Auditorja e Përgjithshme uron kryetarin e KLSH-së për festën e 28 Nëntorit
Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, ka uruar Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Arben Shehu.
Znj. Spanca ka shprehur urimet më të përzemërta në emër të saj dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke theksuar se fryma e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe miqësor do të thellohet edhe më tej, në funksion të interesit publik dhe vlerave që na bashkojnë si një komb i vetëm. “Z. Shehu nën udhëheqjen tuaj, Kontrolli i Lartë i Shtetit vazhdon të jetë një partner i çmuar, i cili me vizion dhe integritet kontribuon në avancimin e praktikave më të mira të auditimit publik”, thuhet në urimin e znj. Spanca.
Auditorja e Përgjithshme, po ashtu ka uruar mbarë kombin shqiptar për 28 Nëntorin, duke thënë se kjo është dita ku historia jonë bëhet një.
“Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë! Ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari! Daljen në skenë të UÇK-së! Gëzuar Ditën e Forcës! 28 Nëntori është një ditë ku historia jonë bëhet një: Nga Kruja te Vlora, nga Prekazi te Tirana e Prishtina, nga gjaku i të parëve tek amaneti i brezave. Është dita që na kujton se shqiptarët, kudo që janë, ndajnë të njëjtin flamur, të njëjtën krenari dhe të njëjtën përgjegjësi për të ruajtur, ndërtuar dhe bashkuar atdheun”, ka shkruar znj. Spanca në profilin e saj në “Facebook”.
