Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës (ZKA) është anëtarësuar në Grupin Punues të EUROSAI-t për Teknologjinë e Informacionit (ITWG). Grupi Punues i TI-së (ITWG) në EUROSAI përmes shkëmbimit të praktikave më të mira dhe aktiviteteve të përbashkëta inkurajon Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve evropiane në punën e tyre rreth auditimeve të Teknologjisë së Informacionit si dhe në përdorimin e TI-së në punën e përditshme. Në fokus të aktiviteteve të këtij grupi punues është mbështetja e procesit të auditimit, me prioritet zhvillimin profesional të auditorëve dhe avancimin e praktikave të auditimit të teknologjisë së informacionit në sektorin publik. Duke qenë pjesë e ITWG-së, auditorët e TI-së të Zyrës Kombëtare të Auditimit do të jenë më afër zhvillimeve në fushën e auditimeve të TI-së dhe do të kenë mundësi më të madhe të bashkëpunojnë me kolegët evropian. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e ka vlerësuar lartë pjesëmarrjen e auditorëve të TI-së në aktivitetet e këtij grupi punues, duke thënë se do të shërbejë për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe në cilësinë e auditimeve. Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës në vitin 2018 ka themeluar Departamentin e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit krahas auditimit të performancës. Gjatë kësaj periudhe në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar, ky departament ka arritur një zhvillim të qëndrueshëm në aspektin e kapaciteteve dhe të metodologjisë së auditimit. Gjatë një sezone audituese ZKA-ja kryen 3 deri 4 auditime të TI-së. Deri më tani janë kryer rreth 12 auditime të TI-së, që ndërlidhen me performancën e sistemeve të informacionit. Grupi Punues i EUROSAI-t për Teknologjinë e Informacionit (ITWG) është themeluar në vitin 2002, dhe aktualisht kryesohet nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Estonisë.