Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/25/2025 2:05:00 PM

Përfundon me sukses praktika profesionale e studentëve të Fakultetit Ekonomik në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Në Zyrën Kombëtare të Auditimit të mërkurën u mbajt ceremonia përmbyllëse e praktikës profesionale për 15 studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, të cilët për tre muaj ishin pjesë e ekipeve të auditimit. Në ceremoni përveç drejtuesve më të lartë të manaxhmentit të ZKA-së morën pjesë edhe Dekani i Fakultetit Ekonomik, Driton Balaj, si dhe prodekanët Vlora Prenaj dhe Saranda Kajtazi.  

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi përkushtimin e studentëve dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi institucional. Ajo tha se praktika profesionale nuk është vetëm një fazë e domosdoshme në studime, por një mundësi e madhe për të praktikuar njohuritë e fituara si dhe për të njohur nga afër sfidat dhe mundësitë që ofron fusha e auditimit publik.  

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Driton Balaj, falënderoi Auditoren e Përgjithshme dhe ZKA-në për bashkëpunimin dhe mundësinë që iu është dhënë studentëve të përvetësojnë njohuritë për procesin e auditimit në një institucion kredibil, me integritet dhe besueshmëri të lartë siç është ZKA-ja.    

Studentëve iu ndanë certifikatat nga Auditorja e Përgjithshme dhe Dekani i Fakultetit Ekonomik të UP-së, me urimin për suksese të mëtutjeshme. Ky program u realizua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.  

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA publikon raportet e auditimit për 31 institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrjeve publike

ZKA publikon raportet e auditimit për 31 institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrjeve publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) po vazhdon procesin e publikimit të raporteve të auditimit dhe së fundi publikoi dhe 31 raporte tëauditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për 14 komuna, 10 institucione të pavarura, katër (4) ndërmarrje publike si dhe tri (3) ministri.  

 

Nga këto auditime janë dhënë 15 opinione të modifikuara - kualifikuar për: Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Agjencinë për Informim dhe Privatësi, Komunën e Deçanit, Komunën e Prishtinës, Komunën e Gjilanit, Komunën e Obiliqit, Komunën e Zubin Potokut, Komunën e Shtimes, Komunën e Graçanicës, Komunën e Leposaviqit, Komunën e Mitrovicës së Veriut, Komunën e Istogut dhe për ndërmarrjen publike Iber Lepenci.  

 

Në kualifikim të opinioneve kryesisht kanë ndikuar: mbivlerësimi/nënvlerësimi i pasurive; prezantimi jo i saktë i llogarive të arkëtueshme dhe detyrimeve kontigjente  si dhe klasifikimi joadekuat i shpenzimeve.

 

Ndërsa opinion i kundërt i është dhënë ndërmarrjeve publike Uniteti dhe Termokosi për shkak se Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV) përmbajnë keqdeklarime materiale.   

Kurse 14 opinione të pamodifikuara janë dhënë për: Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, Autoritetin e Konkurrencës, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, Akademia e Drejtësisë, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Kuvendi i Kosovës, Zyra e Kryeministrit, Komuna e Dragashit, Komuna e Mamushës, Komuna e Parteshit, Komuna e Rahovecit, si dhe ndërmarrjen publike Telekomi.  

Auditimi ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve/operacioneve të organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, ku është evidentuar një sërë parregullsish në menaxhimin financiar dhe të kontrollit, të cilat përsëriten nga viti në vit. Ndër çështjet kryesore të identifikuara te ministritë, institucionet e pavarura dhe komunat janë:

  • Mbivlerësim/ Nënvlerësim i regjistrit të pasurive;
  • Klasifikim jo adekuat i shpenzimeve buxhetore;
  • Vonesa në pagesën e faturave;
  • Shpalosje jo e saktë e detyrimeve kontigjente
  • Pasaktësia në prezantimin e obligimeve të papaguara në PVF;
  • Pagesa e projekteve në kundërshtim me ligjin e buxhetit;
  • Angazhimi i zyrtarëve me kontrata për shërbime të veçanta, dhe për ta nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit siç kërkohet me ligjin për zyrtarët publik;
  • Vonesa në vlerësimin e tenderëve, dhe zhvillimi i procedurës së prokurimit në kundërshtim me kërkesat ligjore;
  • Mos përdorimi i modulit në sistemin e-prokurimi, për menaxhimin e kontratave dhe vlerësimit të performancës së kontraktuesve;
  • Nivel i ulët i inspektimit të pronave të paluajtshme;
  • Raportim i mangët nga përfituesit lidhur me subvencionet;
  • Pasaktësia në prezantimin e Llogarive të arketushme  në PVF;
  • Parregullsi në procesin e menaxhimit të subvencioneve për kopshtin publiko-privat;
  • Aplikim i procedurave të prokurimit me negocim jo në përputhje me LPP;
  • Hyrja në obligime kontraktuale pa fonde të mjaftueshme;
  • Fillimi i procedurave të prokurimit pa lëshimin e lejeve ndërtimore;
  • Dobësi në menaxhimin e kontratave “Në shtëpi”;
  • Vonesa në realizimin e projekteve kapitale;
  • Realizimi i sasive në kontratat publike kornizë, në mospërputhje me peshët e përcaktuara në dosjen e tenderit;
  • Vonesat në pagesën e faturave dhe kostoja shtesë për komunën si rezultat i ekzekutimit të pagesave përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore;
  • Subvencionimi i OJQ-ve pa thirrje publike;
  • Funksionalizimi jo i plotë i sistemit e-pasuria.

