Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/10/2025 2:03:00 PM

Sqarim i Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me publikimin e paautorizuar të dokumenteve të saj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton opinionin publik se gjatë ditës së djeshme (9 qershor 2025) Radio Televizioni i Kosovës dhe disa media tjera kanë publikuar informata që i referohen raportit të auditimit për komunën e Prishtinës të hartuar nga ZKA-ja. Me këtë rast, dëshirojmë ta njoftojmë publikun dhe mediat se publikimi i këtij dokumenti  nuk është autorizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.  

Procesi i auditimit është i ndërtuar mbi standarde profesionale dhe rregulla të qarta që parashohin hapa të caktuar deri te  publikimi i raportit përfundimtar.  

Prandaj, publikimi i parakohshëm i raportit të auditimit dhe ende pa u miratuar nga Auditorja e Përgjithshme mund të dëmtojë procesin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional që ZKA-ja gëzon me institucionet që janë subjekt i auditimit si dhe të çojë në interpretime të pjesshme apo të pasakta për publikun.

Raportet përfundimtare të auditimit të nënshkruara nga Auditorja e Përgjithshme pasi t’i dorëzohen subjektit të audituar dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në nenin 23, paragrafi 1, të Ligjit 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyren Kombëtare të Auditimit, publikohen në faqen elektronike të ZKA-së dhe janë i vetmi qëndrim zyrtarë i ZKA-së.   

Si medium publik RTK-ja do të duhej të respektonte mandatin kushtetues dhe ligjor të ZKA-së.  Respektimi i tyre i mundëson ZKA-së të punojë në pajtim të plotë me kërkesat ligjore si dhe Standardet Ndërkombëtare të Auditimit dhe të shmang çdo keqinformim eventual të publikut në lidhje me rezultatet e auditimit të jashtëm të institucioneve publike.

ZKA-ja mbetet e përkushtuar për një proces të hapur dhe transparent në shërbim të llogaridhënies dhe interesit publik si dhe e gatshme për bashkëpunim me mediat dhe palët e interesuara për ofrimin e informatave të sakta dhe të verifikuara.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në seminarin për vlerësimin e performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në seminarin për vlerësimin e performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit

Nga data 2 deri më 6 qershor 2025 në Stamboll u mbajt seminari për zbatimin dhe vlerësimin e Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI PMF), organizuar nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI).   

Objektivë e seminarit ishte forcimi i kapaciteteve dhe njohurive për metodologjinë dhe zhvillimet aktuale të Kornizës për Matjen e Performancës së Institucioneve Supreme të auditimit, si dhe njohuritë për rishikimin e pavarur të vlerësimeve  në kuadër të EUROSAI-t. Në këtë seminar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës morën pjesë Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, dhe Drejtoresha e Departamentit për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Dafina Strana Ujkani, të cilat bashkë me përfaqësues të institucioneve homologe kontribuuan aktivisht në diskutime dhe prezantime gjatë sesioneve praktike, duke ndarë përvojën institucionale mbi tema të rëndësishme që lidhen me procesin e vlerësimit të performancës së institucioneve supreme të auditimit.  

Agjenda e seminarit pesëditor u fokusua në analizën e shkaqeve rrënjësore, hartimin e raporteve të vlerësimit të performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit, menaxhimin e cilësisë dhe vlerësimet e pavarura. Pjesëmarrësit ndanë përvojat e tyre dhe identifikuan praktika të mira që mund të kontribuojnë në përmirësimin e mëtejshëm të aplikimit të Kornizës për matjen e Performancës të institucioneve të tyre.

 

Lexo më shumë
Publikohen edhe 21 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë

Publikohen edhe 21 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi edhe 21 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për shtatë ministri, 13 komuna dhe një institucion të pavarur.

Nga këto auditime janë dhënë 16 opinione të modifikuara – kualifikuara për: Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimin Rural,  Ministrinë për Komunitet dhe Kthim, Ministrinë për Zhvillim Rajonal, Komunën e Suharekës, Komunën e Ranillugit, Komunën e Podujevës, Komunën e Shtërpcës, Komunën e Zveçanit, Komunën e Gjakovës, Komunën e Fushë Kosovës, Komunën e Vitisë, Komunën e Lipjanit, Komunën e Kaçanikut, Komunën e Mitrovicës së Jugut si dhe Komunën e Gllogovcit. 

Në kualifikim të opinioneve kryesisht kanë ndikuar: mbivlerësimi/nënvlerësimi i pasurive; prezantimi jo i saktë i llogarive të arkëtueshme dhe detyrimeve kontigjente  si dhe klasifikimi joadekuat i shpenzimeve.

Ndërsa pesë opinione të pamodifikuara janë dhënë për: Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,  Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe Komunën e Klinës.  

Auditimi ka vlerësuar gjithashtu edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve/operacioneve të këtyre organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, ku janë evidentuar një sërë parregullsish në menaxhimin financiar dhe të kontrollit të cilat përsëriten nga viti në vit. Ndër çështjet kryesore të identifikuara janë:

  • Pasaktësia në prezantimin e detyrimeve kontigjente dhe obligimeve në PVF;
  • Mos mbyllja e investimeve në vijim dhe regjistrimi i tyre si pasuri në përdorim;
  • Mangësi në regjistrat e pasurive;
  • Klasifikim jo adekuat i shpenzimeve;
  • Hyrja në obligime kontraktuale pa fonde të mjaftueshme;
  • Mangësi në përcaktimin e specifikave teknike nga njësitë kërkuese;
  • Vonesa në vlerësimin e tenderëve dhe në realizimin e punimeve
  • Lidhja e kontratave me operatorët ekonomik pa i plotësuar kriteret;
  • Lidhja e kontratave pa projekte ekzekutive;
  • Mos përdorimi i modulit në sistemin e-prokurimi, për menaxhimin e kontratave dhe vlerësimit të performancës së kontraktuesve;
  • Nivel i ulët i inspektimit të pronave të paluajtshme;
  • Vonesa në realizimin e pagesave për grante;
  • Vonesa në mbylljen e avanceve dhe në kryerjen obligimeve të papaguara;
  • Vonesa në arsyetimin e subvencioneve;
  • Mangësi në proceset rekrutuese;
  • Mbajtja e pozitave të rregullta me ushtrues detyre më gjatë se afati i paraparë ligjor; si dhe
  • Mos përmbushja e planit vjetor të auditimit të brendshëm.

Për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe kontrollin e brendshëm, ZKA ka dhënë rekomandime përkatëse, zbatimi i së cilave i kontribuon përmirësimit të proceseve, menaxhimit më të mirë të financave publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.

Zyra Kombëtare e Auditimit do të vazhdojë publikimin e raporteve të auditimit edhe në ditët në vijim.

Për më shumë informata: https://tinyurl.com/ak472t8b

Lexo më shumë