Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/18/2025 6:00:00 PM

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në seminarin dhe takimin vjetor të Grupit Punues të EUROSAI-t për Auditimin e Komunave

Auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Elvir Krasniqi dhe Arian Zenelaj, me 16 dhe 17 shtator 2025 në Riga të Letonisë, morën pjesë në Seminarin VIII “Roli dhe ndikimi i ISA-ve në zbatimin dhe zhvillimin e politikave rajonale” si dhe takimin IX vjetor të Grupit Punues të EUROSAI-t për Auditimin e Komunave (WGMA).

Seminari u fokosua në rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) gjatë zhvillimit dhe zbatimit të politikave rajonale, ku në sesionin e parë, zyrtarë të lartë letonezë prezantuan njuhuritë dhe sfidat kryesore në këtë fushë si dhe propozimet se si ISA-të  mund të mbështesin zhvillimin rajonal përmes punës së tyre audituese. Kurse në sesionin e dytë dhe të tretë, përfaqësuesit e 12 ISA-ve ndan përvojat e tyre në planifikimin dhe zhvillimin e politikave rajonale, financimin e planifikimit dhe mundësitë për qasje, si dhe krijimin e sinergjive midis programeve mbështetëse.

Ndërsa në takimin IX vjetor të Grupit Punues të EUROSAI-t për Auditimin e Komunave (WGMA) u diskutua për zbatimin e planit të punës për vitin 2025 dhe aktivitetet e planifikuara për vitin 2026. Në takim u përcaktuan aktivitetet e ardhshme të WGMA-së, duke përfshirë iniciativa të reja siç është Çmimi WGMA për auditimin komunal.   

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA: Mungesa e kontrolleve funksionale dhe teknike në aplikacionet e platformës e-Kosova rrezikon saktësinë e të dhënave dhe integritetin e shërbimeve

ZKA: Mungesa e kontrolleve funksionale dhe teknike në aplikacionet e platformës e-Kosova rrezikon saktësinë e të dhënave dhe integritetin e shërbimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e Teknologjisë së Informacionit “Platforma e shërbimeve online e-Kosova” për periudhën 2024 – qershor 2025, i cili ka vlerësuar nëse kjo platformë iu mundëson qytetarëve shërbime elektronike efikase, të sakta, të sigurta dhe të besueshme. Fokusi i auditimit ka qenë në shërbimet “Shtesat për fëmijë”, “Tatimi në pronë”, “Subvencionimi i librave” dhe moduli “Pagesat elektronike”.  

Ndonëse “Platforma e-Kosova” ka kontribuar në digjitalizimin, transparencën dhe efikasitetin e proceseve administrative, ajo vazhdon të përballet me mangësi në kontrollet e aplikacionit, të cilat ndikojnë në integritetin, saktësinë dhe sigurinë e të dhënave.  

Rezultatet e auditimit tregojnë se për shërbimet “Subvencionimi i librave” dhe “Shtesat për fëmijë”, mungesa e ndërlidhjes së duhur të sistemeve ka lejuar përfitimin e subvencionit të librave pa plotësuar kushtet e nevojshme dhe për shtesat e fëmijëve aplikime të dyfishta. Mungesa e përditësimit të gjendjes së pagesës në kohë reale dhe kontrollet e dobëta në modulin e pagesave kanë lejuar pagesa të njëjta të ekzekutohen disa herë, duke shkaktuar dëme financiare për qytetarët.

Agjencia e Shoqërisë së Informacionit e cila menaxhon platformën e-Kosova nuk ka vendosur standarde të mjaftueshme për menaxhimin e kontratave, duke lënë paqartësi mbi përgjegjësitë për sigurinë e informacionit, nuk garanton mjedis të sigurt informacioni për shkak të politikave të vjetruara dhe mungesës së tyre, si dhe nuk është e përgatitur për të rikthyer shërbimet në raste emergjente ose fatkeqësie duke rrezikuar vazhdimësinë e operacioneve shtetërore elektronike.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se Platforma e-Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në digjitalizimin e shërbimeve publike, megjithatë ka ende sfida në integrimin e sistemeve, sigurinë e informacionit, kontrollin dhe besueshmërinë e të dhënave, si dhe në vazhdimësinë e biznesit.

