Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/18/2025 3:23:00 PM

ZKA-ja prezantoi Planin Vjetor të Auditimit 2024/25 dhe rezultatet e tri auditimeve të performancës dhe pajtueshmërisë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën në një konferencë për media prezantoi Plani vjetor i auditimit 2024/25 dhe rezultatet e tri auditimeve të performancës dhe pajtueshmërisë si: “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës”, “Efikasiteti në realizimin e projektit ‘Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak’”, “Menaxhimi i kontratës ‘Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në deponitë sanitare dhe stacionet e transferit në Kompaninë e Menaxhimit të Deponive në Kosovë’”.

Znj. Spanca tha se Plani i miratuar në tetor të vitit 2024, parasheh realizimin e 139 auditimeve deri në gusht të vitit 2025, duke përfshirë auditime të rregullsisë, pajtueshmërisë dhe performancës në institucione qendrore, lokale dhe ndërmarrje publike. Ajo theksoi rritjen e numrit të auditimeve të veçanta të pajtueshmërisë për këtë vit, duke u fokusuar në fusha me ndikim të lartë në sektorin publik, si menaxhimi i pronave komunale, transparenca e subvencioneve dhe projektet e trashëgimisë kulturore.

Sa i përket rezultateve të tri raporteve të auditimit të cilat trajtojnë efikasitetin dhe pajtueshmërinë në menaxhimin e projekteve dhe kontratave publike, Auditorja e Përgjithshme tha se procesi i auditimit ka identifikuar vonesa të mëdha, tejkalim të kostove dhe mangësi në zbatimin e kontratave, duke përfshirë shkelje të kushteve ligjore dhe rritje të kostove për buxhetin e shtetit.  

Fjala e plotë e Auditores së Përgjithshme në konferencën për media:

Të nderuara Media,

Të nderuar Qytetarë,

Fillimisht, shfrytëzoj rastin të ju falënderoj për pjesëmarrjen sot, por edhe për gatishmërinë e vazhdueshme për të mbuluar dhe pasqyruar në mënyrë korrekte të gjithë komunikimin tonë me publikun e gjerë. 

E kam ftuar këtë konferencë për media për të sjellë para jush informacione të rëndësishme në lidhje Planin vjetor të auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2025, i cili mbulon periudhën e 2024/2025, si dhe për të shpalosur rezultatet kryesore të tri auditimeve të kryera të performancës dhe pajtueshmërisë, që kanë të bëjnë me:  

 

  1. Efikasitetin dhe efektivitetin e procesit te ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës;
  2. Efikasitetin në realizimin e projektit  “Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak”, si dhe 
  3. Raportin e auditimit të pajtueshmërisë për Kompaninë për Menaxhimin e Deponisë se Mbeturinave të Kosovës, (KMDK).

 

Në tetor të vitit 2024 kam miratuar Planin vjetor të auditimit për sezonin e ri auditues 2024/25 të cilin e kam dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për informim. Zyra Kombëtare e Auditimit menjëherë ka filluar punën, veçanërisht në procesin planifikimit, por edhe aktivitete të tjera dhe derisa po flas para jush, stafi ynë gjendet i shpërndarë në teren, nepër institucione publike për të përmbushur këtë plan. Deri në gusht të vitit 2025 presim të kryejmë dhe publikojmë 139 auditime. 

Plani auditues përfshin: 88 auditimet e detyrueshme të rregullsisë në nivelin qendror dhe atë lokal, 12 Ndërmarrje Publike, 12 auditime të Pajtueshmërisë, 3 me informata të klasifikuara (në MPB, MD dhe MM), 16 auditime të Performancës, 8 të projekteve të financuara nga Banka Botërore. 

Edhe këtë vit, për shkak të interesit publik dhe rritjen e llogaridhënies ZKA do të vazhdoj të auditojë Ndërmarrjet publike më të mëdha, më komplekse dhe me ndikim në jetën e qytetarëve, si: KEK, KOSTT, Trepça, KRU Prishtina, Ibër Lepenc, përfshirë edhe RTK-në.

 

Për dallim prej viteve paraprake, Plani i këtij viti është më ambicioz, për herë të parë është rritur dukshëm numri i auditimeve të veçanta të pajtueshmërisë në fusha të rëndësishme. Përderisa në vitin e kaluar janë kryer 2, këtë vit janë planifikuar 12 sosh.

