ZKA-ja mbajti punëtorinë në Prishtinë në kuadër të nismës për bashkëpunim me mediat lokale
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, të mërkurën në Prishtinë mbajti punëtorinë rajonale me gazetarë “Rritja e bashkëpunimit me mediat lokale për transparencë dhe llogaridhënie publike”. Punëtoria e cila ishte e fundit në kuadër të kësaj nisme, pati për qëllim rritjen e bashkëpunimit me mediat lokale dhe informimin e gazetarëve për rolin dhe ndikimin e sajë, përfshirë proceset e auditimit.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, foli për mandatin kushtetues dhe ligjor të Auditorit të Përgjithshëm dhe të ZKA-së, për rolin, misionin dhe vlerat. Z. Halilaj para gazetarëve foli edhe për llojet e auditimit që i kryen ZKA-ja, rëndësinë e tyre si dhe për zbatimin e rekomandimeve, duke theksuar se nuk është i kënaqshëm niveli i përqindjes së rekomandimeve të zbatuara. Ai tha se ZKA-ja në vazhdimësi angazhohet për rritje të llogaridhënies dhe transparencës përmes bashkëpunimit me mediat.
Në emër të Misionit të OSBE-së, Fatmir Zylfijaj tha se bashkëpunimi me ZKA-në do të vazhdojë edhe më tutje, si dhe vlerësoi gatishmërinë e ZKA-së për të bashkëpunuar me mediat dhe palët e tjera të interesit. Ai tha se punëtoritë e tilla i shërbejnë rritjes së ndikimit të auditimit dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Rezultatet e auditimit për komunat e regjionit të Prishtinës u prezantuan nga Drejtori i Departamentit të Auditimit, Blerim Kabashi. Ndërsa Udhëheqësja e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e dhënë dhe tha se bashkëpunim me mediat lokale do të intensifikohet me qëllim të rritjes së llogaridhënës dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike.
Gazetarët u interesuan rreth gjetjeve të auditimit, zbatimit të rekomandimeve, rasteve të dërguara në prokurori si dhe për mos ndëshkimin e zyrtarëve publik që e shkelin ligjin dhe keqpërdorin pozitat zyrtare. Ata vlerësuan ZKA-në dhe OSBE-në për këtë punëtori e cila i kontribuon rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.
