Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
6/26/2025 9:47:00 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë thellojnë bashkëpunimin strategjik duke nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës (ZKA) dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë (SNAO) të enjten virtualisht kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunim në zhvillimin institucional për periudhën 2025 -2030, duke thelluar partneritetin e suksesshëm që nga viti 2011.  

Memorandumi i nënshkruar nga Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, dhe Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, synon forcimin e mëtejmë të kapaciteteve të ZKA-së për të punuar në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare të auditimit.  

Ky bashkëpunim shumëvjeçar do të fokusohet në tri fusha kyçe si: menaxhimi strategjik, auditimi i performancës, si dhe lidershipi dhe komunikimi i brendshëm. Përmes këtij projekti, Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë do të ofrojë mbështetje profesionale dhe teknike, përfshirë shkëmbimin e ekspertizës, angazhimin e konsulentëve dhe mbulimin e kostove për aktivitetet e përbashkëta.  

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, palët theksuan rëndësinë që ka pasur bashkëpunimi i vazhdueshëm që nga viti 2011 në avancimin e kapaciteteve institucionale të ZKA-së dhe promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik në Kosovë.  

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, vlerësoi lartë dhe shprehu mirënjohjen e përzemërt për partneritetin dhe mbështetjen nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë. Ajo tha se ky bashkëpunim ka kontribuar që ZKA-ja të bëhet institucion i njohur për besueshmërinë, profesionalizmin dhe ndikimin e saj.  

“Pa dyshim, kemi mësuar shumë nga lidershipi juaj i fortë, përvoja e pasur dhe angazhimi për të promovuar qeverisjen e mirë dhe për të forcuar praktikat e auditimit. Me mbështetjen e projektit, Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka forcuar proceset e saj organizative, ka profesionalizuar punën e auditimit, veçanërisht në auditimin e performancës, ka bërë përparim drejt lidershipit modern dhe ka përmirësuar komunikimin e brendshëm dhe me palët e jashtme”, deklaroi znj. Spanca.  

Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, tha se është krenare për partneritetin në mes të dy institucioneve si dhe shprehu pritjet për vazhdimësinë e rezultateve. “Jam shumë krenare për partneritetin e gjatë midis institucioneve tona dhe mezi pres të vazhdoj në një fazë të re, përfundimtare të fokusuar në konsolidimin e rezultateve dhe sigurimin e qëndrueshmërisë”, deklaroi ajo.  

Kjo marrëveshje është nënshkruar në kuadër të takimit të Komitetit Drejtues ku përveç të tjerash u prezantuan dhe miratuan procesverbali nga takimi paraprak i Komitetet, Raporti i progresit për periudhën 18 mujore, Plani i projektit 2025-2030 si dhe Plani vjetor i aktiviteteve.   

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Përfundon me sukses praktika profesionale e studentëve të Fakultetit Ekonomik në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Përfundon me sukses praktika profesionale e studentëve të Fakultetit Ekonomik në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Në Zyrën Kombëtare të Auditimit të mërkurën u mbajt ceremonia përmbyllëse e praktikës profesionale për 15 studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, të cilët për tre muaj ishin pjesë e ekipeve të auditimit. Në ceremoni përveç drejtuesve më të lartë të manaxhmentit të ZKA-së morën pjesë edhe Dekani i Fakultetit Ekonomik, Driton Balaj, si dhe prodekanët Vlora Prenaj dhe Saranda Kajtazi.  

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi përkushtimin e studentëve dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi institucional. Ajo tha se praktika profesionale nuk është vetëm një fazë e domosdoshme në studime, por një mundësi e madhe për të praktikuar njohuritë e fituara si dhe për të njohur nga afër sfidat dhe mundësitë që ofron fusha e auditimit publik.  

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Driton Balaj, falënderoi Auditoren e Përgjithshme dhe ZKA-në për bashkëpunimin dhe mundësinë që iu është dhënë studentëve të përvetësojnë njohuritë për procesin e auditimit në një institucion kredibil, me integritet dhe besueshmëri të lartë siç është ZKA-ja.    

Studentëve iu ndanë certifikatat nga Auditorja e Përgjithshme dhe Dekani i Fakultetit Ekonomik të UP-së, me urimin për suksese të mëtutjeshme. Ky program u realizua në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.  

 

Lexo më shumë
Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, me rastin e përfundimit të auditimeve të detyrueshme të rregullsisë (financiare dhe pajtueshmërisë) për Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2024.

Konferenca do të mbahet:

Të premten, 4 korrik 2025

Ora: 11:00

Vendi: Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)

 

Në këtë konferencë Auditorja e Përgjithshme do të prezantojë çështjet kryesore që kanë rezultuar në raportet e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për vitin 2024 dhe planin e publikimit të raporteve të auditimit të performancës dhe pajtueshmërisë për sezonin auditues 2024/2025.

 

Ju mirëpresim!

Lexo më shumë