Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
7/29/2015 11:59:26 AM

Qeveria miraton projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës

Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës. Ky projektligj, ka për qëllim që të rregullojë organizimin, funksionimin dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Kombëtare të Auditorit të Përgjithshëm në Republikën e Kosovës për auditimin e fondeve publike, ekzekutimin e buxhetit, përdorimin dhe qeverisjen me burimet publike. Ky projektligj ndikon në ngritjen e nivelit të mbikëqyrjes së shpenzimit të parasë publike. Kjo do të reflektojë edhe në rritjen e nivelit të sundimit të ligjit në Kosovë. Projektligji synon të rritë nivelin e transparencës në funksionimin e Auditorit të Përgjithshëm si dhe do të harmonizojë definicionet e vjetruara me standardet ndërkombëtare.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Konferenca e VII-të Vjetore e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm

Konferenca e VII-të Vjetore e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm

Kosum Aliu-MF, Ali Sadriu-KMFP, Artan Venhari- ZAP; Bujar Leskaj- KLSH,  Nikola Kovacevic – ISA të Malit të Zi

Në datat 9 dhe 10 korrik 2015, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ka mbajtur Konferencën e VII-të Vjetore të Zyrës. Kjo konferencë është një mjet për të festuar sukseset e arritura, identifikuar anët e forta dhe të dobëta dhe për të nxjerr në pah veprimet që duhet ndërmarrë për përmirësimet e nevojshme dhe zhvillimin e sektorit publik.

Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria, partnerë nga shoqëria civile dhe mediat si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë nga Institucionet Supreme të Auditimit nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Suedia.

Zv. Auditori i Përgjithshëm, Z. Artan Venhari, hapi punimet e konferencës duke theksuar se fokusi kryesor gjatë dy ditëve të konferencës do të përqendrohej në rezultatet e arritura nga auditimi i jashtëm në raport me pritshmërinë e Kuvendit, Qeverisë, palëve të interesit dhe publikut si dhe format dhe tematikat e bashkëpunimit rajonal në fushën e auditimit.

Në fjalën e tij z. Venhari po ashtu theksoi se duhet të marrim parasysh gamën e mjeteve të vlerësimit dhe auditimit si dhe aftësitë e stafit për të maksimizuar ndikimin tonë në përmirësimin e performancës së sektorit publik ndërkohë që zhvillojmë fushëveprimin e punës tonë në auditim; dhe mënyrën se si shërbimet tona mund të jenë aq fleksibile sa t’i përshtaten një mjedisi që ndryshon shpejt dhe unik duke i balancuar presionet për vlerën për para dhe kohën e volitshme me rishikimet gjithëpërfshirëse dhe angazhimet efektive.

Në ditën e parë të punimeve të pranishmëve me fjalë rasti u janë drejtuar edhe Z. Ali Sadriu nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike të Kuvendit të Kosovës; Z. Kosum Aliu nga Njësia Qendrore Harmonizuese e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave; Z. Naim Ismaili nga Asociacioni i Komunave të Kosovës; Adrijana Hodzic nga Zyra Administrative për Mitrovicën e Veriut; Florina Ujupi nga BIRN; Bujar Leskaj nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të Shqipërisë dhe Nikola Kovacevic nga Senati i Institucionit Supreme të Auditimit të Malit të Zi.

Një vlerë të veçantë punimeve në konferencën vjetore të ZAP-it i japin grupet punuese, që u mbajtën pasditen e ditës së parë dhe gjatë ditës së dytë të konferencës. Në këto grupe punuese zhvillohen debate, propozime dhe konkluzione që nxirren lidhur me temat me interes e që kësaj radhe ishin: të kuptohet konteksti; të qenit në hap me ndryshimet në pritshmëri; të qenit i rëndësishëm; sigurimi i cilësisë dhe kryerja me kohë e operacioneve; marrja e impakteve më të mira; promovimi i qeverisjes së mirë në dizajnimin e sistemit dhe implementimi; dhe të qenit një model. Tashmë është bërë traditë që në grupet punuese të përfshihen edhe Auditor nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe kësaj radhe pjesë aktive e këtyre grupeve ishin edhe 15 auditor ku ndanë përvojën dhe praktikat e tyre në auditimet financiare dhe të performancës dhe dhanë kontributin e tyre në diskutimet lidhur me temat e përcaktuara.

