Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/31/2025 4:56:00 PM

Auditorja Seniore Arta Kryeziu Qehaja nderohet me çmimin ndërkombëtar për Programin “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë” (EFA)

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në kuadër të Kongresit XXV të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INCOSAI), Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në emër të auditores seniore Arta Kryeziu Qehaja, pranoi çmimin ndërkombëtar për Programin “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë” (EFA) nga Drejtori i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI), Einar Gørrissen.  

Ky çmim ndërkombëtar i dedikohet znj. Kryeziu Qehaja për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në avancimin e auditimit me fokus në barazi dhe përfshirje në kuadër të programit “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë”.  

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se ky çmim ndërkombëtar dëshmon angazhimin e ZKA-së për ngritjen e standardeve të auditimit dhe rolin e saj të rëndësishëm në promovimin e barazisë, përfshirjes dhe transparencës në shërbimet publike. “Ky vlerësim ndërkombëtar është dëshmi e qartë e profesionalizmit, përkushtimit dhe vizionit të gjithë stafit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për një auditim që shkon përtej kontrollit financiar dhe kontribuon në ndryshime pozitive në shoqëri,” u shpreh znj. Spanca.  

Në shenjë vlerësimi për këtë arritje, Auditorja e Përgjithshme i pati dhënë znj. Kryeziu Qehaja një Mirënjohje të veçantë, duke vlerësuar inovacionin dhe lidershipin e saj në promovimin e auditimit me fokus në barazi dhe përfshirje. “Arritja e Artes është një shembull frymëzues i profesionalizmit dhe vizionit të saj,” kishte thënë znj. Spanca, duke shtuar se ky sukses pasqyron gjithashtu përkushtimin dhe bashkëpunimin e gjithë stafit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, që mbetet themeli i çdo arritjeje të ZKA-së.  

Programi “Auditimi i të Ardhmes së Barabartë” (EFA) ka për qëllim fuqizimin e agjentëve të ndryshimit brenda Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA), në promovimin e qasjeve gjithëpërfshirëse dhe të barabarta në auditim.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme në diskutimin global për pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit në margjinat e Kongresit XXV të INCOSAI

Auditorja e Përgjithshme në diskutimin global për pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit në margjinat e Kongresit XXV të INCOSAI

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj morën pjesë në sesionin e nivelit të lartë me temën “Sfidat informale për pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit”, organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI), në kuadër të punimeve ndërkombëtare të INCOSAI-t. 

Ky sesion diskutimi me pjesëmarrjen e krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare adresoi faktorët informalë që ndikojnë në pavarësinë e ISA-ve përtej kornizave ligjore, përfshirë pritjet politike, reputacionin institucional, dinamikat fiskale dhe marrëdhëniet me palët e interesit.   

Gjatë sesionit u diskutua se si faktorët më lart ndikojnë në aftësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit për të ushtruar mandatin e tyre në mënyrë të pavarur dhe efektive. Po ashtu, pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja mbi mënyrat e forcimit të besueshmërisë publike dhe integritetit institucional.  

Në kuadër të këtij sesioni u prezantuan gjetjet e para të Projektit Global për Pavarësinë e ISA-ve i udhëhequr nga OECD dhe IDI, që synon të analizojë ndikimet e faktorëve politikë, ekonomikë dhe institucionalë në pavarësinë reale të ISA-ve në mbarë botën.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Kongresin XXV të INCOSAI në Egjipt

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Kongresin XXV të INCOSAI në Egjipt

Nga 27 deri më 31 tetor 2025 në Egjipt u mbajt Kongresi XXV i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INCOSAI), ku morën  pjesë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Auditimit, Blerim Kabashi dhe zyrtarja Aferdita Kryeziu. Kongresi përfaqëson ngjarjen më të rëndësishme botërore në fushën e auditimit publik duke mbledhur përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit anëtare të INTOSAI-t, partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë.  

Në Kongresin XXV delegatët miratuan Deklaratën Sharm El-Sheikh e cila përfaqëson angazhimin e përbashkët të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) për  të forcuar pavarësinë, profesionalizmin dhe ndikimin e auditimit publik në nivel global.  

