Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë të martën në Pejë mbajti punëtorinë rajonale me gazetarë “Rritja e bashkëpunimit me mediat lokale për transparencë dhe llogaridhënie publike”.
Kjo punëtori është pjesë e një nisme më të gjerë të ZKA-së e cila parasheh organizimin e punëtorive të ngjashme edhe në rajonet tjera të vendit, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit me mediat lokale, si dhe informimit të gazetarëve mbi proceset e auditimit.
Në hapje të punëtorisë, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të mediave lokale në raportimin mbi qeverisjen publike dhe transparencën institucionale. Ajo tha se bashkëpunimi me mediat lokale është thelbësor që qytetarët të informohen në mënyrë aktive lidhur me menaxhimin e parasë publike dhe për të ndihmuar që ndikimi i auditimit të jetë më i madh.
Në emër të Misionit të OSBE-së, Fatmir Zylfijaj përshëndeti pjesëmarrësit duke theksuar rëndësinë e krijimit të platformave të rregullta të komunikimit ndërmjet institucioneve dhe gazetarëve lokalë.
Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi në detaje rolin e ZKA-së dhe proceset e auditimit, kurse drejtuesit e departamenteve të auditimit për komuna, Blerim Kabashi dhe Blerina Krasniqi, prezantuan shembuj konkretë nga auditimet e fundit si dhe dhanë udhëzime për interpretimin e raporteve të auditimit.
Gazetarët ndanë përvojat, pritjet dhe nevojat e tyre në raportim mbi çështjet e auditimit dhe qeverisjes publike. Fokusi i tyre ishte te auditimet e nivelit lokal, bashkëpunimi i ZKA-së me auditorët e brendshëm, masat ndëshkuese për mos zbatim të rekomandimeve, etj.
Në mbylljen e punëtorisë u theksua rëndësia e vazhdimit të këtij bashkëpunimi përmes punëtorive që do të mbahen edhe në rajonet tjera gjatë muajve në vijim, me qëllim të informimit të drejtë dhe për të nxitur transparencën në institucionet publike dhe një qeverisje që i përgjigjet qytetarit.