Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/2/2025 10:54:00 AM

Mbahet takimi i radhës në mes të ZKA-së dhe KLSh-së për auditimin paralel mbi sigurinë e digave

Në kuadër të bashkëpunimit profesional ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSh), me 29 dhe 30 maj 2025 u mbajt takimi i radhës në Prishtinë për realizimin e auditimit paralel të performancës me temë “Mbrojtja dhe siguria e digave”.

Ekipet diskutuan për temën e auditimit dhe objektivat e përbashkëta për të vlerësuar menaxhimin dhe masat e sigurisë në digat e të dy vendeve, metodologjinë, qasjet e përdorura dhe përputhshmërinë e planeve të auditimit, memon parastudimore dhe çështje tjera të procesit të auditimit. Ekipet gjithashtu koordinuan aktivitetet e ardhshme për auditim e përbashkët i cili synon të kontribuoj në forcimin e përgjegjësisë institucionale dhe mbrojtjen e interesit publik.  Ata gjithashtu, prezantuan dhe diskutuan rezultatet e punës e deritanishme.

Në kuadër të këtij takimi u zhvillua edhe një vizitë në digën e Liqenit të Batllaves ku ekipet panë nga afër gjendjen në teren.

Në këtë takim, nga ZKA morën pjesë Drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Performancës, Ariana Gjonbalaj Shala, Udhëheqësja e Ekipit, Alba Keqa Bejtullahu, dhe anëtarja e ekipit Kujtesa Alaj. Ndërsa, nga KLSh mysafir ishin Drejtori i Departamentit të Performancës, Aulent Guri dhe auditorët Artan Topjana e Skënder Muça.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja publikoi 11 raporte të auditimit për institucionet e pavarura

ZKA-ja publikoi 11 raporte të auditimit për institucionet e pavarura

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor si dhe bazuar në Planin Vjetor të Auditimit, publikoi raportet e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për Pasqyrat Financiare të vitit 2024 të 11 institucioneve të pavarura.

Nga këto auditime, janë dhënë 10 opinione të pamodifikuara dhe 1 opinion i modifikuar - kualifikuar si: Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) – opinion i pamodifikuar, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) – opinion i pamodifikuar, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) – opinion i pamodifikuar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës (GJKK) – opinion i pamodifikuar, Komisioni i Pavarur për Media (KPM) – opinion i pamodifikuar, Zyra e Presidentit – opinion i pamodifikuar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) – Opinion i pamodifikuar, Radio Televizioni i Kosovës (RTK) – opinion i pamodifikuar, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) – opinion i pamodifikuar, Fondet në Mirëbesim – opinion i pamodifikuar, si dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) – opinion i kualifikuar.

Opinioni i auditimit KPMM-së i është kualifikuar për shkak të keq deklarimeve materiale në Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV), të cilat kanë të bëjnë me keq klasifikime të shpenzimeve në kode ekonomike. 

Auditimi ka vlerësuar gjithashtu edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve/operacioneve të këtyre organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, ku janë evidentuar një sërë parregullsish në menaxhimin financiar dhe të kontrollit të cilat përsëriten nga viti në vit. Ndër çështjet kryesore të identifikuara janë:

  • Klasifikim jo adekuat i shpenzimeve;
  • Vonesa në pagesën e faturave;
  • Kalkulim jo i duhur i shtesave për kujdestari;
  • Prokurime të shpeshta me vlera minimale;
  • Angazhim i operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm;
  • Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre mbi afatin ligjor prej 12 muaj;
  • Mos përdorimi i modulit në sistemin e prokurimit elektronik, për menaxhimin e kontratave dhe vlerësimit të performancës së kontraktuesve;
  • Mos vazhdimi i sigurisë së ekzekutimit për kohëzgjatjen e kontratës;
  • Pranimi i mallrave pa komision të pranimit;
  • Mbivlerësim i regjistrave të pasurive në PFV si pasojë e mangësive në regjistrimin dhe mbajtjen e tyre;
  • Funksionalizimi jo i plotë i sistemit e-pasuria;
  • Pasaktësi në prezantimin e detyrimeve kontigjente dhe obligimeve në PVF;
  • Mungesa e autorizimeve paraprake dhe dëshmive për vijueshmëri për orët jashtë orarit; si dhe
  • Kontrata reklamimi në kundërshtim me rregulloren.

Për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe kontrollin në këto organizata buxhetore ZKA-ja ka dhënë një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve.

Prandaj, Auditorja e Përgjithshme fton institucionet e audituara për bashkëpunim për zbatimin e rekomandimeve me qëllim të përmirësimit të proceseve dhe menaxhimit më të mirë të financave publike.  

Publikimi i raporteve të auditimit për vitin audituese 2024/2025 do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.  

Për më shumë informata: https://zka-rks.org/Reports  

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë “Siguria e vendeve të BE-së nga perspektiva e Institucioneve Supreme të Auditimit”

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë “Siguria e vendeve të BE-së nga perspektiva e Institucioneve Supreme të Auditimit”

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë me temën “Siguria e vendeve të BE-së nga perspektiva e Institucioneve Supreme të Auditimit”, organizuar në Varshavë me 3 dhe 4 qershor 2025 nga Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë (NIK), në kuadër të Presidencës Polake të Këshillit të Evropës.     

Konferenca bëri bashkë drejtues të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga vendet evropiane, përfaqësues të INTOSAI-t, NATO-s, Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe institucioneve të tjera relevante për të diskutuar mbi sfidat aktuale të auditimit në kontekstin e sigurisë, mbrojtjes kibernetike dhe krizave globale.

Në kuadër të konferencës u mbajtën prezantime dhe diskutime të nivelit të lartë mbi temat si: Kërcënimet ndaj sigurisë dhe roli i Institucioneve Supreme të Auditimit; Mbrojtja evropiane dhe sfidat në zhvillim të shpejtë; Rreziqet nga ambiciet e shpejta dhe nevoja për kujdes në përdorimin e burimeve publike; pastaj, Siguria kibernetike dhe rreziqet e larta në auditim, si dhe; Auditimi në kontekstin e përforcimit ushtarak në Evropë.

Auditori i Përgjithshëm i Polonisë, Marian Banas, në përshëndetjen mikpritëse të pjesëmarrësve theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave për përballimin e sfidave të përbashkëta në fushën e auditimit publik.

Në këtë konferencë, Auditoren e Përgjithshme e shoqëruan, Drejtori i Përgjithshëm i ZKA-së, Safet Berisha dhe Shefja e Kabinetit të AP-së, Shqipe Çavdarbasha.  
Lexo më shumë