 

Duke marrë parasysh rëndësinë që aktivitetet si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal të kryhen në pajtueshmëri me ligjet dhe aktet tjera përcjellëse, auditime të veçanta të pajtueshmërisë në nivel qendror do të realizohen në QKUK, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në komuna.

 

Në QKUK, do të auditohet “Ndërtimi i Objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji - Ky auditim ka për qëllim të vlerësojë pajtueshmërinë e -procesit të ndërtimit të objektit për këto klinika me ligjet dhe rregullat e aplikueshme, si dhe me kriteret e përcaktuara në projektim dhe tenderim.

 

Një temë tjetër që gjithashtu është planifikuar të auditohet në kuadër të MAPL-së është ajo e  “Procesit të subvencionimit të ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë në komuna si dhe për pjestarët e komuniteteve pakicë në komunat: Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok”. - Ky auditimi do të fokusohet në vlerësimin e transparencës se subvencionimit dhe përdorimin e tyre për qëllimet e planifikuara, përmbushjes se objektivave, si dhe nëse menaxhimi i tyre është bërë në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara midis MAPL, përfituesit dhe punëkryesit).

 

Ndërsa, auditimi i pajtueshmërisë- ,,Menaxhimi i projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore në MKRS’’ -ka për qëllim të vlerësojë pajtueshmërinë e procesit të investimeve dhe menaxhimi i tyre në fushën e  projekteve me rëndësi të veçantë në trashëgimin kulturore të Kosovës.

 

Në nivel lokal janë paraparë 8 auditime të pajtueshmërisë që do të mbulojnë Temën e “Menaxhimit të pronave komunale të dhëna me qira’’ - Ky lloj auditimi ka për qëllim të vlerësoj procesin e menaxhimit të pronave komunale, posaçërisht atyre të dhëna me qira. Do të vlerësohen vlera ekonomike e pronave, mangësitë në menaxhimin e qirave të evidentuara, si dhe procedurat e dhënies me qira dhe transparenca e tyre.

Arsyeja kryesore e përzgjedhjes se kësaj teme është numri i madh i pronave të dhëna me qira, si dhe fakti se gjatë auditimeve të disa prej tyre është vërejtur performancë e dobët e zbatimit të marrëveshjeve me qiramarrësit dhe shfrytëzuesit e pronave publike. Gjithashtu, arkëtimi i të hyrave është vërejtur se është i dobët dhe borxhet e shfrytëzueseve të pronave kanë tendencë të rritjes.

 

Siç e përmenda më sipër, në fushën e performancës janë parapa gjithsejtë 16 auditime, prej tyre, tashmë një është publikuar (Auditimi i Sistemit të Doganës ASYCUDA). Ndërsa  sot do të prezantohen rezultatet edhe për dy të tjera.

 

Auditimet të cilat janë planifikuar të publikohen këtë vit janë:

 

1. Furnizimi me barna për shëndetësinë primare dhe sëmundjet e rralla -Qëllimi i këtij auditimi është të vlerësojmë nëse buxheti i ndarë për këto furnizime është shfrytëzuar në mënyrë të duhur dhe të analizohet nëse barnat janë prokuruar dhe shpërndarë në mënyrë efikase dhe përmbushin nevojat e pacientëve me sëmundje të rralla dhe të shëndetësisë primare.

2. Menaxhimi i lejeve të ndërtimit në Fushë Kosovë - ZKA, nga viti i kaluar ka filluar auditimin e procesit të lejeve të ndërtimit dhe siç e paralajmërova sot, për Komunën e Prishtinës do të publikoj rezultatet gjatë kësaj konference. Përmes këtij auditimi do të vlerësohet procesi i dhënies dhe menaxhimit të lejeve ndërtimore në Komunën e Fushë Kosovës si dhe ndikimi i tyre në infrastrukturën publike duke përfshirë respektimin e kushteve ndërtimore. 

3. Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës - Arsyeja kryesore e këtij auditimi janë mangësitë e identifikuara në auditimin financiar. Ky projekt u kontraktua në vitin 2023, me një vlerë prej 8,277,887 euro, ndërkohë që ligji vjetor i buxhetit dhe korniza afatmesme e shpenzimeve për tri vite parashihte vetëm 1. 9 milion euro buxhet. Projekti është i njohur si më i madhi në historinë e Komunës së Malishevës.

