Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/24/2025 1:31:00 PM

ZKA: Mungesa e kontrolleve funksionale dhe teknike në aplikacionet e platformës e-Kosova rrezikon saktësinë e të dhënave dhe integritetin e shërbimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e Teknologjisë së Informacionit “Platforma e shërbimeve online e-Kosova” për periudhën 2024 – qershor 2025, i cili ka vlerësuar nëse kjo platformë iu mundëson qytetarëve shërbime elektronike efikase, të sakta, të sigurta dhe të besueshme. Fokusi i auditimit ka qenë në shërbimet “Shtesat për fëmijë”, “Tatimi në pronë”, “Subvencionimi i librave” dhe moduli “Pagesat elektronike”.  

Ndonëse “Platforma e-Kosova” ka kontribuar në digjitalizimin, transparencën dhe efikasitetin e proceseve administrative, ajo vazhdon të përballet me mangësi në kontrollet e aplikacionit, të cilat ndikojnë në integritetin, saktësinë dhe sigurinë e të dhënave.  

Rezultatet e auditimit tregojnë se për shërbimet “Subvencionimi i librave” dhe “Shtesat për fëmijë”, mungesa e ndërlidhjes së duhur të sistemeve ka lejuar përfitimin e subvencionit të librave pa plotësuar kushtet e nevojshme dhe për shtesat e fëmijëve aplikime të dyfishta. Mungesa e përditësimit të gjendjes së pagesës në kohë reale dhe kontrollet e dobëta në modulin e pagesave kanë lejuar pagesa të njëjta të ekzekutohen disa herë, duke shkaktuar dëme financiare për qytetarët.

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit e cila menaxhon platformën e-Kosova nuk ka vendosur standarde të mjaftueshme për menaxhimin e kontratave, duke lënë paqartësi mbi përgjegjësitë për sigurinë e informacionit, nuk garanton mjedis të sigurt informacioni për shkak të politikave të vjetruara dhe mungesës së tyre, si dhe nuk është e përgatitur për të rikthyer shërbimet në raste emergjente ose fatkeqësie duke rrezikuar vazhdimësinë e operacioneve shtetërore elektronike.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se Platforma e-Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në digjitalizimin e shërbimeve publike, megjithatë ka ende sfida në integrimin e sistemeve, sigurinë e informacionit, kontrollin dhe besueshmërinë e të dhënave, si dhe në vazhdimësinë e biznesit.

Me qëllim të përmirësimit të kontrolleve, integrimit, digjitalizimit dhe sigurisë së platformës e-Kosova, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 15 rekomandime. 

Raportin e plotë të auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Platforma e shërbimeve online e-Kosova”, e gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme rekomandon koordinim ndërinstitucional për ruajtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme rekomandon koordinim ndërinstitucional për ruajtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore të Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Mbrojtja, zhvillimi dhe ripërtëritja e hapësirave pyjore”, për periudhën 2020–2024 i cili ka vlerësuar efikasitetin e institucioneve përgjegjëse në mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore.

Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të menaxhojnë në mënyrë të duhur hapësirat pyjore në Kosovë. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZhR) nuk ka arritur të përgatisë dhe të miratojë udhëzimet administrative të nevojshme për menaxhimin e pyjeve, për rrjedhojë Agjencia Pyjore e Kosovës operon pa kornizë të plotë rregullative.  

Po ashtu Agjencia Pyjore e Kosovës nuk ka bërë inventarizim të plotë dhe të përditësuar të pyjeve si dhe nuk ka organizuar në mënyrë efektive mbrojtjen e pyjeve publike, prandaj nuk ka të dhëna të sakta për gjendjen aktuale të resurseve pyjore.

Auditimi ka evidentuar se rreth 44% e objektivave të planifikuara nuk janë realizuar, ngecjet janë më të theksuara në kultivimin, trajtimin dhe ngritjen e pyjeve të reja. Rreth një milion fidanë në Institutin Pyjor të Kosovës rrezikojnë të dështojnë për shkak të mungesës së kontraktimeve për pyllëzim nga Agjencia.

Në parqet “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri” janë regjistruar prerje të shumta ilegale dhe ndërtime pa leje. Në Parkun Kombëtar “Sharri”, mungesa e rojeve pyjore ka bërë që deri në 70% e territorit të mbetet pa mbrojtje. Ndërsa, në Parkun Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna” problem i madh janë edhe ndërtimet ilegale dhe sipas regjistrimeve të vitit 2024 janë mbi 6,083 ndërtime ilegale. Po ashtu nuk ka të dhëna të sakta sa i përket numrit të uzurpimit të pronave publike.

Agjencia Pyjore për më shumë se 20 vjet nuk ka trajtuar çështjen e pronave që i ka në menaxhim. Ka rreth 500 prona me emërtime të ndryshme të cilat ende nuk i ka unifikuar dhe verifikuar. Gjithashtu auditimi ka evidentuar se në procesin e qiradhënies së pronave publike ka vonesa deri në 38 muaj si dhe janë bërë shumë shkelje nga qiramarrësit.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca,  deklaroi se mungesa e kornizës së qartë ligjore, kontrollit efektiv, dhe koordinimit institucional, kanë rezultuar me prerje ilegale, uzurpime dhe dëmtime të zonave të mbrojtura, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike dhe mjedisore. Prandaj është i nevojshëm një koordinim ndërinstitucional me qëllim të ruajtjes, zhvillimit dhe ripërtëritjes së hapësirave pyjore të vendit.

Për përmirësimin e gjendjes se pyjeve në Republikën e Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 11 rekomandime.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Mbrojtja, zhvillimi dhe ripërtëritja e hapësirave pyjore”, e gjeni këtu.  

 

Lexo më shumë
Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në seminarin dhe takimin vjetor të Grupit Punues të EUROSAI-t për Auditimin e Komunave

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në seminarin dhe takimin vjetor të Grupit Punues të EUROSAI-t për Auditimin e Komunave

Auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Elvir Krasniqi dhe Arian Zenelaj, me 16 dhe 17 shtator 2025 në Riga të Letonisë, morën pjesë në Seminarin VIII “Roli dhe ndikimi i ISA-ve në zbatimin dhe zhvillimin e politikave rajonale” si dhe takimin IX vjetor të Grupit Punues të EUROSAI-t për Auditimin e Komunave (WGMA).

Seminari u fokosua në rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) gjatë zhvillimit dhe zbatimit të politikave rajonale, ku në sesionin e parë, zyrtarë të lartë letonezë prezantuan njuhuritë dhe sfidat kryesore në këtë fushë si dhe propozimet se si ISA-të  mund të mbështesin zhvillimin rajonal përmes punës së tyre audituese. Kurse në sesionin e dytë dhe të tretë, përfaqësuesit e 12 ISA-ve ndan përvojat e tyre në planifikimin dhe zhvillimin e politikave rajonale, financimin e planifikimit dhe mundësitë për qasje, si dhe krijimin e sinergjive midis programeve mbështetëse.

Ndërsa në takimin IX vjetor të Grupit Punues të EUROSAI-t për Auditimin e Komunave (WGMA) u diskutua për zbatimin e planit të punës për vitin 2025 dhe aktivitetet e planifikuara për vitin 2026. Në takim u përcaktuan aktivitetet e ardhshme të WGMA-së, duke përfshirë iniciativa të reja siç është Çmimi WGMA për auditimin komunal.   

Lexo më shumë