Auditorja e Përgjithshme: Gjetjet e auditimit i shërbejnë përmirësimit të qëndrueshëm në të gjitha hallkat e prokurimit publik
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, të enjten morën pjesë në konferencën “Fuqizimi i sistemit të prokurimit publik - raportet vjetore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional”, organizuar nga Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik në bashkëpunim me SIGMA/OECD, me fokus në rritjen e llogaridhënies, integritetit, transparencës dhe efikasitetit.
Në fjalën hyrëse znj. Spanca tha se fuqizimi i sistemit të prokurimit publik kërkon bashkëpunim të strukturuar, raportim më cilësor dhe respektim të standardeve të integritetit. “Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe integritet nuk është thjeshtë një detyrë por obligim i të gjithë neve ndaj qytetarit. Gjetjet e auditimit duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për përmirësime të qëndrueshme në çdo hallkë të procesit të prokurimit publik,” tha znj. Spanca.
Ndërsa Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, prezantoi gjetjet kryesore të raporteve të auditimit në fushën e prokurimit publik, ai veçoi sfidat në menaxhimin e kontratave publike dhe rekomandimet që ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit, zbatimi i së cilave kontribuon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik. Ai tha se gjetjet e auditimit të ZKA-së tregojnë qartë nevojën për avancimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe forcimin e integritetit në të gjitha fazat e prokurimit publik. “Do të intensifikojmë punën tonë dhe do të koordinohemi me organet tjera të zbatimit të ligjit për të siguruar llogaridhënie dhe menaxhim të drejtë të fondeve publike. ZKA mbetet e përkushtuar për përmirësimin e qeverisjes publike”, tha z. Zuka.
Drejtuesit e lartë të institucioneve pjesëmarrëse prezantuan gjetjet kryesore të raporteve vjetore për vitin 2024. Gjatë konferencës u ndanë edhe përvojat e Rumanisë në funksionimin e komiteteve ndërministrore të prokurimit publik. Ekspertët e SIGMA-s trajtuan rëndësinë e përmirësimit të cilësisë dhe transparencës në përgatitjen e raporteve vjetore, ndërsa pjesëmarrësit ritheksuan përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e integritetit në sistemin e prokurimit publik.