4. Ndërtimi i Objektit të Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës - Objektivë e këtij auditimi është të vlerësojmë nëse është bërë identifikimi dhe përcaktimi i duhur i nevojave, nëse është bërë hulumtim i duhur i tregut dhe nëse projekti është kryer në përputhje me kushtet kontraktuale dhe brenda afateve optimale kohore.

 

5. Realizimi i projekteve të financuara nga DEMOS/Helvetas -Bashkëpunimi mes ZKA-së dhe DEMOS/Helvatas ka filluar në vitin 2019, lidhur me auditimin e shfrytëzimit të Grantit të Performancës Komunale dhe ka vazhduar këtë vit për herë te gjashtë. Qëllimi i këtij auditimi është vlerësimi se si janë menaxhuar dhe realizuar nga komunat përfituese projektet e finacuara nga Granti i Performancës Komunale.

6. Licencimi i institucioneve parashkollore dhe mbikëqyrja e tyre – Arsyeja pse është iniciuara ky auditim është se, ekzistojnë disa indikacione që tregojnë për problematikat te nivelit të edukimit të hershëm parashkollor, si; mungesa e institucioneve për edukim parashkollorë, funksionimi pa licenca, niveli i dobët i mbikëqyrjes dhe monitorimit, etj. 

7. Efiçienca e Energjisë -BRE (Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë) -  Qëllimi i këtij auditimi është që të vlerësojë problematikat dhe sfidat sa i përket burimeve  të ripërtëritshme të energjisë (BRE) në Kosovë si dhe rolin që kanë rregullatorët përgjegjës dhe KOSTT sa i përket objektivave të BRE-së në Kosovë.

8. Mbrojtja, Zhvillimi dhe Ripërtëritja e Hapësirave Pyjore - Qëllimi i këtij auditimi është të vlerësojë efektivitetin e masave dhe politikave që ndjekin institucionet përgjegjëse për mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore në Kosovë.

9. Siguria dhe të drejtat e konsumatorëve në Kosovë - Përmes këtij auditimi, ZKA do të vlerësoj efektivitetin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Kosovë, duke u fokusuar veçanërisht në fushat që nuk mbulohen nga ligji ekzistues për mbrojtjen e konsumatorëve.   

10. Në fushën e auditimeve të performancës ne kemi vazhduar bashkëpunimin me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë. Gjatë këtij viti me KLSH-në tashmë kemi filluar Auditimin Paralel “Mbrojtja dhe Siguria e Digave në Kosovë dhe Shqipëri” - Kosova përballet me sfida të konsiderueshme në menaxhimin dhe sigurimin e burimeve të saj ujore, për shkak të rezervave të kufizuara dhe ndikimeve të ndryshimeve klimatike. Rreziçet e mundshme për dëmtim të digave për shkak të vjetërsisë se tyre, por edhe nisur nga ngjarja e fundit në kanalin e Ibër Lepencit kanë qenë arsyet kryesore që se bashku të zhvillojmë këtë auditim. 

11.Përmes auditimit në fushën e TI-së të “Platformës për ofrimin e shërbimeve online e-Kosova” synojmë të vlerësojmë sigurinë dhe efikasitetin e Platformës e-Kosova. Do të vlerësohen siguria e pagesave, të dhënat personale dhe shërbime tjera më rëndësi dhe rrezik.  

12. Sistemi i tatimit ne pronë -  Qëllimi i auditimi është të vlerësoj gjendjen aktuale të këtij sistemi (softueri), ndryshimet e fundit të bëra në këtë sistem dhe nëse kanë ndjekur praktikat e mira. Gjithashtu, do të analizohet saktësia e llogaritjes se tatimit në pronë, shlyerja e borxhit, gjobat dhe interesi. 

13. Auditimi i “Integrimit te Sistemeve, Krijimin e Deponisë së Shënimeve dhe Implementimin e Inteligjencës së Biznesit” - do të jetë angazhim qe do të vlerësojë nëse ky sistem është zbatuar në përputhje me planin e projektit dhe nëse po arrihen qëllimet e integrimit të sistemeve dhe a përmbushen standardet për përmirësimin e administrimit financiar dhe inteligjencës së biznesit në institucionet publike.

