Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/31/2025 1:37:00 PM

Auditorja e Përgjithshme në diskutimin global për pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit në margjinat e Kongresit XXV të INCOSAI

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj morën pjesë në sesionin e nivelit të lartë me temën “Sfidat informale për pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit”, organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI), në kuadër të punimeve ndërkombëtare të INCOSAI-t. 

Ky sesion diskutimi me pjesëmarrjen e krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare adresoi faktorët informalë që ndikojnë në pavarësinë e ISA-ve përtej kornizave ligjore, përfshirë pritjet politike, reputacionin institucional, dinamikat fiskale dhe marrëdhëniet me palët e interesit.   

Gjatë sesionit u diskutua se si faktorët më lart ndikojnë në aftësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit për të ushtruar mandatin e tyre në mënyrë të pavarur dhe efektive. Po ashtu, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja mbi mënyrat e forcimit të besueshmërisë publike dhe integritetit institucional.  

Në kuadër të këtij sesioni u prezantuan gjetjet e para të Projektit Global për Pavarësinë e ISA-ve i udhëhequr nga OECD dhe IDI, që synon të analizojë ndikimet e faktorëve politikë, ekonomikë dhe institucionalë në pavarësinë reale të ISA-ve në mbarë botën.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme takon homologun nga Arabia Saudite – shpreh mirënjohje për mbështetjen ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit

Auditorja e Përgjithshme takon homologun nga Arabia Saudite – shpreh mirënjohje për mbështetjen ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit

Në margjinat e Kongresit XXV të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INCOSAI), u mbajt sesioni “Fondi Saudit për Përmirësimin e Performancës së ISA-ve (FISP)” i organizuar nga Gjykata e Përgjithshme e Auditimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t. Në kuadër të këtij sesioni, institucionet përfituese prezantuan rezultatet e arritura dhe ndikimin e fondit në rritjen e performancës dhe lehtësimin e sfidave të hasura në punën e tyre të përditshme.  

Pas sesionit të përgjithshëm, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, pati një takim të veçantë me Presidentin e Gjykatës së Përgjithshme të Auditimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Dr. Hussam Alangari, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm, me theks të veçantë për mbështetjen ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) përmes donacionit nga Fondi Saudit për Performancën e Përmirësuar të Institucioneve Supreme të Auditimit  (FISP).  

Znj. Spanca tha se Fondi ka kontribuar në forcimin e punës dhe performancës së përgjithshme të ZKA-së, si dhe modernizimin e infrastrukturës së IT-së duke ndikuar drejtpërdrejtë në përmirësimin dhe lehtësimin e procesit të auditimit. “Këto investime kanë sjellur ndryshim të vërtetë në aftësinë tonë për të kryer auditime që janë në kohë, të besueshme dhe me ndikim, duke kontribuar në mënyrë domethënëse në forcimin e faktorëve që përforcojnë besimin e popullit të Kosovës në Zyrën Kombëtare të Auditimit”, deklaroi ajo.  

Duke shprehu përkushtimin e saj dhe të ZKA-së ndaj vazhdimit të bashkëpunimit, Auditorja e Përgjithshme ka konfirmuar angazhimin e institucionit që drejton në nismat dhe aktivitetet e INTOSAI-t për të arritur përsosmëri në auditimin publik. “Së bashku, ne nuk po përmirësojmë vetëm institucionet, por po formësojmë një të ardhme me transparencë, besim dhe ndikim të qëndrueshëm. Duke parë përpara, jemi të përkushtuar të përballemi me sfida të reja, të forcojmë llogaridhënien dhe të vazhdojmë të shërbejmë si anëtar i përkushtuar, i aftë dhe krenar i familjes së INTOSAI-t”, theksoi znj. Spanca.  

Presidenti i Gjykatës së Përgjithshme të Auditimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Dr. Hussam Alangari, tha se është i kënaqur që mbështetja e tyre i ka shërbyer Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të avancojë infrastrukturën e TI-së dhe proceseve audituese.

Lexo më shumë
Auditorja Seniore Arta Kryeziu Qehaja nderohet me çmimin ndërkombëtar për Programin “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë” (EFA)

Auditorja Seniore Arta Kryeziu Qehaja nderohet me çmimin ndërkombëtar për Programin “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë” (EFA)

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në kuadër të Kongresit XXV të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INCOSAI), Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në emër të auditores seniore Arta Kryeziu Qehaja, pranoi çmimin ndërkombëtar për Programin “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë” (EFA) nga Drejtori i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI), Einar Gørrissen.  

Ky çmim ndërkombëtar i dedikohet znj. Kryeziu Qehaja për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në avancimin e auditimit me fokus në barazi dhe përfshirje në kuadër të programit “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë”.  

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se ky çmim ndërkombëtar dëshmon angazhimin e ZKA-së për ngritjen e standardeve të auditimit dhe rolin e saj të rëndësishëm në promovimin e barazisë, përfshirjes dhe transparencës në shërbimet publike. “Ky vlerësim ndërkombëtar është dëshmi e qartë e profesionalizmit, përkushtimit dhe vizionit të gjithë stafit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për një auditim që shkon përtej kontrollit financiar dhe kontribuon në ndryshime pozitive në shoqëri,” u shpreh znj. Spanca.  

Në shenjë vlerësimi për këtë arritje, Auditorja e Përgjithshme i pati dhënë znj. Kryeziu Qehaja një Mirënjohje të veçantë, duke vlerësuar inovacionin dhe lidershipin e saj në promovimin e auditimit me fokus në barazi dhe përfshirje. “Arritja e Artes është një shembull frymëzues i profesionalizmit dhe vizionit të saj,” kishte thënë znj. Spanca, duke shtuar se ky sukses pasqyron gjithashtu përkushtimin dhe bashkëpunimin e gjithë stafit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, që mbetet themeli i çdo arritjeje të ZKA-së.  

Programi “Auditimi i të Ardhmes së Barabartë” (EFA) ka për qëllim fuqizimin e agjentëve të ndryshimit brenda Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA), në promovimin e qasjeve gjithëpërfshirëse dhe të barabarta në auditim.  

Lexo më shumë