Në kuadër të konferencës një takim i veçantë u mbajt nga menaxhmenti i zyrës me mysafirët nga Shqipëria dhe Mali i Zi ku u bisedua për bashkëpunimet e mundshme dhe krijimin e grupeve të përbashkëta punuese në identifikimin e sfidave dhe nevojave të përbashkëta.

Në mbrëmjen e 9 korrikut u organizua darkë solemne për nder të ish Auditorit të Përgjithshëm Z. Lage Olofsson me ç’ rast ju nda mirënjohje e veçantë në shenjë falënderimi për kontributin e tij dhënë për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, auditimin e jashtëm dhe sektorin publik në përgjithësi në Kosovë, gjatë pesë viteve të mandatit të tij.

 

Lexo më shumë
Sistemi për efiçiencë të energjisë ka nevojë për tu fuqizuar

Sistemi për efiçiencë të energjisë ka nevojë për tu fuqizuar

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka përfunduar Auditimin Paralel të Performancës1) dhe ka publikuar raportin “Sistemi për efiçiencë të energjisë ka nevojë për tu fuqizuar”.

Qëllimi i auditimit ishte vlerësimi nëse Qeveria ka krijuar bazën e nevojshme ligjore dhe sistemin organizativ për Efiçiencën e Energjisë (EE) në përputhje me marrëveshjen e BE-së dhe a zbatohet kjo bazë siç është synuar. Në raport identifikohen disa mangësi në procesin e realizimit të masave për EE dhe jepen rekomandime për përmirësimin e situatës. Entitetet e përfshira në këtë auditim janë: MZHE, AKEE, MAP, MAPL, MMPH dhe komuna e Drenasit, Gjakovës dhe Prizrenit.

Mënyra se si qeveritë janë duke shpenzuar paratë e tyre është temë diskutimi si në komunën më të vogël ashtu dhe në vendet më të mëdha. Megjithatë, ekziston një konsensus universal që fondet publike duhet të shpenzohen me maturi. Në këtë thelb, EE në sektorin publik është sinonim me menaxhim të mirë publik: kur kursehet energjia, kursehen edhe fondet publike. Pothuaj në secilin proces të realizimit të masave për EE ka mundësi përmirësimi.

Bazuar në analizat e thella të dëshmive të paraqitura nga entitetet dhe intervistat e kryera me zyrtarët përgjegjës, ne kemi identifikuar disa mangësi në procesin e marrjes së masave të EE. Institucionet qeveritare nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura për të përmirësuar EE-në në sektorin publik. Si rezultat i kësaj ne kemi nxjerrë rekomandime (shih kapitullin 5 të raportit) për nivelin qendror dhe lokal.

Ky proces auditimi deri në finalizimin e tij ka kaluar edhe në fazat e diskutimeve në nivel rajonal dhe janë shkëmbyer përvoja dhe janë bërë analiza e krahasime sa i përket EE në vendet përkatëse.

Grupi punues për Aktivitete të Përbashkëta në Auditim me përkrahjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë kanë planifikuar organizimin një takimi përcjellës me vendet e përfshira në këtë auditim paralel dhe bashkë me entitetet e audituara të diskutohen masat e ndërmarra dhe niveli i adresimit të rekomandimeve.

___________________________________

1) Auditimi Paralel i Përformancës është projekt ku janë të përfshirë vendet e rajonit dhe që udhëhiqet nga Grupi Punues për Aktivitete të Përbashkëta në Auditim i Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të BE-së dhe vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për në BE. Ky projekt përkrahet nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë. Në këtë auditim Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina kanë qenë pjesëmarrëse aktive, përderisa vendet tjera të rajonit ishin vetëm si vëzhgues.


Lexo më shumë