Dhe angazhimi tjetër në kuadër të auditimeve të performancës do të jetë:

 

14. Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës të vitit 2019 - Qëllimi i vlerësimit të nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit është t’u ofrojë informacione të pavarura Qeverisë, Kuvendit të Kosovës dhe palëve të tjera të interesit për masat e ndërmarra për zbatimin e rekomandimeve.

Të nderuara Media,

Sot para jush prezantohen rezultatet e 3 raporteve të auditimit, të cilat janë publikuar dhe të njëjtat janë dërguar edhe në entitetet e audituara dhe në Kuvend.

Në lidhje me auditimin “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës” konkluzioni i përgjithshëm është se rezultatet auditimit kanë treguar se Komuna e Prishtinës gjatë periudhës 2021-2023, nuk ishte efikase as efektive në procese nga lëshimi i lejeve të ndërtimit deri te pajisja me certifikata të përdorimit. Ka mungesë të kontrolleve gjatë lëshimit të kushteve ndërtimore, trajtim jo të barabartë të kërkesave për leje ndërtimore, mungesë të inspektimeve të mirëfillta dhe të rregullta si dhe mekanizmi për pajisje me certifikatë të përdorimit nuk është efektiv. Vetëm 15% e lejeve të lëshuara për ndërtim gjatë viteve 2017-2021 janë pajisur me certifikatë të përdorimit.

 

Sipërfaqja ndërtimore e lejuar në leje të lëshuar krahasuar me kushtet ndërtimore është tejkaluar deri në 56%, apo në tri deri në pesë kate më të larta se sa janë paraparë në plan.

 

Vonesat në lëshimin e lejeve ndërtimore sillen nga 3 deri në 30 muaj. Kjo rrjedhë si rezultat i shpërndarjes jo te duhur te detyrave tek zyrtarët përgjegjës, ku një zyrtari i është deleguar trajtimi i rreth 100 lejeve të ndërtimit, ndërsa një tjetri vetëm dy. Për më tepër zyrtari i mbingarkuar kishte edhe detyra të tjera shtesë brenda komunës, psh zyrtari në fjalë kishte 455 detyra shtesë, ndërsa ai që kishte trajtuar vetëm dy leje ndërtimi kishte vetëm 48 detyra. Gjithashtu, shpërndarja e inspektimeve tek inspektorët nuk është proporcionale, nga 10 inspektor sa ishin, vetëm një inspektori i janë ndarë mbi 50% e lëndëve që ne kishim testuar, ndërsa pjesa tjetër u ishte caktuar nëntë të tjerëve. Koncentrimi i procesit të lëshimit të lejeve dhe inspektimit tek numër i kufizuar i zyrtarëve nxit dyshime për objektivitetin dhe integritetin e proceseve të dhënies se lejeve dhe inspektimit.

 

Kishte vonesa në përgjigje ndaj kërkesave të investitorëve për inspektim nga tetë deri në 60 ditë, gjë që ka ndikuar edhe në uljen dhe vullnetin e investitorëve për të bërë kërkesë për inspektim. 

 

Çështjet kryesore të ngritura në këtë raport janë: 

 

Prishtinës i mungojnë planet rregulluese të detajuara e për pasojë ndërtimet janë zhvilluar pa ndonjë strukturë urbane

 

Komuna e Prishtinës ka dështuar në hartimin dhe nxjerrjen e planeve rregullative të detajuara. Si pasojë e kësaj, parcelat e tokave nuk ishin ridestinuar para dhënies së lejeve të ndërtimit si, psh.: nga bujqësore në ndërtimore për të lehtësuar dhënien e lejeve me kohë. Për më tepër, ridestinimi i tokave bujqësore për ndërtim shpesh vonohet deri në fazat përfundimtare të procesit të ndërtimit dhe dhënies se certifikatës se përdorimit.

 

Po ashtu, kemi vërejtur se; ndërtesave të planifikuara me tetë dhe dhjetë kate, u janë shtuar tri deri në pesë kate përtej kushteve ndërtimore, duke e mbingarkuar qytetin me struktura që nuk përputhen me planin e përgjithshëm rregullues urban dhe duke rrezikuar cilësinë e ndërtimit dhe rrjedhimisht edhe sigurinë e qytetarëve. 

