Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/11/2025 4:03:00 PM

ZKA-ja evidenton mangësi në procesin e licencimit, mbikëqyrjes dhe monitorimit të institucioneve parashkollore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore” për përiudhën 2022–2024. Auditimi ka vlerësuar organizimin e procesit të edukimit në fëmijërinë e hershme, shfrytëzimin dhe zhvillimin e kapaciteteve si dhe mbikëqyrjen dhe monitorimin e institucioneve parashkollore. 

Subjekt i këtij auditimi ishin Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë.

Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht iniciativave dhe përpjekjeve për të avancuar edukimin në fëmijërinë e hershme, sistemi aktual përballet me sfida. Ka mungesë të infrastrukturës ligjore sekondare, si dhe të mekanizmave funksional për monitorim dhe licencim.

MASHTI nuk ka arritur të vendosë një proces efektiv për funksionimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve parashkollore. Ministria nuk ka siguruar një proces të rregullt, të drejtë dhe të barabartë të licencimit të institucioneve parashkollore.

Në nivel lokal, përkundër disa përparimeve në ndërtimin e objekteve dhe monitorim të pjesshëm, mungesa e planeve zhvillimore, rregulloreve të funksionimit dhe përfshirjes së plotë të grupmoshave e pengon funksionimin e qëndrueshëm dhe cilësor të institucioneve parashkollore.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se proceset për funksionimin dhe licencimin e institucioneve parashkollore nuk janë efektive dhe nuk sigurojnë zhvillimin e duhur.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë tetë rekomandime për përmiresimet e nevojshme në nivelin e edukimit parashkollor.  

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore” e gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

  ZKA-ja: Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është efektiv

ZKA-ja: Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është efektiv

Zyra Kombëtare e Auditimit ( ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë” për periudhën 2022-2024 dhe ka vlerësuar trajtimin e ankesave, planifikimin dhe realizimin e inspektimeve, zbatimin e strategjive dhe programeve, ndërgjegjësimin publik dhe koordinimin ndërinstitucional.

Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht përpjekjeve institucionale, konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje reale, të drejtë dhe efektive, si dhe institucionet nuk arrijnë të garantojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë në këtë drejtim.

Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është i koordinuar mirë, dhe paraqet dobësi të theksuara pothuajse në secilën hallkë të tij. Procedurat për trajtimin e ankesave nuk janë të qasshme, të unifikuara dhe nuk monitorohen në mënyrë sistematike e të verifikueshme, duke pamundësuar sigurimin e një mbikëqyrjeje të besueshme dhe transparente për ecurinë dhe zgjidhjen e rasteve.

Inspektimet kryhen kryesisht pas ankesave individuale dhe jo në bazë të analizës së rrezikut. Strategjitë dhe planet për mbrojtje të konsumatorëve nuk përcjellën me veprime konkrete e të matshme, ndërsa fushatat për ndërgjegjësim janë të kufizuara dhe nuk arrijnë te të gjithë qytetarët. Koordinimi ndërmjet institucioneve është i dobët dhe mungon një sistem i integruar për ndarjen e të dhënave dhe ndjekjen e përbashkët të rasteve.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se mangësitë e identifikuara në funksionimin e Sistemit të mbrojtjes së konsumatorëve ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtën e qytetarëve për produkte dhe shërbime të sigurta, informim të qartë dhe mekanizma efektivë për mbrojtje.

Për të rritur efektivitetin e trajtimit të ankesave, forcimin e inspektimeve, rritjen e ndërgjegjësimit dhe koordinimin ndërinstitucional për mbrojtjen e konsumatorëve, ZKA-ja ka dhënë 13 rekomandime.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efektiviteti i sistemit për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në Kosovë” e gjeni këtu.

 

Lexo më shumë
ZKA: ShSKUK nuk ishte efikase në menaxhimin e projektit për ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë

ZKA: ShSKUK nuk ishte efikase në menaxhimin e projektit për ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e performancës “Efikasiteti i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës në ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë”, i cili ka vlerësuar fazat e planifikimit, prokurimit, menaxhimit të kontratës dhe mbikëqyrjes së punimeve.

Rezultatet e auditimit tregojnë se projekti për ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë ndonëse ishte planifikuar të përfundonte për 18 muaj, u zvarrit për gati pesë vite. Kjo zvarritje ka ardhur si rezultatet i planifikimit të mangët, mungesës së analizave teknike të plota dhe ndryshimeve të shpeshta gjatë zbatimit. Madje është lidhur një kontrate shtesë për punë të paparashikuara duke e rritur koston e përgjithshme të projektit mbi 2,57 milionë euro – një tejkalim prej mbi 16% nga buxheti fillestar.

Auditimi ka evidentuar probleme serioze në menaxhimin e kontratës dhe kontrollin financiar. Ka pasur tejkalime të sasive pa miratim, pagesa të ekzekutuara pa nënshkrimin e menaxherit të kontratës, si dhe mos vlerësimi të performancës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar ShSKUK të përmirësojë proceset e planifikimit, mbikëqyrjes dhe menaxhimit financiar, në mënyrë që projektet e ardhshme të realizohen brenda afateve dhe buxhetit të paraparë.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efikasiteti i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës në ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë” e gjeni këtu. 

Lexo më shumë