Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/21/2025 4:57:00 PM

Auditorja e Përgjithshme: Gjetjet e auditimit i shërbejnë përmirësimit të qëndrueshëm në të gjitha hallkat e prokurimit publik

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, të enjten morën pjesë në konferencën “Fuqizimi i sistemit të prokurimit publik - raportet vjetore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional”, organizuar nga Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik në bashkëpunim me SIGMA/OECD, me fokus në rritjen e llogaridhënies, integritetit, transparencës dhe efikasitetit.

Në fjalën hyrëse znj. Spanca tha se fuqizimi i sistemit të prokurimit publik kërkon bashkëpunim të strukturuar, raportim më cilësor dhe respektim të standardeve të integritetit. “Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe integritet nuk është thjeshtë një detyrë por obligim i të gjithë neve ndaj qytetarit. Gjetjet e auditimit duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për përmirësime të qëndrueshme në çdo hallkë të procesit të prokurimit publik,” tha znj. Spanca.

Ndërsa Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, prezantoi gjetjet kryesore të raporteve të auditimit në fushën e prokurimit publik, ai veçoi sfidat në menaxhimin e kontratave publike dhe rekomandimet që ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit, zbatimi i së cilave kontribuon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik. Ai tha se gjetjet e auditimit të ZKA-së tregojnë qartë nevojën për avancimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe forcimin e integritetit në të gjitha fazat e prokurimit publik. “Do të intensifikojmë punën tonë dhe do të koordinohemi me organet tjera të zbatimit të ligjit për të siguruar llogaridhënie dhe menaxhim të drejtë të fondeve publike. ZKA mbetet e përkushtuar për përmirësimin e qeverisjes publike”, tha z. Zuka.

Drejtuesit e lartë të institucioneve pjesëmarrëse prezantuan gjetjet kryesore të raporteve vjetore për vitin 2024. Gjatë konferencës u ndanë edhe përvojat e Rumanisë në funksionimin e komiteteve ndërministrore të prokurimit publik. Ekspertët e SIGMA-s trajtuan rëndësinë e përmirësimit të cilësisë dhe transparencës në përgatitjen e raporteve vjetore, ndërsa pjesëmarrësit ritheksuan përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e integritetit në sistemin e prokurimit publik.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA: Ministria e Kultures Rinisë dhe Sportit nuk ka arritur të menaxhojë si duhet  realizimin e projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore

ZKA: Ministria e Kultures Rinisë dhe Sportit nuk ka arritur të menaxhojë si duhet realizimin e projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkuren publikoi raportin e auditimit të  pajtueshmërisë “Menaxhimi i projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)” për periudhën 2022 – 2024. Auditimi ka vlerësuar nëse menaxhimi i projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore është zhvilluar në pajtim me ligjin dhe rregulloret, si dhe nëse fondet publike janë përdorur për qëllimet e planifikuara.

Ndonëse MKRS për periudhën 2022–2024 kishte planifikuar buxhet në vlerë prej 27,153,500 euro, prej tyre vetëm 10,891,418 i kishte realizuar duke treguar nivel të ulët të shpenzimit të buxhetit për këto tri vite.

Auditimi konstaton se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk ka arritur të menaxhojë në mënyrë të duhur realizimin e projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore si dhe nuk ishte në pajtueshmëri të plotë me kërkesat ligjore dhe kontraktuale për menaxhimin e këtyre projekteve.

Procesi i auditimit ka evidentuar se MKRS ka angazhuar staf të pa licencuar në mbikëqyrjen e projekteve dhe menaxhimin e kontratave nuk e ka bërë përmes Sistemit Elektronik të Prokurimit (E-prokurimi). Po ashtu auditimi vë në pah mangësi në hartimin e projekteve ekzekutive,  në mbajtjen e ditarëve të punës dhe librave ndërtimor, vonesa në realizimin e kontratave si dhe mungesë të garancioneve për punimet pas pranimit teknik.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se  mangësitë e evidentuara nga auditimi ndikojnë në efektivitetin e projekteve, rrezikojnë cilësinë dhe sigurinë e punimeve si dhe tregojnë nevojën për forcimin e kontrolleve të brendshme, respektimin e procedurave ligjore dhe rritjen e mbikëqyrjes profesionale.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë gjashtë rekomandime për përmirësimin e procesit të menaxhimit të projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore, me qëllim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në përdorimin e fondeve publike.

Raportin e plotë të auditimit të pajtueshmerisë “Menaxhimi i projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)” e gjeni këtu.

 

Lexo më shumë
ZKA-ja evidenton mangësi në realizimin e projektit të MAPL-së për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna

ZKA-ja evidenton mangësi në realizimin e projektit të MAPL-së për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të  pajtueshmërisë “Ndërtimi i shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna” në Ministrinë e Administrimit të Pushteti Lokal (MAPL) për vitin 2024.  Auditimi ka vlerësuar pajtueshmërinë e këtij projekti me kornizën ligjore, rregulloret dhe dispozitat e thirrjes publike në të gjitha fazat e zbatimit të projektit: nga planifikimi dhe shpallja e thirrjes, deri te përzgjedhja e përfituesve, implementimi i subvencionit dhe ekzekutimi i fondeve.

Rezultatet e auditimit tregojnë se aktiviteti për ndërtimin e shtëpive ishte zhvilluar jashtë planit vjetor të punës dhe objektivave strategjike të MAPL-së, si dhe në mungesë të rregullores për menaxhim të subvencioneve. Edhe procesi i përzgjedhjes së përfituesve nuk ishte në pajtueshmëri me kriteret e thirrjes publike. Gjithashtu, procesi i auditimit ka evidentuar përfitues të përzgjedhur pa dokumentacion të plotë, trajtim të pabarabartë të aplikantëve me kushte të njëjta, vendime të pabazuara nga komisioni i ankesave si dhe mungesë e dokumentimit të vizitave në terren nga komisioni vlerësues.

Sa i përket procesit të implementimit të subvencionit, auditimi vë në pah se në dy raste ndërtimi i shtëpive nuk është realizuar sipas afateve dhe kushteve kontraktuale. Ndonëse këto raste u evidentuan dhe raportuan nga komisioni monitorues, MAPL nuk ka ndërmarrë masa ndëshkuese të parapara me kontratë, duke krijuar rrezik për shfrytëzimin joefektiv të fondeve publike dhe mosrealizimin e qëllimit të mbështetjes.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se ndonëse aktiviteti për ndërtimi i shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna ka arritur të sigurojë mbështetje për një numër të caktuar përfituesish, procesi nuk ka qenë plotësisht i harmonizuar me kërkesat për ligjshmëri, transparencë dhe barazi.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë katër rekomandime për të përmirësuar dhe siguruar mbarëvajtjen e proceseve nga faza e planifikimit e deri te zbatimi i subvencionit.

Raportin e plotë të auditimit të pajtueshmerisë  “Ndërtimi i shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna” në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për vitin 2024 e gjeni këtu.

 


Lexo më shumë