Me qëllim të përmirësimit të kontrolleve, integrimit, digjitalizimit dhe sigurisë së platformës e-Kosova, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 15 rekomandime. 

Raportin e plotë të auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Platforma e shërbimeve online e-Kosova”, e gjeni këtu.

Lexo më shumë
 Auditimi evidenton mangësi në ofrimin e të dhënave cilësore, të sakta dhe të besueshme në Sistemin e Informacionit të Tatimit në Pronë

Auditimi evidenton mangësi në ofrimin e të dhënave cilësore, të sakta dhe të besueshme në Sistemin e Informacionit të Tatimit në Pronë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditimin e Teknologjisë së Informacionit “Sistemi i Informacionit të Tatimit në Pronë (SITP)” për periudhën 2024 – korrik 2025, i cili ka vlerësuar nëse ky sistem siguron të dhëna cilësore, të sakta, dhe të besueshme.

Rezultatet e auditimit tregojnë se ky sistem nuk garanton plotësisht ofrimin e të dhënave cilësore, të sakta, të plota dhe të besueshme. Dobësitë në zhvillim dhe funksionim të sistemit, mungesa e procedurave të standardizuara për testim dhe aprovime, si dhe kontrollet e pamjaftueshme, kanë ndikuar negativisht në integritetin e të dhënave dhe menaxhimin efikas të tatimit. Kjo ka rritur rrezikun për pasaktësi në llogaritje, shpërndarje të gabuar të pagesave dhe vështirësi në identifikimin e saktë të tatimpaguesve.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e cila menaxhon SITP nuk siguron që zhvillimet e realizuar në këtë sistem arrijnë qëllimin, pasi ka mungesë të procedurave për kontrolle të brendshme funksionale lidhur me menaxhimin e ndryshimeve dhe trajtimit të kërkesave për zhvillim.

Mungesa e kontrolleve hyrëse në aplikacion për SITP ka krijuar rreziqe për saktësinë e të dhënave dhe integritetin e shërbimeve. Auditimi ka evidentuar mangësi në ndërlidhjen e sistemit me regjistrin e të dhënave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, si dhe ndërlidhjes me Sistemin e Anketimit. Kjo ka rezultuar me të dhëna të pasakta për tatimpaguesit dhe pronat. Mangësitë në kontrollet e përpunimit kanë shkaktuar mos shpërndarjen e pagesës në mënyrë proporcionale dhe në borxhe të pasakta për qytetarët duke i dëmtuar me ndëshkime dhe interes.

Po ashtu SITP ka mangësi në regjistrimin e pagesave duke mos regjistruar datën e saktë të tyre, nuk e pasqyron gjendjen reale të faturës si dhe nuk ka pasqyrim dhe zbatim të saktë të kërkesave ligjore dhe rregullative. Për rrjedhojë qytetarët mund të penalizohen me interes pavarësisht pagesës së realizuar në kohë. Gjithashtu proceset manuale rrisin rrezikun e gabimeve dhe humbjes së të dhënave jashtë sistemit. Mangësitë në kontrollet e sigurisë bëjnë më të cenueshëm SITP ndaj keqpërdorimeve të sigurisë.  

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se Sistemi i Informacionit të Tatimit në Pronë ka transformuar administrimin e tatimit në pronë duke e bërë më të menaxhueshëm, por nuk garanton plotësisht të dhëna cilësore, të sakta, të plota dhe të besueshme.

Për të përmirësuar çështjet e identifikuara në këtë sistem, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 14 rekomandime.

Raportin e plotë të auditimit të Teknologjisë së Informacionit “Sistemi i Informacionit të Tatimit në Pronë (SITP)”, e gjeni këtu.

Lexo më shumë