 

Shtimi i shërbimeve publike nuk është në përputhje me numrin e lejeve të lëshuara e as me planet e përgjithshme

 

Komuna, edhe pse çdo vit lëshon me qindra leje të ndërtimit, nuk është siguruar që në përputhje me këtë numër të shtoj mjaftueshëm edhe infrastrukturë rrugore, shërbime shëndetësore e as transport publik. Ani pse Komuna në planet e saj parasheh edhe shtimin e shërbimeve publike për shtimin e numrit të banorëve. Vitet e fundit kemi vërejtur se vetëm një Qendër e Mjekësisë Familjare është shtuar, ndërsa nuk ka rritje në numrin e çerdheve dhe objekteve arsimore. 

 

Inspektimet e vonuara dhe të paplanifikuara rrezikojnë sigurinë, cilësinë dhe pamundësojnë korrigjimin e të metave të mundshme

 

Kryerja e inspektimeve pa plan dhe pa ndarje të qartë të detyrave dhe përgjegjësive, ka bërë që numri i inspektimeve të jetë shumë i ulët krahasuar me numrin e lejeve të lëshuara. Shumica e inspektimeve nga ana e Komunës janë shumë të vonshme dhe bëhen vetëm pasi ndërtimi të jetë përfunduar. Për më tepër, Komuna e Prishtinës, përmes një Udhëzimi Administrativ Nr. 05/2017 inspektimet në proces të ndërtimit për qëllime të mbikëqyrjes i janë lënë në duar të vet investitorit. Mos inspektimi nga Komuna në faza të mëhershme dhe mungesa e kontrolleve në inspektimet e kryera nga investitori, nuk ofrojnë siguri që ndërtimet janë në përputhje me projektet, që janë të sigurta për banim e as që materiali i përdorur është i cilësisë së duhur. Për më tepër mbështetja e Komunës në inspektime të realizuara nga vet investitori e rrit edhe më shumë rrezikun për ndërtime jo cilësore dhe jo të sigurta. 

 

Gjithashtu, edhe pse disa nga ato të realizuara, këto inspektime pas ndërtimit janë shumë të vonshme dhe vështirësojnë korrigjimet në rast se janë të nevojshme dhe dëmet potenciale janë vështirë të riparueshme.  

 

Praktikat e Komunës për certifikatat e përdorimit rrezikojnë sigurinë dhe të drejtat e pronësisë së qytetarëve dhe interesat financiare të vet Komunës

 

Pjesë e madhe e obligimeve financiare që investitorët i krijojnë kundrejt Komunës me rastin e marrjes së lejes për ndërtim, janë paguar me vonesa të dukshme. Ani pse Komuna ka disa mekanizma për të siguruar inkasimin e këtyre mjeteve, siç është pagesa më këste dhe në rast dështimit për pagesë komuna ka të drejtë të konfiskoj garancionin nga kompania e sigurimit, në asnjë rast të testuar nuk kemi gjetur se komuna ka përdor këtë mundësi. Mirëpo, Komuna më së shpeshti e praktikon kushtëzimin me mos pajisen e investitorit me certifikatë të përdorimit pa përmbushur këto obligime, i cili është hapi i fundit i përfundimit të ndërtimit. Kjo mundësi që investitori mos të obligohet të paguaj në vazhdimësi por vetëm në fund, rrezikon, por edhe e dëmton buxhetin e Komunës dhe interesin e qytetarëve.

 

Për më tepër edhe në rastet kur investitori ka vullnetin që të pajisjet me certifikatë të përdorimit, Komuna ka vonuar deri në 488 ditë ose mbi 16 muaj (në rastin më të gjatë) që ta pajis investitorin me të. Prandaj, shumica e objekteve të ndërtuara nuk pajisen me certifikatë të përdorimit edhe pse lëshohen për banim.

 

Komuna nuk ka zhvilluar mekanizma funksional që obligojnë investitorin që pas inspektimit final dhe para se objekti të lëshohet për banim të pajiset me certifikatë të përdorimit. Objektet veçse kanë filluar të shfrytëzohen për banim pa u lëshuar certifikata pa e kaluar fazën kontrolluese për t’u siguruar që objekti është i sigurt për banim. 

 

Blerësit e këtyre banesave përveç që nuk e kanë sigurinë për banim, nuk e gëzojnë të drejtën as të bëhen pronarë legjitim të tyre, e që për pasojë këto prona as nuk mund t’i përdorin si siguri financiare (hipotekë) as nuk mund t’i tjetërsojnë apo shesin ligjërisht.