Deklarata thekson rëndësinë e inovacionit në auditim, rritjes së kompetencës profesionale dhe përdorimit të teknologjive të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, në mënyrë etike dhe të përgjegjshme. Ajo gjithashtu nënvizon rolin e ISA-ve në adresimin e krizave financiare dhe ekonomike, promovimin e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe kontributin në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.  

Përmes kësaj deklarate, anëtarët e INTOSAI-t riafirmuan vizionin e tyre të përbashkët për ndërtimin e institucioneve më të forta që i përgjigjen sfidave të kohës dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e besimit të publikut në sektorin publik.  

Po ashtu për pesë ditë radhazi u zhvilluan sesione plenare, takime të Bordit Drejtues, u paraqiten raporte pune të organeve të INTOSAI-t, takime dypalëshe midis institucioneve pjesëmarrëse si dhe diskutime mbi temat qendrore: “Luftimi i korrupsionit dhe pastrimit të parave: dimensionet ligjore, institucionale dhe ndërkombëtare” dhe “Perspektivat e inteligjencës artificiale në auditimin publik: drejt qeverisjes së qëndrueshme”.  

Në kuadër të temës së parë “Luftimi i korrupsionit dhe pastrimit të parave: dimensionet ligjore, institucionale dhe ndërkombëtare” u prezantuan praktikat më të mira të vendeve pjesëmarrëse si dhe u theksua rëndësia e harmonizimit të legjislacionit, monitorimit të fondeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për parandalimin e korrupsionit dhe pastrimit të parave.  

Në kuadër të temës së dytë “Perspektivat e inteligjencës artificiale në auditimin publik: drejt qeverisjes së qëndrueshme”, ekspertët prezantuan mënyrat se si ISA-të mund të përdorin Inteligjencën Artificiale (AI) në auditimet financiare, të performancës dhe kontrollin e përdorimit të teknologjive nga njësitë e auditimit, si dhe u analizuan sfidat dhe mundësitë për implementimin e AI në auditimet publike dhe rritjen e efikasitetit të procesit auditues.  

Gjatë sesioneve plenare u prezantuan raportet e Presidentit të INTOSAI-t (Egjipt), Komitetit Mbikëqyrës për Çështje Emergjente (Brazil), Sekretarit të Përgjithshëm të INTOSAI-t (Austria), Komiteti për Politika, Financa dhe Administrim-PFAC (Arabia Saudite) dhe Bashkëpunimi i Donatorëve i INTOSAI-t (Arabia Saudite), Komiteti i Standardeve Profesionale (Gjykata Evropiane e Auditorëve), Komiteti për Ndërtimin e Kapaciteteve  (Afrika e Jugut), Komiteti për ndarjen e Njohurive (Spanja) si dhe raporti i auditorëve të jashtëm. Po ashtu raportuan organizatat rajonale duke përfshirë AFROSAI, ASOSAI, CAROSAI, OLACEFS, ARABOSAI, EUROSAI dhe PASAI.  

Në kuadër të procesit zgjedhor, u zgjedhën organet e reja të INTOSAI-t, anëtarët e Bordit Drejtues dhe auditorët e jashtëm të INTOSAI-t.

Në ceremoninë e mbylljes u ndanë çmime ndërkombëtare për kontribute të shquara në fushën e auditimit publik si: Çmimi i së Ardhmes INTOSAI, Çmimi Elmar B. Staats, Çmimi Kimi Makwetu, dhe Çmimi i Udhëheqësve të Rinj të ISA-ve.   

Po ashtu u konfirmua se Kongresi XXVI i INCOSAI-t do të mbahet në Indonezi, ndërsa Kongresi XXVII do të organizohet nga Arabia Saudite.  

Gjatë punimeve të Kongresit, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca me delegacion zhvilloi një mori takime me përfaqësues të ISA-ve të ndryshme ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira ndërkombëtare në fushën e auditimit publik dhe qeverisjes së mirë. 

Lexo më shumë