjatë  tre muajve do të jenë pjesë e procesit të auditimit në institucionet publik përkatëse ku do t’i aplikojnë njohuritë e fituara gjatë studimeve. 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja pjesë e vizitës studimore në Itali për forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit

ZKA-ja pjesë e vizitës studimore në Itali për forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit

Nga 26 deri më 28 shkurt 2025, përfaqësuesja e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Natyra Kasumaj Ahmeti – Ushtruese e Detyrës se Udhëheqëses së Njësisë Kundër Mashtrimit, mori pjesë në një vizitë studimore në Romë në kuadër të  Projektit kundër Krimit Ekonomik (PECK III), bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.

Delegacioni kosovar i kryesuar nga Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, zhvilloi takime të rëndësishme me institucionet e Italisë që kanë rol të madh në luftën kundër mashtrimit dhe keqpërdorimit të fondeve publike siç janë Gjykata e Auditorëve (Corte dei Conti) dhe Autoriteti Kombëtar Anti-Korrupsion (ANAC).

Vizita pati për qellim shkëmbimin e  praktikave më të mira ndërkombëtare për forcimin e mekanizmave për parandalimin e mashtrimeve dhe korrupsionit, si dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Në fokus të diskutimeve ishin identifikimi dhe rikuperimi i fondeve të humbura, mbikëqyrja e prokurimeve dhe mbrojtja e sinjalizuesve të korrupsionit.

Gjithashtu, në Shkollën Kombëtare të Administratës (Scuola Nazionale dell’Amministrazione - SNA) u prezantuan programet e trajnimeve për auditim dhe rritjen e transparencës në administratën publike.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme dhe ekipi i BE-së diskutuan masat e duhura për auditimin e fondeve të BE-së

Auditorja e Përgjithshme dhe ekipi i BE-së diskutuan masat e duhura për auditimin e fondeve të BE-së

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten me 6 mars priti në takim Udhëheqësin e ekipit të Bashkimit Evropian për asistencë teknike në mbështetje të reformave në menaxhimin e financave publike, Boris Petkov.

Në këtë takim u diskutua për angazhimin e nevojshëm nga të dyja palët për të ndihmuar në përmirësimin e mekanizmave të monitorimit, vlerësimit, raportimit dhe auditimit të fondeve të BE-së, duke siguruar përdorimin e tyre në përputhje me parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar dhe Agjendën e Reformave.

Fokus të veçantë iu kushtua masave që konsiderohen të duhura për të siguruar auditimin e fondeve dhe programeve të BE-së, në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit. Përpos kësaj, është biseduar edhe për nevojën për zhvillimin e sistemeve për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së, përfshirë menaxhimin e parregullsive dhe kontrollet e forta financiare.

 

Palët theksuan rëndësinë e rritjes së kapaciteteve të institucioneve vendore për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie në menaxhimin e fondeve evropiane.

 

Në takim ishin të pranishëm edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj si dhe Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Myrvete Gashi Morina dhe Ramadan Gashi. Nga ekipi i BE-së ishin Edon Kalludra, Menaxher Projekti në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Arsim Mulaku, Menaxher i lartë i Projektit të GIZ,  Burbuqe Kelmendi, Menaxhere e Projektit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Lexo më shumë