 

Për më tepër, në mostrat tona, kemi identifikuar që kishte projekte që kishin marrë kohë afër 14 vite nga marrja e lejes për ndërtim e deri të pajisja me certifikatë të përdorimit. Kjo duke mos marrë parasysh ata investitor që nuk kanë bërë as kërkesë e që kohëzgjatja e realizimit të këtyre projekteve nuk dihet. 

 

Për të siguruar se janë vendosur procedura të duhura dhe funksionale për trajtimin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës, ne kemi dhënë shtatë rekomandime për Komunën e Prishtinës. 

 

Të nderuara Media,

 

Do të vazhdoj tash me Auditimin- Efikasiteti në realizimin e projektit  ‘Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak’

Për realizimin e këtij projekti, janë siguruar financime të konsiderueshme nga disa burime ndërkombëtare dhe kombëtare, të cilat pas përtëritjes se disa marrëveshjeve nga Infrakos dhe Qeveria e Kosovës dhe palët e tjera, në vitin 2023 kanë arrit ne vlerë 250 milion euro. Në vitin 2015 Infrakos duke u mbështetur nga Qeveria e Kosovës, ka nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 208 milion euro me BERZh, Bankën Evropiane të Investimeve, e ratifikuar më pas në Kuvendin e Kosovës. Nga kjo vlerë, 50% janë nënshkruar grante nga BE, BERZh, dhe Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (tutje KIBP). 

Tutje, në vitin 2023 nevoja për hua shtesë si pasojë e vonesës në realizim ka bërë që të kërkohen edhe 38 milion euro hua dhe katër milion fonde tjera të cilat e rrisin vlerën totale të projektit në 250 milion euro.

 

Gjatë viteve 2015-2024 për projektin ‘Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore 10 Hani i Elezit – Leshak’ janë paguar 92,3 milion euro apo 37% e fondeve të ndara. Nga të dhënat e mbledhura ka rezultuar se realizimi i shpenzimeve për këtë projekt nga viti 2008 deri në vitin 2020 ka qenë shumë i ulët.  Një progres më i mirë fillon në vitin 2021, përderisa në vitet 2022-2023, pati një rritje të ekzekutimit të punëve dhe shpenzimet arritën në rreth 45% krahasuar me periudhën paraprake. Megjithatë, deri sa po raportojmë, projekti është ende larg realizimit të objektivave të përcaktuara.

Konkluzioni ynë i përgjithshëm është se, Infrakos së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Ministrinë e Ekonomisë nuk ishin efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit për Rehabilitimin e Hekurudhave të Linjës 10.

 

Akterët relevant për realizimin e këtij projekti nuk kanë qenë të përfshirë në mënyrë të vazhdueshme në gjithë procesin. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nuk ishte e përfshirë në negociata për marrëveshjet e financimit, Ministria e Ekonomisë nuk ishte përfshirë në monitorim të realizimit të projektit, ndërsa Infrakos, ani pse e përfshirë dhe përgjegjëse për zbatimin e projektit, nuk kishte ndërmarrë mjaftueshëm veprime për përfundimin e projektit sipas kontraktimit as në aspektin kohorë e as projektit ekzekutiv.

Mungesa e komunikimit, mungesa e ekspertëve adekuat, pamjaftueshmëria në angazhim dhe vendimmarrje nga palët përgjegjëse kanë ndikuar që realizimi i projektit të jetë jo efikas. Sipas marrëveshjes së vitit 2015, ky projekt është dashur të finalizohet i tëri në vitin 2019 por që edhe në fund të vitit 2024 projekti ende gjendet larg përfundimit. Përkundër se një progres i dukshëm i kryerjes se punimeve vërehet gjatë viteve 2022 dhe 2023, prap se prap edhe  pesë vite pas kohës së caktuar për finalizim të tij, realizimi i punëve është 60% për fazën I, 32% për fazën II, ndërsa për fazën III nuk ka ende as projekt të dizajnuar. Ndërsa, kosto shtesë dhe provizionale të shkaktuara nga këto vonesa janë rreth 30 milion euro.

