Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/11/2025 5:14:00 PM

Auditorja e Përgjithshme priti në takim përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca priti sot në takim z. Mats Persson dhe znj. Aferdita Smajli Kalaja, Zyrtarë për Politika për Çështje Ligjore dhe Këshillim për Sundimin e Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë. Qëllimi i takimit ishte diskutimi i çështjeve me interes të përbashkët për Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe Bashkimin Evropian.

Palët në takim biseduan për rëndësinë e gjithëpërfshirjes në auditim, të të gjithë shpenzuesve të fondeve publike,  me theks të veçantë auditimi përcjellës i performancës në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, avancimin e mekanizmave të transparencës në menaxhimin e këtyre fondeve si dhe mbështetjen që BE mund t’i ofrojë ZKA-së. Gjithashtu, u theksua rëndësia e auditimeve të pavarura dhe efektive si faktor kyç për forcimin e qeverisjes së mirë dhe integrimit evropian të Kosovës.

Në këtë takim, Auditorja e Përgjithshme u shoqërua nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj si dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, znj. Myrvete Gashi Morina.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme: ZKA do të vazhdojë të mbështesë barazinë dhe transparencën për një administratë më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë

Auditorja e Përgjithshme: ZKA do të vazhdojë të mbështesë barazinë dhe transparencën për një administratë më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të hënën mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ku u prezantua Rrjeti i Grave në Pozita Vendimmarrëse në Administratë Publike dhe Institucione të Pavarura, një iniciativë e rëndësishme që synon fuqizimin e grave në pozita udhëheqëse dhe promovimin e barazisë gjinore në sektorin publik.

 

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, Drejtoresha e ABGJ-së, Edi Gusia, si dhe gra lidere nga administrata publike.

 

Gjatë fjalës së saj, Auditorja e Përgjithshme theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në nivelet e larta të vendimmarrjes, duke nënvizuar se kjo nuk është çështje favori, por e drejtë e natyrshme që bazohet në meritë dhe aftësi.

 

Znj. Spanca tha se Rrjeti i Grave në Pozita Vendimmarrëse në Administratë Publike dhe Institucione të Pavarura do të shërbejë si një mekanizëm mbështetës për gratë lidere, duke krijuar mundësi për shkëmbim përvojash dhe bashkëpunim për të rritur pjesëmarrjen dhe ndikimin e tyre në vendimmarrje.

 

Duke folur nga perspektiva e auditimit, ajo vlerësoi se Institucionet Supreme të Auditimit siç është Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), kanë një rol kyç në promovimin e barazisë gjinore përmes transparencës dhe llogaridhënies. Znj. Spanca tregoi se mbi 50% e stafit të ZKA-së janë gra, të cilat udhëheqin sektorë të rëndësishëm. Auditorja e Përgjithshme tha se ZKA-ja do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme e parimeve të barazisë dhe transparencës, duke kontribuar kësisoj në krijimin e një administrate më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë.  

Lexo më shumë
ZKA mori pjesë në takimin e parë të përbashkët për qëllimet strategjike të EUROSAI 2024-2030

ZKA mori pjesë në takimin e parë të përbashkët për qëllimet strategjike të EUROSAI 2024-2030

Në datat 5-6 mars 2025, në Bratislavë të Sllovakisë u mbajt takimi i parë i përbashkët i EUROSAI-t për Qëllimet Strategjike 1 dhe 2 me temën “Galeria: Pamje Strategjike 2024-2030”. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në këtë takim u përfaqësua nga Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj.

 

Ky aktivitet bashkoi përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme të Evropës për të diskutuar prioritetet strategjike dhe projektet e ardhshme në kuadër të objektivave strategjike të EUROSAI-t.

Punimet e takimit filluan me fjalët hyrëse të presidentit të Zyrës Supreme të Auditimit të Sllovakisë, Ľubomír Andrassy dhe presidentit të EUROSAI-t, Matanyahu Englman, të ndjekura nga prezantimet mbi vizionin strategjik të organizatës dhe qëllimet kryesore për vitet e ardhshme.  

 

Përgjatë dy ditëve pjesëmarrësit ndoqën prezantime mbi projekte konkrete, si dhe diskutime mbi zhvillimet e ardhshme. Në kuadër të Galerisë Strategjike u prezantua puna dhe arritjet e grupeve punuese dhe task forcave të EUROSAI-t si dhe u mbajtën sesione interaktive për shkëmbimin e ideve, përspektivat e reja dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet anëtarëve të EUROSAI-t.

 

Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit në mes të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe orientimit strategjik të EUROSAI-t për vitet në vijim.

Lexo më shumë