Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/1/2025 4:03:00 PM

ZKA-ja evidenton mangësi në projektin “Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi  raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti në planifikimin dhe menaxhimin e projektit ‘Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës’”, për periudhën 2022 - mars 2025. Auditimi ka vlerësuar efikasitetin e komunës në planifikimin dhe menaxhimin e këtij projekti si dhe ndikimin i tij në zhvillimin urban dhe jetën e qytetarëve.

Rezultatet e auditimit tregojnë se Komuna e Malishevës nuk ka qenë efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit të kontraktuar në vlerë 8.28 milionë euro. Kontrata e këtij Projekti ishte nënshkruar me mbështetje buxhetore prej 2.03 milionë euro dhe kishte filluar pa planifikim të detajuar, duke u përcjellë më pas më rritje të kostove. Përveç kontratës bazë Komuna e Malishevës kishte lidhur edhe aneks kontratë në vlerë mbi 800 mijë euro si dhe kostot të pritshme deri në përfundim të projektit janë rreth 500 mijë euro. Përveç kësaj janë ridestinuar rreth 520 mijë euro nga projekte tjera për të mundësuar ndërtimin e këtij projekti.

Në procedurat e prokurimit për kontraktimin e kompanisë projektuese ka pasur mungesë të transparencës dhe trajtim jo të  barabartë.  

Po ashtu janë evidentuar mospërputhje në mes çmimeve të vlerësuara dhe atyre të kontraktuara tek 226 pozicione nga gjithsej 802, ose 28% e tyre, ku çmimi i kontraktuar ishte deri në 1600% (në dy pozicione) më i lartë se ai i parashikuar.

Kishte edhe dallime të theksuara mes sasive të parashikuara në projekt, të kontraktuara dhe atyre të realizuara në praktikë. Këto dallime janë vërejtur në 302 pozicione  nga 802 sa kanë qenë gjithsej apo 37% e pozicioneve.

Kontrata nuk ka pasur mbikëqyrje profesionale, duke bërë që sasia dhe cilësia e materialeve të pranuara të jetë e pa qartë. Kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së menaxhimit të kontratës për hartimin e projektit, si dhe mungesës së organit mbikëqyrës të pavarur gjatë realizimit të kontratës gjë që ka rezultuar në menaxhim dhe mbikëqyrje të dobët të sajë.

Mungesa e masave të nevojshme nga Komuna për menaxhimin dhe mbikëqyrjen adekuate të cilësisë së punimeve ka ndikuar që cilësia dhe siguria e projektit të rrezikohet.

Gjithashtu auditimit ka venë në pah se projekti nuk ishte i bazuar në një Plan Zhvillimor Urban, nuk ka pasur konsultime me qytetarët dhe palët e interesit, ndërsa lejet për ndërtim janë siguruar pas fillimit të punimeve.

Ndonëse projekti synon të kontribuojë në urbanizimin e qytetit, gjatë realizimit ka shkaktuar vështirësi në qarkullim e qytetarëve, zhvillimin e aktiviteteve të tyre dhe bizneseve përreth.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se mangësitë në planifikim, buxhetim dhe mbikëqyrje kanë ndikuar në efikasitetin, cilësinë dhe sigurinë e projektit “Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalime dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës”.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë nëntë rekomandime për Komunën e Malishevës, me qëllim që të përmirësohet procesi i planifikimit dhe menaxhimit të projekteve kapitale.  

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efikasiteti në planifikimin dhe menaxhimin e projektit ‘Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës’”, e gjeni këtu.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA dhe SNAO hartojnë planin afatmesëm për zbatimin e projektit të bashkëpunimit 2025–2030

ZKA dhe SNAO hartojnë planin afatmesëm për zbatimin e projektit të bashkëpunimit 2025–2030

Nga 22 deri në 26 shtator 2025, një delegacion i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) i udhëhequr nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, qëndroi për vizitë zyrtare në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë (SNAO) në Stokholm.  

