Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/12/2025 3:53:00 PM

ZKA: ShSKUK nuk ishte efikase në menaxhimin e projektit për ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e performancës “Efikasiteti i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës në ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë”, i cili ka vlerësuar fazat e planifikimit, prokurimit, menaxhimit të kontratës dhe mbikëqyrjes së punimeve.

Rezultatet e auditimit tregojnë se projekti për ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë ndonëse ishte planifikuar të përfundonte për 18 muaj, u zvarrit për gati pesë vite. Kjo zvarritje ka ardhur si rezultatet i planifikimit të mangët, mungesës së analizave teknike të plota dhe ndryshimeve të shpeshta gjatë zbatimit. Madje është lidhur një kontrate shtesë për punë të paparashikuara duke e rritur koston e përgjithshme të projektit mbi 2,57 milionë euro – një tejkalim prej mbi 16% nga buxheti fillestar.

Auditimi ka evidentuar probleme serioze në menaxhimin e kontratës dhe kontrollin financiar. Ka pasur tejkalime të sasive pa miratim, pagesa të ekzekutuara pa nënshkrimin e menaxherit të kontratës, si dhe mos vlerësimi të performancës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar ShSKUK të përmirësojë proceset e planifikimit, mbikëqyrjes dhe menaxhimit financiar, në mënyrë që projektet e ardhshme të realizohen brenda afateve dhe buxhetit të paraparë.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efikasiteti i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës në ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë” e gjeni këtu. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja evidenton mangësi në procesin e licencimit, mbikëqyrjes dhe monitorimit të institucioneve parashkollore

ZKA-ja evidenton mangësi në procesin e licencimit, mbikëqyrjes dhe monitorimit të institucioneve parashkollore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore” për përiudhën 2022–2024. Auditimi ka vlerësuar organizimin e procesit të edukimit në fëmijërinë e hershme, shfrytëzimin dhe zhvillimin e kapaciteteve si dhe mbikëqyrjen dhe monitorimin e institucioneve parashkollore. 

Subjekt i këtij auditimi ishin Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë.

Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht iniciativave dhe përpjekjeve për të avancuar edukimin në fëmijërinë e hershme, sistemi aktual përballet me sfida. Ka mungesë të infrastrukturës ligjore sekondare, si dhe të mekanizmave funksional për monitorim dhe licencim.

MASHTI nuk ka arritur të vendosë një proces efektiv për funksionimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve parashkollore. Ministria nuk ka siguruar një proces të rregullt, të drejtë dhe të barabartë të licencimit të institucioneve parashkollore.

Në nivel lokal, përkundër disa përparimeve në ndërtimin e objekteve dhe monitorim të pjesshëm, mungesa e planeve zhvillimore, rregulloreve të funksionimit dhe përfshirjes së plotë të grupmoshave e pengon funksionimin e qëndrueshëm dhe cilësor të institucioneve parashkollore.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se proceset për funksionimin dhe licencimin e institucioneve parashkollore nuk janë efektive dhe nuk sigurojnë zhvillimin e duhur.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë tetë rekomandime për përmiresimet e nevojshme në nivelin e edukimit parashkollor.  

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore” e gjeni këtu.

Lexo më shumë
ZKA: Fondi për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë nuk u menaxhua në mënyrë efikase

ZKA: Fondi për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë nuk u menaxhua në mënyrë efikase

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit “Menaxhimi i Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë” për periudhën 2017-2024. Raporti vlerësoi efikasitetin e menaxhimit të këtij fondi nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregu (KOSTT) si dhe mbikëqyrjen nga Ministria e Ekonomisë (ME) për zbatimin e masave për burimet e ripërtërishme të energjisë.

Rezultatet e auditimit tregojnë se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) nuk kishte arritur të menaxhojë Fondin në mënyrë efikase. Janë identifikuar mangësi gjatë fazës testuese të prodhueseve të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në procesin e organizimit të shitblerjes së energjisë së ripërtërishme si dhe në realizimin e të hyrave për Fondin.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka kryer monitorimin efektiv të Fondit, po ashtu Ministria e Ekonomisë nuk ka bërë monitorim të mjaftueshëm të zbatimit të politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe arritjen e caqeve të vendosur para vitit 2020.

Auditimi ka evidentuar mangësi gjatë fazës testuese dhe certifikimit të prodhueseve të energjisë së ripërtërishme nga KOSTT. Nuk ishin siguruar garancitë financiare për furnizuesit dhe as për prodhuesit e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Në procesin e shitblerjes së kësaj energjie është identifikuar nivel i lartë i jo balancave, gjithashtu nuk kishte mekanizma efektiv për minimizimin e këtyre jo balancave të cilat shkaktojnë kosto shtesë për Fondin. KOSTT nuk ishte efikas në inkasimin e të hyrave në Fond. Inkasimet nga furnizuesit kishin vonesa deri në 7 muaj dhe vlera totale e obligimeve ishte 20 milionë euro.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se institucionet përgjegjëse nuk ishin efikase në arritjen e caqeve të vendosura për vitin 2020 për burimet e ripërtërishme të energjisë (era, dielli dhe uji). Po ashtu skemat mbështetëse të hartuar për këtë qëllim nuk kanë arritur të ndihmojnë në përmbushjen e këtyre caqeve.

Me qëllim të rritjes së efikasitetit në menaxhimin dhe funksionimin e Fondit të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë nëntë rekomandime.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Menaxhimi i Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë” e gjeni këtu.

Lexo më shumë