Disa nga mangësitë kryesore të identifikuara përfshijnë: 

Realizimi i projektit është përcjellë me vonesa të tej zgjatura në çdo fazë si dhe kosto përtej planifikimit - Rehabilitimi i kësaj linje nuk është bërë në kohën e paraparë përkundër ndryshimeve të shumta që i janë lejuar punëkryesit krahasuar me kontratat fillestare. Këto ndryshime kanë rezultuar me kosto shtesë dhe provizionale të lartpërmendura dhe vonesa të mëdha në realizim. Për më tepër, ndër pozicionet kryesore të këtij projekti ishin 7 tunele të cilin lidhnin linjën 10 Fushë Kosovë -Hani i Elezit. Që nga vitin 2019 kur është nënshkruar kontrata, vetëm tuneli 6 dhe 7 janë afër përfundimit, edhe pse në të dy tunelet ka shembje të tyre.

Ndryshime të mëdha në kontrata dhe nevoja për huamarrje shtesë si shkak i vlerësimit jo të duhur të nevojave  - Asnjëri proces i ndërlidhur me këtë projekt nuk ishte bazuar në nevoja reale, as kontratat për dizajn, as ato për asistencë teknike, as ato për kryerje të punëve e as për mbikëqyrje. Nisur nga këto, ka lindur nevoja për rishikime të çmimeve, kosto më të larta se ato të kontraktuara, shpenzim i mjeteve për punët e pa planifikuara. Rrjedhimisht këto ndryshime kanë sjellë edhe nevojën për huamarrje shtesë në vlerë prej 38 milion euro. Për me tepër edhe largimi i komponentëve të sinjalizimit dhe elektrifikimit, sipas planifikimit fillestar të Infrakos, parashikohet të rezultojë me kosto shtesë rreth 55 milion euro tjera. Po ashtu, në 2019 nga  obligimet e kontraktorit janë larguar edhe 14 ura metalike, edhe pse dy ura kontraktori i ka dorëzuar në teren, por nuk janë pranuar nga Infrakos sepse nuk ishin në përputhje me marrëveshjen.

Procedurat e kontraktimit dhe menaxhimit të kontratave ishin përcjellë me mangësi të mëdha, rrjedhimisht kishte ndryshime të mëdha në projekt - Metoda e përdorur për kontraktim nuk ishte metoda e duhur pasi që për projekte kaq komplekse, preferohen metoda që lejojnë fleksibilitet në dizajn, e që realizimi i këtij projekti ka dëshmuar që kishte nevojë për ndryshime. Këtë gjë e kishte konstatuar edhe asistenca teknike e kontraktuar nga Infrakos. Me vonesa ishin përcjelle edhe proceset e vlerësimit, ndryshime të çmimeve pa një tavan të caktuar për ndryshim dhe po ashtu nuk kishin caktuar menaxherë për kontrata individuale. Mungesa e menaxherit ka zvogëluar tutje mundësinë për identifikimin e ngecjeve me kohë dhe ndërmarrjen e masave të ndryshme për t’i zvogëluar efektet negative.

Për më tepër, organi mbikëqyrës kishte zbuluar se një nënkontraktor kishte mashtruar me llojin e betonit që e ka përdorur. Infrakos kishte kërkuar nga kontraktori kryesor që të largohet ky nënkontraktor sa i përket furnizimit me beton. 

Njësia për Implementimin e Projektit nuk kishte arritur të ushtroj ndikimin e saj në realizimin e projektit - kjo njësi nuk ishte efektive aq sa pritej në rolin e saj, duke e marrë parasysh se asnjëherë nuk ishte e plotë, vazhdimisht kishte ndryshim të anëtarëve të saj. Për përzgjedhjen e tyre nuk kishte ndonjë procedurë të caktuar deri në vitin 2022 kur është hartuar rregullorja e cila parasheh mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve. Ende edhe sot, kjo njësi vazhdon të jetë jo e plotë dhe me ushtrues detyre të kryesuesit. 

Mbyllja e linjave Fushë Kosovë-Hani i Elezit dhe Fushë Kosovë-Mitrovicë, përveç jo transparente ka edhe kostot e saj -   Rehabilitimi i Linjës Fushë Kosovë – Hani i Elezit sipas kushteve të kontratës është dashur të realizohet me Linjën nën operim. Mirëpo pasi teknikisht dhe praktikisht ishte e pamundur, Infrakos me një njoftim të thjeshtë në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave pa vendim nga Ministria Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mbyllur qarkullimin në këtë linjë që nga viti 2020 për udhëtarë e 2021 për mallra. Edhe Linja Fushë Kosovë-Mitrovicë që nga viti 2022 ka qene e mbyllur edhe për mallra edhe për udhëtarë, për t’i siguruar kontraktorit kushte për të punuar. Kjo për dallim nga Linja drejt Hanit të Elezit ishte e paraparë paraprakisht në kontratë. Këto linja edhe në fund të vitit 2024 nuk janë funksionale dhe nuk janë në dispozicion për përdorim nga qytetarët dhe bizneset.