Vizita njëjavore pati për qëllim hartimin e planit dyvjeçar për zbatimin e projektit të ri të bashkëpunimit për zhvillim institucional 2025-2030 ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit. Fokusi ishte të objektivat, ndarja e roleve dhe përgjegjësive sipas objektivave dhe komponentëve si dhe rezultatet e synuara për dy vitet e ardhshme 2026-2027.

Zyrtarët përgjegjës për menaxhimin e projektit u angazhuan për t’i identifikuar aktivitetet me përparësi sipas komponentëve, dhe nënkomponentët, zbatimin e tyre si dhe treguesit e rezultateve.

Po ashtu programi i vizitës përfshiu edhe sesionin për menaxhimin e projektit, menaxhimin e ndryshimit dhe ndikimin e rezultateve të projektit në punën e institucionit.  

Lexo më shumë
Auditimi evidenton mangësi serioze në procesin e lejeve ndërtimore në Komunën e Fushë Kosovës

Auditimi evidenton mangësi serioze në procesin e lejeve ndërtimore në Komunën e Fushë Kosovës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e lejeve të ndërtimit në Komunën e Fushë Kosovës”. Auditimi ka vlerësuar procesin që nga dhënia e kushteve ndërtimore e deri te pajisja me çertifikata të përdorimit. Auditimi është fokusuar në vlerësimin e përputhshmërisë me planifikimin hapësinor, përdorimin e mekanizmave të kontrollit në dispozicion, si dhe garantimin e sigurisë për banorët që vendosen në këto objekte.

Auditimi ka konstatuar mangësi serioze në procesin e lejeve ndërtimore në Komunën e Fushë Kosovës si: mos miratimi i Planit Zhvillimor Komunal, mos  hartimi i planeve të detajuara rregulluese si dhe lëshimi i lejeve ndërtimore sipas hartës zonale. ZKA ka identifikuar se, Komuna ka lejuar devijime nga kushtet ndërtimore, si mungesë e hapësirave gjelbëruese apo tejkalim i sipërfaqeve të ndërtimit. Po ashtu, kishte vonesa të konsiderueshme në lëshimin e kushteve ndërtimore nga katër deri në 131 ditë. Po ashtu në disa raste lejet ndërtimore kishin devijime nga parametrat e përcaktuara, duke përfshirë rritje të sipërfaqes ndërtimore, tejkalim të numrit të njësive banesore dhe mungesë të hapësirave gjelbëruese apo vend parkimeve.

Rezultatet e auditimit tregojnë se inspektorët komunalë kanë inspektuar një pjesë shumë të vogël të punimeve, ndërsa pjesën tjetër ia kanë lënë investitorëve. Në vend që të forcojë mbikëqyrjen, inspektorati ka vepruar pa plan pune, pa ndarje të qartë të detyrave si dhe pa databazë për të gjurmuar ndërtimet.

ZKA, ka konstatuar dallime midis sipërfaqes se ndërtuar, kushteve dhe lejeve ndërtimore. Kishte raste kur sipërfaqja ndërtimore në leje ishte më e madhe se ajo e miratuar në kushte, duke shkuar deri në 6,158 m². Ndërsa, kishte raste të tjera ku sipërfaqja në leje ishte më e vogël, duke variuar nga 235 m² deri në 2,158 m². 

Komuna nuk ka respektuar as afatet ligjore për lëshimin e kushteve dhe lejeve ndërtimore duke shkaktuar vonesa deri në 250 ditë, si dhe ka lëshuar shumë më pak certifikata përdorimi sesa leje ndërtimore.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, deklaroi se Komuna e Fushë Kosovës nuk ishte treguar efikase dhe efektive për të siguruar përputhshmërinë e ndërtimeve të larta banesore me planifikimet hapësinore. Po ashtu komuna nuk ka zgjeruar infrastrukturën publike (çerdhe, shkolla, qendra mjekësore) në përputhje me rritjen e numrit të ndërtimeve.

Për të siguruar që procesi i lejeve ndërtimore zhvillohet në mënyrë sa më efikase dhe efektive, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë dhjetë rekomandime.   

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e lejeve të ndërtimit në Komunën e Fushë Kosovës”, e gjeni këtu.
Lexo më shumë