Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/4/2025 11:29:00 AM

Auditorja e Përgjithshme thekson rëndësinë e besimit dhe pavarësisë institucionale në Seminarin Vjetor të Auditorëve në Dubrovnik

Nga 1 deri më 4 dhjetor 2025, në Dubrovnik të Kroacisë u mbajt Seminari Vjetor i Auditorëve ku morën pjesë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Agron Fetiu. Ky aktivitet u organizua nga Zyra Shtetërore e Auditimit të Kroacisë dhe bëri bashkë drejtues dhe zyrtarë të lartë të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet e rajonit dhe Bashkimi Evropian, përfshirë Sllovakinë, Maltën, Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën si dhe përfaqësues shtetërorë të Kroacisë.
Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, mbajti një fjalë rasti në hapje të punimeve të Seminarit, ku vuri në dukje rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në forcimin e besimit të qytetarëve, domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë institucionale dhe sfidat me të cilat përballen. “Sot, më shumë se kurrë, qytetarët kërkojnë institucione që jo vetëm flasin për integritet, por e mishërojnë atë. Pavarësia nuk është vetëm kërkesë ligjore, por shpesh, provë guximi”, tha znj. Spanca.
Duke iu referuar rezultateve të Barometrit Ballkanik, si një tregues i qartë i pavarësisë dhe profesionalizmit të institucionit, ajo tha se besimi i qytetarëve në punën e ZKA-së ka vazhduar të rritet. “Ne kemi punuar për të forcuar zërin tonë, profesionalizmin dhe lidhjen me publikun. Sfidat që hasim na motivojnë të zhvillohemi më tej, të mësojmë dhe t’i qëndrojmë besnik misionit tonë”, tha znj. Spanca. Ajo po ashtu nënvizoi nevojën për më shumë transparencë, komunikim më të qartë me publikun dhe forcim të sistemit të përcjelljes së zbatimit të rekomandimeve në sektorin publik.
Në mbyllje të fjalës së saj, znj. Spanca theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe besimin se bashkërisht mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për qytetarët.
Programi i seminarit përfshiu prezantime dhe diskutime mbi sfidat metodologjike të auditimit, si dhe sesione për risitë në sistemin e kontrollit të brendshëm dhe menaxhimin e financave publike.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA merr pjesë në punëtorinë e 8-të të EUROSAI-t për Analizën e të Dhënave, Efikasitetit dhe Metodat e Krahasimit

ZKA merr pjesë në punëtorinë e 8-të të EUROSAI-t për Analizën e të Dhënave, Efikasitetit dhe Metodat e Krahasimit

Ganimete Dalloshi, Shpresa Zenelaj dhe Besim Lezi, auditorë të Zyres Kombëtare të Auditimit morën pjesë në punëtorinë e 8-të të Grupit Punues të EUROSAI-t për Analizën e të Dhënave dhe Efikasitetit (DEA) dhe Metodat e Krahasimit, që u zhvillua me 27–28 nëntor, në Bukuresht të Rumanisë.
Në punëtori morën pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga Evropa, si dhe ekspertë të auditimit publik dhe studiues për të shkëmbyer përvoja mbi mënyrat moderne të matjes së efikasitetit dhe përdorimit të metodave analitike në auditim.
Programi dyditor ka përfshirë poashtu trajnim intensiv mbi analizën DEA dhe metoda të tjera të krahasimit, sesione praktike me aplikacionin pioneeR, të cilat ndihmojnë në matjen e efikasitetit dhe produktivitetit, si dhe diskutime mbi mënyrën se si konceptohen dhe zhvillohen auditimet e efikasitetit në sektorë të ndryshëm, përfshirë edhe atë të shëndetësisë.
Punëtoria është organizuar në kuadër të qëllimit të dytë strategjik të EUROSAI-t (SG2) nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Norvegjisë ndërsa nikoqir ishte Gjykata e Llogarive e Rumanisë.
Lexo më shumë
 Zhvillimi i kapaciteteve profesionale - fokus i takimit mes ZKA dhe CEF

Zhvillimi i kapaciteteve profesionale - fokus i takimit mes ZKA dhe CEF

Myrvete Gashi Morina, Ndihmës Auditore e Përgjithshme, dhe Alba Keqa Bejtullahu, Auditore e Performancës dhe pjesëmarrëse në programin WeLead, pritën në takim përfaqësuesit e Qendrës për Ekselencë në Financa (CEF), Robert Bauchmueller, Zyrtar Kryesor për Strategji në CEF dhe Nina Vujosevic, Konsulente për Menaxhimin e Financave Publike (PFM) dhe Reformat Ekonomike.

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme i njoftoi zyrtarët e CEF-it me rezultatet e punës audituese dhe prioritet e ZKA-së për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm profesional të stafit. Ajo po ashtu përcolli edhe vëmendjen e Auditores së Përgjithshme, znj. Vlora Spanca, ndaj rritjes së kapaciteteve profesionale në fusha me rëndësi të veçantë, si auditimi mjedisor dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në auditim.

Palët vlerësuan lartë bashkëpunimin ekzistues, duke theksuar se vetëm gjatë vitit të fundit rreth 30 zyrtarë të ZKA-së kanë marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga CEF.  

Përfaqësuesit e CEF-it njoftuan mbi orientimin e ri strategjik drejt zhvillimit të më shumë aktiviteteve në vendet përfituese, përfshirë edhe Kosovën, me fokus në aktivitete vjetore të përshtatura sipas nevojave specifike institucionale. Në takim u theksua edhe përfitimi dhe përvoja e auditores së ZKA-së, znj. Keqa Bejtullahu në programin WeLead, si dhe roli i këtij programi në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe motivimin e nëpunësve civilë.

Në përmbyllje, palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin përmes aktiviteteve me interes të përbashkët dhe shkëmbimit të ekspertizës profesionale.

 

Lexo më shumë