Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/15/2025 4:54:00 PM

ZKA: Fondi për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë nuk u menaxhua në mënyrë efikase

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit “Menaxhimi i Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë” për periudhën 2017-2024. Raporti vlerësoi efikasitetin e menaxhimit të këtij fondi nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregu (KOSTT) si dhe mbikëqyrjen nga Ministria e Ekonomisë (ME) për zbatimin e masave për burimet e ripërtërishme të energjisë.

Rezultatet e auditimit tregojnë se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) nuk kishte arritur të menaxhojë Fondin në mënyrë efikase. Janë identifikuar mangësi gjatë fazës testuese të prodhueseve të burimeve të ripërtërishme të energjisë, në procesin e organizimit të shitblerjes së energjisë së ripërtërishme si dhe në realizimin e të hyrave për Fondin.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka kryer monitorimin efektiv të Fondit, po ashtu Ministria e Ekonomisë nuk ka bërë monitorim të mjaftueshëm të zbatimit të politikave të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe arritjen e caqeve të vendosur para vitit 2020.

Auditimi ka evidentuar mangësi gjatë fazës testuese dhe certifikimit të prodhueseve të energjisë së ripërtërishme nga KOSTT. Nuk ishin siguruar garancitë financiare për furnizuesit dhe as për prodhuesit e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Në procesin e shitblerjes së kësaj energjie është identifikuar nivel i lartë i jo balancave, gjithashtu nuk kishte mekanizma efektiv për minimizimin e këtyre jo balancave të cilat shkaktojnë kosto shtesë për Fondin. KOSTT nuk ishte efikas në inkasimin e të hyrave në Fond. Inkasimet nga furnizuesit kishin vonesa deri në 7 muaj dhe vlera totale e obligimeve ishte 20 milionë euro.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se institucionet përgjegjëse nuk ishin efikase në arritjen e caqeve të vendosura për vitin 2020 për burimet e ripërtërishme të energjisë (era, dielli dhe uji). Po ashtu skemat mbështetëse të hartuar për këtë qëllim nuk kanë arritur të ndihmojnë në përmbushjen e këtyre caqeve.

Me qëllim të rritjes së efikasitetit në menaxhimin dhe funksionimin e Fondit të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë nëntë rekomandime.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Menaxhimi i Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë” e gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA: ShSKUK nuk ishte efikase në menaxhimin e projektit për ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë

ZKA: ShSKUK nuk ishte efikase në menaxhimin e projektit për ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e performancës “Efikasiteti i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës në ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë”, i cili ka vlerësuar fazat e planifikimit, prokurimit, menaxhimit të kontratës dhe mbikëqyrjes së punimeve.

Rezultatet e auditimit tregojnë se projekti për ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë ndonëse ishte planifikuar të përfundonte për 18 muaj, u zvarrit për gati pesë vite. Kjo zvarritje ka ardhur si rezultatet i planifikimit të mangët, mungesës së analizave teknike të plota dhe ndryshimeve të shpeshta gjatë zbatimit. Madje është lidhur një kontrate shtesë për punë të paparashikuara duke e rritur koston e përgjithshme të projektit mbi 2,57 milionë euro – një tejkalim prej mbi 16% nga buxheti fillestar.

Auditimi ka evidentuar probleme serioze në menaxhimin e kontratës dhe kontrollin financiar. Ka pasur tejkalime të sasive pa miratim, pagesa të ekzekutuara pa nënshkrimin e menaxherit të kontratës, si dhe mos vlerësimi të performancës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar ShSKUK të përmirësojë proceset e planifikimit, mbikëqyrjes dhe menaxhimit financiar, në mënyrë që projektet e ardhshme të realizohen brenda afateve dhe buxhetit të paraparë.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efikasiteti i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës në ndërtimin e objektit të Klinikës së Ortopedisë” e gjeni këtu. 

Lexo më shumë
ZKA-ja mbajti punëtorinë e radhës në Gjilan në kuadër të nismës për bashkëpunim me mediat lokale

ZKA-ja mbajti punëtorinë e radhës në Gjilan në kuadër të nismës për bashkëpunim me mediat lokale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë të martën në Gjilan mbajti punëtorinë rajonale me gazetarë “Rritja e bashkëpunimit me mediat lokale për transparencë dhe llogaridhënie publike”.  Punëtoria pati për qëllim rritjen e bashkëpunimit me mediat lokale dhe informimin e gazetarëve mbi proceset e auditimit.

Në hapje të punëtorisë, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se Zyra Kombëtare e Auditimit është e përkushtuar për avancimin e transparencës, llogaridhënies dhe rritjen e bashkëpunimit me media dhe qytetarët. Ky bashkëpunim ka rol kyç në rritjen e ndërgjegjësimit publik për menaxhimin e parasë publike. Z. Halilaj foli edhe për mandatin kushtetues dhe ligjor të Auditorit të Përgjithshëm dhe të ZKA-së, për rolin, misionin dhe vlerat, si dhe për llojet e auditimeve ku në detaje prezantoi proceset e auditimit.

Në emër të Misionit të OSBE-së, Fatmir Zylfijaj përshëndeti pjesëmarrësit duke theksuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve dhe mediave lokale.   

Ndërsa drejtuesit e departamenteve të auditimit për komuna, Lavdim Maxhuni, Blerina Krasniqi dhe Blerim Kabashi prezantuan rezultatet e auditimit për komunat e regjionit të Gjilanit.   

Gazetarët ndanë përvojat, pritjet dhe nevojat e tyre në raportim mbi çështjet e auditimit dhe qeverisjes publike. Fokusi i tyre ishte te auditimet e nivelit lokal, bashkëpunimi i ZKA-së me auditorët e brendshëm, rëndësia e opinioneve të auditimit, masat ndëshkuese për mos zbatim të rekomandimeve, etj. Po ashtu gazetarët adresuan sfidat me të cilat ballafaqohen që kryesisht kanë të bëjnë me mungesë të mjeteve financiare dhe mungesë të stafit.

Në mbyllje të punëtorisë, Udhëheqësja e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit  me qëllim të informimit të drejtë, rritjes së transparencës në institucionet publike si dhe qeverisjes që i përgjigjet qytetarit.

Lexo më shumë