Për të siguruar se janë rritur angazhimet e palëve të përfshira, e që rrjedhimisht do të ndikonin në përmirësimin e procesit dhe rritjen e efikasitetit për të përfunduar realizimin e projektit kemi dhënë 11 rekomandime.  Dy rekomandime janë dhënë për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dy për Ministrinë e Ekonomisë, përkatësisht Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike dhe shtatë për Infrakosin.  

Auditimi i tretë i kryer ka të bëjë më vlerësimin e pajtueshmërisë me Kontratën ''Mirëmbajtja dhe Riparimi i Infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit të KMDK-së, ndryshe Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës''.

Objektivi i auditimit të pajtueshmërisë kishte për qëllim të vlerësoj nëse KMDK ka bërë menaxhimin e kontratës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kompania në shtator të vitit 2021 kishte lidhur kontratë publike kornizë ‹›Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në Deponitë Sanitare dhe Stacionet e Transferit të KMDK-së me vlerë totale indikative 1,467,753€ për periudhën 3 vjeçare (36 muaj). Ndërsa sipas auditimit shpenzimet për këtë kontratë deri në qershor 2023 ishin 1,717,046€.

Konkluzioni i auditimit është se Kompania nuk ka arritur të bëj menaxhimin e kontratës sipas kërkesave ligjore. Devijimi nga kushtet e kontratës është material për faktin se: në tetë (8) pozicione lidhur me menaxhimin e kontratës, sasitë e parashikuara me kontratën kornizë ishin tejkaluar mbi limitin e lejuar ligjor prej 30% ndërkohë që 46 pozicione tjera nuk ishin realizuar fare. Pra, tejkalimet e sasive të kontraktuara për pozicione të caktuara ishin me një kosto shtesë prej rreth 1 milion euro, mbi pragun e lejuar prej 30%. Tejkalimet sasiore të këtyre pozicioneve ishin prej 60% deri në 3900%. Vlera e sasive të kontraktuara për këto 8 pozicione ishte 304 mijë euro, ndërsa vlera e sasive që janë shpenzuar për këto pozicione ishte 1.3 milion euro.

Bazuar në analizat tona konsiderojmë që kontrata kishte ndryshim thelbësor sa i përket sasive. Si rezultat i kësaj, nëse krahasojmë furnizimet e realizuara të kësaj kontrate me çmimet e ofertës së dytë të përgjegjshme të kësaj procedure rezulton që kostot e furnizimeve të tilla do të ishin më të ulëta për rreth 850 mijë euro;   

Realizimi i kësaj kontrate kishte mungesë të dokumentimit dhe mospërputhje të konsiderueshme midis sasive të faturuara dhe atyre të dokumentuara për zhavorr dhe orët e punës së makinerive. Pjesë të konsiderueshme të punëve dhe furnizimeve të pranuara mungojnë në dokumentacion, duke rezultuar në vlera të faturuara, por të pajustifikuara;

Në 11 raste kemi vërejtur se raportet e pranimit ishin nënshkruar nga personeli i kompanisë, mirëpo kompania nuk ka arritur të na ofroj dëshmi se nga kush janë themeluar ato komisione të pranimit. Pra, pagesat janë certifikuar për punë të pranuara nga komisione që nuk janë caktuar me vendim të Kryeshefit Ekzekutiv, si person i autorizuar.

Për të eliminuar mangësitë e identifikuara dhe për të adresuar çështjet për përmirësim për këtë auditim kemi dhënë 4 rekomandime, të cilat mund të gjenden në raportin e auditimit.

Dhe krejt në fund, te nderuara media,

 

Meqenëse kemi filluar me publikimin e raporteve të auditimit, konferenca të njëjta për media do të mbahen kohë pas kohe në varësi të publikimeve. Prandaj, duke ju falënderuar edhe njëherë për prezencën tuaj, ju mirëpresim edhe në të ardhmen.

 

Ju faleminderit për vëmendje! 

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

70

70

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media
Lexo më shumë
30

30

ZKA-ja dhe OSBE-ja angazhohen për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies
Lexo më shumë