Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/8/2022 11:08:06 AM

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm: Rekomandimet e auditimit ndikojnë në përmirësimin e proceseve të prokurimit publik dhe luftimin e korrupsionit

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të mërkurën  ka marrë pjesë në tryezën me temën “Luftimi i Korrupsionit në Prokurimin Publik”, të organizuar nga Iniciativa për Progres - INPO në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2022”. Z. Halilaj së bashku me panelistët e tjerë kanë diskutuar për të arriturat, sfidat dhe dobësitë në prokurimin publik si dhe luftën kundër korrupsionit në prokurim. Diskutimi është fokusuar në temat: Mbikëqyrja dhe shqyrtimi i prokurimit; Sundimi i ligjit dhe llogaridhënia; Efektet e raporteve të auditimit në luftën kundër korrupsionit në prokurimin publik; Bashkëpunimi i sistemit prokurorial me institucionet tjera në luftimin e kriminalitetit në prokurim publik; si dhe Ndryshimet ligjore të propozuara në prokurim:  A e trajtojnë fenomenin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka folur për efektet e raporteve të auditimit në luftën kundër korrupsionit në prokurimin publik, me ç’rast ka thënë se prokurimi publik është pjesa më e ndjeshme ndaj korrupsionit dhe se në vështrim të përgjithshëm tenderimi shihet si proces ku zyrtarët publik mund të keqpërdorin autoritetin e tyre zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore. Një këndvështrim të tillë e reflektojnë edhe raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë, që tregojnë se një numër i konsiderueshëm i gjetjeve apo shkeljeve të identifikuara gjatë auditimeve i referohen kësaj fushe. Bazuar në rezultatet e auditimit, z. Halilaj ka thënë se duhet të punohet akoma më shumë për sisteme më të avancuar të kontrollit të brendshëm, në mënyrë që hallka e sistemit të menaxhimit të parasë publike të përmirësohet në vazhdimësi. Bartësit e institucioneve duhet të marrim masa që personat që abuzojnë me detyrën zyrtare të vihen para përgjegjësisë, që sistemi i llogaridhënies të funksionojë si një nga masat më efektive në luftimin dhe parandalimin e dukurive negative. “Në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore Auditori i Përgjithshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, besoj fuqishëm që është duke e kryer misionin e vet që përmes rekomandimeve të auditimit të mundësojë që prokurimi publik të jetë një proces transparent dhe llogaridhënës duke ofruar mallra, shërbime dhe investime sa më ekonomike dhe cilësore”, është shprehur Halilaj. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka treguar se ZKA-ja në sezonin auditues 2021-2022 ka kryer 134 auditime dhe ka dhënë 861 rekomandime në baza vjetore, vetëm në fushën e prokurimit gjatë kësaj periudhe janë dhënë 138 rekomandime. Tutje Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka folur për rolin dhe rëndësinë e Njësisë kundër mashtrimit në ZKA-së që merret me identifikimin e mashtrimeve potenciale dhe shkeljeve të tjera në këtë fushë që pastaj i dërgon tek Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku vetëm për sezonin e fundit auditues janë raportuar 77 raste të kësaj natyre.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit bëhet pjesë e Grupit Punues të EUROSAI-t për Teknologji të Informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit bëhet pjesë e Grupit Punues të EUROSAI-t për Teknologji të Informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës (ZKA) është anëtarësuar në Grupin Punues të EUROSAI-t për Teknologjinë e Informacionit (ITWG). Grupi Punues i TI-së (ITWG) në EUROSAI përmes shkëmbimit të praktikave më të mira dhe aktiviteteve të përbashkëta inkurajon Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve evropiane  në punën e tyre rreth auditimeve të Teknologjisë së Informacionit  si dhe në përdorimin e TI-së në punën e përditshme. Në fokus të aktiviteteve të këtij grupi punues është mbështetja e procesit të auditimit, me prioritet zhvillimin profesional të auditorëve dhe avancimin e praktikave të auditimit të teknologjisë së informacionit në sektorin publik. Duke qenë pjesë e ITWG-së, auditorët e TI-së të Zyrës Kombëtare të Auditimit  do të jenë më afër zhvillimeve në fushën e auditimeve të TI-së dhe do të kenë mundësi më të madhe të bashkëpunojnë me kolegët evropian. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e ka vlerësuar lartë pjesëmarrjen e auditorëve të TI-së në aktivitetet e këtij grupi punues, duke thënë se  do të shërbejë për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe në cilësinë e auditimeve. Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës në vitin 2018 ka themeluar Departamentin e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit krahas auditimit të performancës. Gjatë kësaj periudhe në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar, ky departament ka arritur një zhvillim të qëndrueshëm në aspektin e kapaciteteve dhe të metodologjisë së auditimit. Gjatë një sezone audituese ZKA-ja kryen 3 deri 4 auditime të TI-së. Deri më tani janë kryer rreth 12 auditime të TI-së, që ndërlidhen me performancën e sistemeve të informacionit. Grupi Punues i EUROSAI-t për Teknologjinë e Informacionit (ITWG) është themeluar në vitin 2002, dhe aktualisht kryesohet nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Estonisë.
Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme angazhohet që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe auditimet në këtë fushë të jenë me prioritet

Auditorja e Përgjithshme angazhohet që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe auditimet në këtë fushë të jenë me prioritet

Vendet demokratike kanë dëshmuar se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor ndikon në rritjen ekonomike, në zhvillim dhe në stabilitet. Kështu ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në hapjen e seminarit dyditor për përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit  dhe Institucionit të Avokatit të Popullit për integrimin gjinor në proceset e auditimit i organizuar nga UN Women. Znj. Spanca, ka thënë se mbajtja e këtij seminari është një iniciativë e mirë për të shtyrë përpara procesin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor e me këtë edhe proceset e auditimit. Prandaj e ka vlerësuar seminarin si një mundësi të mirë për ndarjen e praktikave të vendeve të tjera në zbatimin e angazhimeve për barazi gjinore, si dhe një mundësi që në vitin 2023 të kryhet një auditim paralel së bashku me ISA-t e tjera për barazinë gjinore dhe çështjet gjinore. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka rikujtuar se shteti ka marrë angazhime ligjore të rëndësishme dhe detyruese për të luftuar diskriminimin, përfshirë këtu edhe diskriminimin gjinor e që nënkupton shpërndarje të fondeve publike, programeve dhe vendimmarrjes në mënyrë të drejtë për të gjitha gjinitë. “Kosova është në fazën fillestare të hartimit të politikave për buxhetim të përgjegjshëm gjinor. Edhe pse në praktikë Qeveria ka filluar t’i jap vëmendje më të madhe financimit të skemave të ndryshme në përkrahje të grave, përfshirë edhe ato në pozita vendimmarrëse, këto procese kërkojnë politika të qarta dhe sisteme të cilat përkrahin informatat lidhur me këtë.  Me qellim që të vlerësohen nëse po bëhet shpërndarje e drejtë e parasë publike dhe nëse po arrihen qëllimet e përcaktuara, këto procese është e nevojshme t’i nënshtrohen auditimit të jashtëm”, ka deklaruar znj. Spanca. Duke marrë parasysh se barazia gjinore është një prej objektivave të Agjendës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, si dhe aktualitetin në Kosovë, në tetor të këtij viti, Auditorja e Përgjithshme ka treguar se ka aprovuar auditimin e  performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” përmes se cilit do të vlerësohet nëse organet përgjegjëse kanë ndërmarr masat e duhura për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, siç janë reagimi, mbrojtja dhe rehabilitimi i viktimave të dhunës.  
Lexo më shumë