Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/9/2025 4:20:00 PM

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në seminarin për vlerësimin e performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit

Nga data 2 deri më 6 qershor 2025 në Stamboll u mbajt seminari për zbatimin dhe vlerësimin e Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI PMF), organizuar nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI).   

Objektivë e seminarit ishte forcimi i kapaciteteve dhe njohurive për metodologjinë dhe zhvillimet aktuale të Kornizës për Matjen e Performancës së Institucioneve Supreme të auditimit, si dhe njohuritë për rishikimin e pavarur të vlerësimeve  në kuadër të EUROSAI-t. Në këtë seminar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës morën pjesë Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, dhe Drejtoresha e Departamentit për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Dafina Strana Ujkani, të cilat bashkë me përfaqësues të institucioneve homologe kontribuuan aktivisht në diskutime dhe prezantime gjatë sesioneve praktike, duke ndarë përvojën institucionale mbi tema të rëndësishme që lidhen me procesin e vlerësimit të performancës së institucioneve supreme të auditimit.  

Agjenda e seminarit pesëditor u fokusua në analizën e shkaqeve rrënjësore, hartimin e raporteve të vlerësimit të performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit, menaxhimin e cilësisë dhe vlerësimet e pavarura. Pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre dhe identifikuan praktika të mira që mund të kontribuojnë në përmirësimin e mëtejshëm të aplikimit të Kornizës për matjen e Performancës të institucioneve të tyre.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë “Siguria e vendeve të BE-së nga perspektiva e Institucioneve Supreme të Auditimit”

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë “Siguria e vendeve të BE-së nga perspektiva e Institucioneve Supreme të Auditimit”

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca mori pjesë në Konferencën e nivelit të lartë me temën “Siguria e vendeve të BE-së nga perspektiva e Institucioneve Supreme të Auditimit”, organizuar në Varshavë me 3 dhe 4 qershor 2025 nga Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë (NIK), në kuadër të Presidencës Polake të Këshillit të Evropës.     

Konferenca bëri bashkë drejtues të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga vendet evropiane, përfaqësues të INTOSAI-t, NATO-s, Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe institucioneve të tjera relevante për të diskutuar mbi sfidat aktuale të auditimit në kontekstin e sigurisë, mbrojtjes kibernetike dhe krizave globale.

Në kuadër të konferencës u mbajtën prezantime dhe diskutime të nivelit të lartë mbi temat si: Kërcënimet ndaj sigurisë dhe roli i Institucioneve Supreme të Auditimit; Mbrojtja evropiane dhe sfidat në zhvillim të shpejtë; Rreziqet nga ambiciet e shpejta dhe nevoja për kujdes në përdorimin e burimeve publike; pastaj, Siguria kibernetike dhe rreziqet e larta në auditim, si dhe; Auditimi në kontekstin e përforcimit ushtarak në Evropë.

Auditori i Përgjithshëm i Polonisë, Marian Banas, në përshëndetjen mikpritëse të pjesëmarrësve theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave për përballimin e sfidave të përbashkëta në fushën e auditimit publik.

Në këtë konferencë, Auditoren e Përgjithshme e shoqëruan, Drejtori i Përgjithshëm i ZKA-së, Safet Berisha dhe Shefja e Kabinetit të AP-së, Shqipe Çavdarbasha.  
Lexo më shumë
Sqarim i Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me publikimin e paautorizuar të dokumenteve të saj

Sqarim i Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me publikimin e paautorizuar të dokumenteve të saj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton opinionin publik se gjatë ditës së djeshme (9 qershor 2025) Radio Televizioni i Kosovës dhe disa media tjera kanë publikuar informata që i referohen raportit të auditimit për komunën e Prishtinës të hartuar nga ZKA-ja. Me këtë rast, dëshirojmë ta njoftojmë publikun dhe mediat se publikimi i këtij dokumenti  nuk është autorizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.  

Procesi i auditimit është i ndërtuar mbi standarde profesionale dhe rregulla të qarta që parashohin hapa të caktuar deri te  publikimi i raportit përfundimtar.  

Prandaj, publikimi i parakohshëm i raportit të auditimit dhe ende pa u miratuar nga Auditorja e Përgjithshme mund të dëmtojë procesin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional që ZKA-ja gëzon me institucionet që janë subjekt i auditimit si dhe të çojë në interpretime të pjesshme apo të pasakta për publikun.

Raportet përfundimtare të auditimit të nënshkruara nga Auditorja e Përgjithshme pasi t’i dorëzohen subjektit të audituar dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në nenin 23, paragrafi 1, të Ligjit 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyren Kombëtare të Auditimit, publikohen në faqen elektronike të ZKA-së dhe janë i vetmi qëndrim zyrtarë i ZKA-së.   

Si medium publik RTK-ja do të duhej të respektonte mandatin kushtetues dhe ligjor të ZKA-së.  Respektimi i tyre i mundëson ZKA-së të punojë në pajtim të plotë me kërkesat ligjore si dhe Standardet Ndërkombëtare të Auditimit dhe të shmang çdo keqinformim eventual të publikut në lidhje me rezultatet e auditimit të jashtëm të institucioneve publike.

ZKA-ja mbetet e përkushtuar për një proces të hapur dhe transparent në shërbim të llogaridhënies dhe interesit publik si dhe e gatshme për bashkëpunim me mediat dhe palët e interesuara për ofrimin e informatave të sakta dhe të verifikuara.

 

Lexo më shumë