Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/13/2025 3:42:00 PM

Auditorja e Përgjithshme prezantoi në Konferencën Ndërkombëtare: “Besimi në financat publike: perceptimet kundrejt praktikës”- CEF dhe CIPFA

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj mori pjesë në konferencën “Besimi në financat publike: perceptimet kundrejt praktikës”, organizuar më 10-11 qershor 2025 në Zagreb nga CEF dhe CIPFA.  

Në këtë ngjarje të rëndësishme rajonale dhe evropiane, morën pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit, të Ministrive të Financave, Komisionit Evropian, OECD SIGMA, Gjykatës Evropiane të Auditorëve si dhe organizatave ndërkombëtare të shoqërisë civile. Pjesëmarrësit diskutuan dhe shkëmbyen përvojat mbi mënyrat e përmirësimit të transparencës, besueshmërisë dhe menaxhimit të fondeve publike.  

Gjatë fjalës në seancën plenare me temën“Studim rasti – Vlerësimet e Barometrit Ballkanik dhe standardet ndërkombëtare të auditimit”, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca prezantoi përvojën e Kosovës dhe rolin kyç të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike. Ajo theksoi se përmes auditimeve të pavarura, profesionale dhe të bazuara në standardet ndërkombëtare, ZKA ka kontribuar në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin pozitiv të qytetarëve për qeverisjen publike në vend.  

Znj. Spanca më tutje tha se ndërtimi i besimit publik nuk është çështje deklarative, por kërkon veprime të matshme dhe të qëndrueshme, ilustruar me shembuj konkretë të auditimeve të kryera nga ZKA, auditime këto që trajtuan çështje me interes të madh publik, si përdorimi i fondeve për sport, menaxhimi i pronës publike, proceset e privatizimit, listat e pritjes në shëndetësi dhe digjitalizimi në arsim.  

“Rritja e vazhdueshme e besimit ndaj ZKA-së, e reflektuar edhe në raportet nga viti 2022 e tutje të Barometrit Ballkanik, është dëshmi se auditimi i pavarur dhe profesional mund të luajë rol kyç në forcimin e qeverisjes dhe llogaridhënies publike. Së bashku ne mund të sigurohemi që fondet publike të menaxhohen me integritet dhe t'i shërbejnë të mirës së përbashkët”, përmbylli Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme u prit në takim nga drejtori i Agjencisë për Auditimin e Sistemit të Zbatimit të Programeve të Bashkimit Evropian

Auditorja e Përgjithshme u prit në takim nga drejtori i Agjencisë për Auditimin e Sistemit të Zbatimit të Programeve të Bashkimit Evropian

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kroaci, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, së bashku me Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm, Bezad Halilaj, u pritën të enjten në takim nga Drejtori i Agjencisë për Auditimin e Sistemit të Zbatimit të Programeve të Bashkimit Evropian (ARPA), z. Neven Šprlje.  

Takimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe agjencisë kroate, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e praktikave të auditimit në përputhje me standardet evropiane.  

Auditorja e Përgjithshme, znj. Spanca, falënderoi nikoqirin për mikpritjen dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin profesional. Ajo i njoftoi përfaqësuesit kroatë me rrugëtimin e deritanishëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, duke vënë theksin në interesimin për të përfituar nga përvoja kroate në auditimin e fondeve të Bashkimit Evropian.  

Në takim morën pjesë edhe Zëvendësdrejtoresha e ARPA-së, znj. Helena-Marija Puskaric, si dhe Drejtoresha e Departamentit për Metodologji, znj. Marina Mandac.

Lexo më shumë
 ZKA-ja mbajti tryezë diskutimi me shoqërinë civile për propozimin e temave të auditimeve të performancës 2025/2026

ZKA-ja mbajti tryezë diskutimi me shoqërinë civile për propozimin e temave të auditimeve të performancës 2025/2026

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të premten organizoi tryezën e diskutimit “Propozim plani për auditimet e performancës” për sezonin auditues 2025/2026. Përfaqësuesit e një numri të konsiderueshëm të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të shoqatave profesionale si dhe përfaqësues të institucioneve kanë dhënë kontributin e tyre duke propozuar tema për auditime të performancës në fusha me interes publik që mund të përfshihen në Planin Vjetor të Auditimit.  

Punimet e tryezës i hapi Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila theksoi  rëndësinë e bashkëpunimit me palët e interesit dhe rolin që kanë auditimet e performancës në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në institucionet publike.

Ajo falënderoi të pranishmit për bashkëpunimin e deritanishëm si dhe u zotua për thellim të partneritetit edhe në të ardhmen. Auditorja e Përgjithshme tha se është e vetëdijshme për nevojën për më shumë auditime të performancës mirëpo ZKA-ja ka mungesë të resurseve meqë Ligji e obligon kryerjen e auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë për të gjitha institucionet.  

Temat preliminare të auditimit të performancës për sezonin 2025/2026 u prezantuan nga Drejtorët e Departamenteve për Auditimet e Performancës, Arben Selimi dhe  Ariana Gjonbalaj si dhe Drejtori i Departamentit për Auditimet e Teknologjisë së Informacionit, Samir Zymberi. Temat e prezantuara trajtojnë çështje nga fusha me interes për qytetarët si: infrastruktura, arsimi, mjedisi, turizmi, teknologjia e informacionit etj.   

Gjatë diskutimeve  përfaqësuesit e OShC-së ndanë propozimet dhe rekomandimet e tyre për fusha që prekin interesin publik, duke ofruar sugjerime të vlefshme për përfshirje në planifikimin e ZKA-së për sezonin e ardhshëm. Ata u fokusuan të auditimet që trajtojnë prokurimin, digjitalizimin e administratës publike, zhvillimin e qëndrueshëm, investimet në mjedis, subvencionet në kulturë, operimin e institucioneve publike në objekte me qira, kontraktimi i shërbimeve sociale në komuna, këmbimi i pronave publike, prioritizimi i projekteve në komuna, efektivitetin e inspektorateve në nivelin lokal, zonat ekonomike, planin zhvillimor komunal, Sistemi Informativ Shëndetësor etj.  

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj bëri mbylljen e tryezës duke prezantuar konkluzionet nga diskutimi si dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në identifikimin e temave të rëndësishme për auditime të performancës. Ai tha se ZKA-ja do t’i merr parasysh të gjitha propozimet dhe pastaj do ta bëjë prioritizimin e temave.  

Lexo më shumë