Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/10/2025 11:57:00 AM

ZKA-ja: Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është efektiv

Zyra Kombëtare e Auditimit ( ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë” për periudhën 2022-2024 dhe ka vlerësuar trajtimin e ankesave, planifikimin dhe realizimin e inspektimeve, zbatimin e strategjive dhe programeve, ndërgjegjësimin publik dhe koordinimin ndërinstitucional.

Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht përpjekjeve institucionale, konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje reale, të drejtë dhe efektive, si dhe institucionet nuk arrijnë të garantojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë në këtë drejtim.

Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është i koordinuar mirë, dhe paraqet dobësi të theksuara pothuajse në secilën hallkë të tij. Procedurat për trajtimin e ankesave nuk janë të qasshme, të unifikuara dhe nuk monitorohen në mënyrë sistematike e të verifikueshme, duke pamundësuar sigurimin e një mbikëqyrjeje të besueshme dhe transparente për ecurinë dhe zgjidhjen e rasteve.

Inspektimet kryhen kryesisht pas ankesave individuale dhe jo në bazë të analizës së rrezikut. Strategjitë dhe planet për mbrojtje të konsumatorëve nuk përcjellën me veprime konkrete e të matshme, ndërsa fushatat për ndërgjegjësim janë të kufizuara dhe nuk arrijnë te të gjithë qytetarët. Koordinimi ndërmjet institucioneve është i dobët dhe mungon një sistem i integruar për ndarjen e të dhënave dhe ndjekjen e përbashkët të rasteve.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se mangësitë e identifikuara në funksionimin e Sistemit të mbrojtjes së konsumatorëve ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtën e qytetarëve për produkte dhe shërbime të sigurta, informim të qartë dhe mekanizma efektivë për mbrojtje.

Për të rritur efektivitetin e trajtimit të ankesave, forcimin e inspektimeve, rritjen e ndërgjegjësimit dhe koordinimin ndërinstitucional për mbrojtjen e konsumatorëve, ZKA-ja ka dhënë 13 rekomandime.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti i sistemit për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë” e gjeni këtu.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Institucionet publike zbatuan vetëm 25 për qind të rekomandimeve të auditimeve të performancës të vitit 2019

Institucionet publike zbatuan vetëm 25 për qind të rekomandimeve të auditimeve të performancës të vitit 2019

Nga 199 rekomandime të dhëna në auditimet e performancës në vitin 2019, vetëm 51 apo 25% e tyre janë zbatuar, 6 apo 4 % janë në proces, 111 apo 55% nuk kanë filluar ende zbatimin. Ndërsa, për 31 apo 16% të rekomandimeve nuk është bërë vlerësimi për shkak të mungesës së përgjigjeve nga subjektet e audituara respektivisht kufizimit të fushëveprimit. Këto janë rezultatet e raportit të auditimit të performancës “Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës të vitit 2019”, i cili ka matur zbatimin e rekomandimeve të 13 raporteve të  auditimit të performancës të vitit 2019 të cilat përfshijnë 36 institucione publike.

 

Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se institucionet e audituara nuk kanë treguar përkushtim të mjaftueshëm në zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Prandaj për të pasur nivel më të lartë të zbatimit të rekomandimeve kërkohet përkushtim dhe bashkëpunim më i madh ndërinstitucional me qëllim të përmirësimit të performancës dhe forcimit të llogaridhënies publike.  

 

Vlerësimi i ndikimit të rekomandimeve në institucionet ku janë marrë masat për zbatim të plotë të rekomandimeve tregon se ka pasur efekt të dukshëm, si rasti i Doganës së  Kosovës dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

 

Duke pasur parasysh se rekomandimet për këto raporte janë dhënë rreth gjashtë vite më parë, angazhimi i subjekteve të audituara nuk është i mjaftueshëm.

 

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, deklaroi se niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve të auditimit të performancës reflekton një mungesë të angazhimit institucional dhe llogaridhënie të dobët. Kjo gjendje ngrit shqetësime në lidhje me efikasitetin e procesit të auditimit dhe ndikimin e tij real në menaxhimin publik.

 

Raportin e plotë të auditimit “Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve të raporteve të auditimit të performancës të vitit 2019” e gjeni këtu.

 

Lexo më shumë
ZKA-ja evidenton mangësi në procesin e licencimit, mbikëqyrjes dhe monitorimit të institucioneve parashkollore

ZKA-ja evidenton mangësi në procesin e licencimit, mbikëqyrjes dhe monitorimit të institucioneve parashkollore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore” për përiudhën 2022–2024. Auditimi ka vlerësuar organizimin e procesit të edukimit në fëmijërinë e hershme, shfrytëzimin dhe zhvillimin e kapaciteteve si dhe mbikëqyrjen dhe monitorimin e institucioneve parashkollore. 

Subjekt i këtij auditimi ishin Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë.

Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht iniciativave dhe përpjekjeve për të avancuar edukimin në fëmijërinë e hershme, sistemi aktual përballet me sfida. Ka mungesë të infrastrukturës ligjore sekondare, si dhe të mekanizmave funksional për monitorim dhe licencim.

MASHTI nuk ka arritur të vendosë një proces efektiv për funksionimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve parashkollore. Ministria nuk ka siguruar një proces të rregullt, të drejtë dhe të barabartë të licencimit të institucioneve parashkollore.

Në nivel lokal, përkundër disa përparimeve në ndërtimin e objekteve dhe monitorim të pjesshëm, mungesa e planeve zhvillimore, rregulloreve të funksionimit dhe përfshirjes së plotë të grupmoshave e pengon funksionimin e qëndrueshëm dhe cilësor të institucioneve parashkollore.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se proceset për funksionimin dhe licencimin e institucioneve parashkollore nuk janë efektive dhe nuk sigurojnë zhvillimin e duhur.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë tetë rekomandime për përmiresimet e nevojshme në nivelin e edukimit parashkollor.  

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore” e gjeni këtu.

Lexo më shumë