Ndërsa tek ndërmarrjet publike parregullsitë kryesore janë:

  • Mbajtja në regjistrin e pasurive të pronave që nuk janë në pronësi dhe as në shfrytëzim të ndërmarrjes;
  • Mos provizionimi i llogarive të arkëtueshme;
  • Mospërputhje e obligimeve tatimore midis shënimeve kontabël dhe Administratës Tatimore të Kosovës;
  • Të hyrat në pasqyrën e të ardhurave ishin mbivlerësuar;
  • Përdorimi i shpeshtë i procedurës me vlerë minimale për furnizime të natyrës së njëjtë si rezultat i mungesës së planifikimit të kërkesave nga njësitë kërkuese;
  • Ndërmarrjet nuk kishte arritur të aplikojë menaxhimin e kontratave dhe vlerësimin e performancës së kontraktuesve përmes moduleve respektive të platformës e-prokurimi;
  • Realizimi i shpenzimeve vjetore për bileta udhëtimi dhe shërbime transporti, pa pasur kontratë me ndonjë operator ekonomik për furnizim me bileta të udhëtimit dhe shërbime transporti;
  • Pozita me ushtrues detyre të cilët kishin tejkaluar afatet ligjore të angazhimit;
  • Të hyrat e shtyra nga grantet, të prezantuara në pasqyrën e pozicionit financiar, janë mbivlerësuar.
  • Për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe kontrollin e brendshëm, ZKA ka dhënë rekomandime përkatëse, zbatimi i së cilave i kontribuon përmirësimit të proceseve, menaxhimit më të mirë të financave publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.

    Zyra Kombëtare e Auditimit do të vazhdojë publikimin e raporteve të auditimit edhe në ditët në vijim.

    Për më shumë informata:https://tinyurl.com/3h2j3fap 

Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë thellojnë bashkëpunimin strategjik duke nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë thellojnë bashkëpunimin strategjik duke nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës (ZKA) dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë (SNAO) të enjten virtualisht kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunim në zhvillimin institucional për periudhën 2025 -2030, duke thelluar partneritetin e suksesshëm që nga viti 2011.  

Memorandumi i nënshkruar nga Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, dhe Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, synon forcimin e mëtejmë të kapaciteteve të ZKA-së për të punuar në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare të auditimit.  

Ky bashkëpunim shumëvjeçar do të fokusohet në tri fusha kyçe si: menaxhimi strategjik, auditimi i performancës, si dhe lidershipi dhe komunikimi i brendshëm. Përmes këtij projekti, Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë do të ofrojë mbështetje profesionale dhe teknike, përfshirë shkëmbimin e ekspertizës, angazhimin e konsulentëve dhe mbulimin e kostove për aktivitetet e përbashkëta.  

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, palët theksuan rëndësinë që ka pasur bashkëpunimi i vazhdueshëm që nga viti 2011 në avancimin e kapaciteteve institucionale të ZKA-së dhe promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik në Kosovë.  

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, vlerësoi lartë dhe shprehu mirënjohjen e përzemërt për partneritetin dhe mbështetjen nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë. Ajo tha se ky bashkëpunim ka kontribuar që ZKA-ja të bëhet institucion i njohur për besueshmërinë, profesionalizmin dhe ndikimin e saj.  

“Pa dyshim, kemi mësuar shumë nga lidershipi juaj i fortë, përvoja e pasur dhe angazhimi për të promovuar qeverisjen e mirë dhe për të forcuar praktikat e auditimit. Me mbështetjen e projektit, Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka forcuar proceset e saj organizative, ka profesionalizuar punën e auditimit, veçanërisht në auditimin e performancës, ka bërë përparim drejt lidershipit modern dhe ka përmirësuar komunikimin e brendshëm dhe me palët e jashtme”, deklaroi znj. Spanca.  

Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, tha se është krenare për partneritetin në mes të dy institucioneve si dhe shprehu pritjet për vazhdimësinë e rezultateve. “Jam shumë krenare për partneritetin e gjatë midis institucioneve tona dhe mezi pres të vazhdoj në një fazë të re, përfundimtare të fokusuar në konsolidimin e rezultateve dhe sigurimin e qëndrueshmërisë”, deklaroi ajo.  

Kjo marrëveshje është nënshkruar në kuadër të takimit të Komitetit Drejtues ku përveç të tjerash u prezantuan dhe miratuan procesverbali nga takimi paraprak i Komitetet, Raporti i progresit për periudhën 18 mujore, Plani i projektit 2025-2030 si dhe Plani vjetor i aktiviteteve.   

Lexo më shumë