11/3/2025 10:18:00 AM
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Kongresin XXV të INCOSAI në Egjipt
Nga 27 deri më 31 tetor 2025 në Egjipt u mbajt Kongresi XXV i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INCOSAI), ku morën pjesë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Auditimit, Blerim Kabashi dhe zyrtarja Aferdita Kryeziu. Kongresi përfaqëson ngjarjen më të rëndësishme botërore në fushën e auditimit publik duke mbledhur përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit anëtare të INTOSAI-t, partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë.
Në Kongresin XXV delegatët miratuan Deklaratën Sharm El-Sheikh e cila përfaqëson angazhimin e përbashkët të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) për të forcuar pavarësinë, profesionalizmin dhe ndikimin e auditimit publik në nivel global.
Deklarata thekson rëndësinë e inovacionit në auditim, rritjes së kompetencës profesionale dhe përdorimit të teknologjive të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, në mënyrë etike dhe të përgjegjshme. Ajo gjithashtu nënvizon rolin e ISA-ve në adresimin e krizave financiare dhe ekonomike, promovimin e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe kontributin në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.
Përmes kësaj deklarate, anëtarët e INTOSAI-t riafirmuan vizionin e tyre të përbashkët për ndërtimin e institucioneve më të forta që i përgjigjen sfidave të kohës dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e besimit të publikut në sektorin publik.
Po ashtu për pesë ditë radhazi u zhvilluan sesione plenare, takime të Bordit Drejtues, u paraqiten raporte pune të organeve të INTOSAI-t, takime dypalëshe midis institucioneve pjesëmarrëse si dhe diskutime mbi temat qendrore: “Luftimi i korrupsionit dhe pastrimit të parave: dimensionet ligjore, institucionale dhe ndërkombëtare” dhe “Perspektivat e inteligjencës artificiale në auditimin publik: drejt qeverisjes së qëndrueshme”.
Në kuadër të temës së parë “Luftimi i korrupsionit dhe pastrimit të parave: dimensionet ligjore, institucionale dhe ndërkombëtare” u prezantuan praktikat më të mira të vendeve pjesëmarrëse si dhe u theksua rëndësia e harmonizimit të legjislacionit, monitorimit të fondeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për parandalimin e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Në kuadër të temës së dytë “Perspektivat e inteligjencës artificiale në auditimin publik: drejt qeverisjes së qëndrueshme”, ekspertët prezantuan mënyrat se si ISA-të mund të përdorin Inteligjencën Artificiale (AI) në auditimet financiare, të performancës dhe kontrollin e përdorimit të teknologjive nga njësitë e auditimit, si dhe u analizuan sfidat dhe mundësitë për implementimin e AI në auditimet publike dhe rritjen e efikasitetit të procesit auditues.
Gjatë sesioneve plenare u prezantuan raportet e Presidentit të INTOSAI-t (Egjipt), Komitetit Mbikëqyrës për Çështje Emergjente (Brazil), Sekretarit të Përgjithshëm të INTOSAI-t (Austria), Komiteti për Politika, Financa dhe Administrim-PFAC (Arabia Saudite) dhe Bashkëpunimi i Donatorëve i INTOSAI-t (Arabia Saudite), Komiteti i Standardeve Profesionale (Gjykata Evropiane e Auditorëve), Komiteti për Ndërtimin e Kapaciteteve (Afrika e Jugut), Komiteti për ndarjen e Njohurive (Spanja) si dhe raporti i auditorëve të jashtëm. Po ashtu raportuan organizatat rajonale duke përfshirë AFROSAI, ASOSAI, CAROSAI, OLACEFS, ARABOSAI, EUROSAI dhe PASAI.
Në kuadër të procesit zgjedhor, u zgjedhën organet e reja të INTOSAI-t, anëtarët e Bordit Drejtues dhe auditorët e jashtëm të INTOSAI-t.
Në ceremoninë e mbylljes u ndanë çmime ndërkombëtare për kontribute të shquara në fushën e auditimit publik si: Çmimi i së Ardhmes INTOSAI, Çmimi Elmar B. Staats, Çmimi Kimi Makwetu, dhe Çmimi i Udhëheqësve të Rinj të ISA-ve.
Po ashtu u konfirmua se Kongresi XXVI i INCOSAI-t do të mbahet në Indonezi, ndërsa Kongresi XXVII do të organizohet nga Arabia Saudite.
Gjatë punimeve të Kongresit, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca me delegacion zhvilloi një mori takime me përfaqësues të ISA-ve të ndryshme ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira ndërkombëtare në fushën e auditimit publik dhe qeverisjes së mirë.