Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/9/2025 3:24:00 PM

Auditorja e Përgjithshme: Integriteti në prokurimin publik kërkon forcim të kontrollit të brendshëm, përdorim të plotë të e-prokurimit dhe zbatim të rekomandimeve të auditimit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën mori pjesë në cilësinë e panelistes në tryezën “Parandalimi i korrupsionit në prokurimin publik”, organizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në kuadër të aktivitetit vjetor Java e Integritetit. Tryeza pati për qëllim diskutimin mbi rolin dhe forcimin e mekanizmave për parandalimin e korrupsionit.

Auditorja e Përgjithshme tha se gjetjet e auditimit tregojnë se integriteti sfidohet në disa pika kritike të ciklit të prokurimit publik, dhe sfida më e madhe mbetet menaxhimi i kontratave. “Gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit tregojnë se integriteti në prokurim kërkon forcim të kontrollit të brendshëm, përdorim të plotë të platformës së e-prokurimit dhe zbatim më të madh të rekomandimeve të auditimit. Vetëm përmes një angazhimi të tillë të qëndrueshëm institucional mund të arrihen përmirësime reale në mbrojtjen e fondeve publike”, deklaroi znj. Spanca.

Auditorja e Përgjithshme njoftoi se, sipas rezultateve të auditimit, ka përmirësime në raportimin financiar dhe regjistrimin e  pasurisë. Megjithatë, sa i përket integritetit të prokurimit publik, përfshirë procedurat e negocimit, menaxhimin e kontratave dhe sinjalet e konfliktit të interesit, përparimet mbeten të kufizuara. “Zbatimi i rekomandimeve të ZKA-së mbetet një nga sfidat më të mëdha sistemike në sektorin publik, dhe ky tregues është kyç për të vlerësuar se sa efektivisht reagojnë institucionet ndaj gjetjeve të auditimit dhe sa seriozisht angazhohen në përmirësimin e qeverisjes së brendshme. Fatkeqësisht, të dhënat e dy viteve të fundit tregojnë një trend në ulje”, tha ajo.

Znj. Spanca, bëri thirrje për një angazhim më të madh dhe efektiv në parandalimin dhe luftimin e korrupsionin në prokurimin publik, duke u bazuar edhe në praktikat më të mira  ndërkombëtare. “Së bashku me institucionet tjera përgjegjëse për luftimin e korrupsionit duhet të veprojmë më shpejt, me fokus më të qartë dhe proaktivitet maksimal. Vetëm në këtë mënyrë mund të rrisim ndjeshëm transparencën, llogaridhënien dhe besueshmërinë e institucioneve tona”, theksoi ajo.

 

 

 

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

 Zhvillimi i kapaciteteve profesionale - fokus i takimit mes ZKA dhe CEF

Zhvillimi i kapaciteteve profesionale - fokus i takimit mes ZKA dhe CEF

Myrvete Gashi Morina, Ndihmës Auditore e Përgjithshme, dhe Alba Keqa Bejtullahu, Auditore e Performancës dhe pjesëmarrëse në programin WeLead, pritën në takim përfaqësuesit e Qendrës për Ekselencë në Financa (CEF), Robert Bauchmueller, Zyrtar Kryesor për Strategji në CEF dhe Nina Vujosevic, Konsulente për Menaxhimin e Financave Publike (PFM) dhe Reformat Ekonomike.

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme i njoftoi zyrtarët e CEF-it me rezultatet e punës audituese dhe prioritet e ZKA-së për ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm profesional të stafit. Ajo po ashtu përcolli edhe vëmendjen e Auditores së Përgjithshme, znj. Vlora Spanca, ndaj rritjes së kapaciteteve profesionale në fusha me rëndësi të veçantë, si auditimi mjedisor dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në auditim.

Palët vlerësuan lartë bashkëpunimin ekzistues, duke theksuar se vetëm gjatë vitit të fundit rreth 30 zyrtarë të ZKA-së kanë marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga CEF.  

Përfaqësuesit e CEF-it njoftuan mbi orientimin e ri strategjik drejt zhvillimit të më shumë aktiviteteve në vendet përfituese, përfshirë edhe Kosovën, me fokus në aktivitete vjetore të përshtatura sipas nevojave specifike institucionale. Në takim u theksua edhe përfitimi dhe përvoja e auditores së ZKA-së, znj. Keqa Bejtullahu në programin WeLead, si dhe roli i këtij programi në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe motivimin e nëpunësve civilë.

Në përmbyllje, palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin përmes aktiviteteve me interes të përbashkët dhe shkëmbimit të ekspertizës profesionale.

 

Lexo më shumë
Auditimi ka identifikuar mangësi në procesin e ndërtimit të objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në ShSKUK

Auditimi ka identifikuar mangësi në procesin e ndërtimit të objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në ShSKUK

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të pajtueshmërisë “Ndërtimi i objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për periudhën 2018 - qershor 2025.  

Auditimi ka vlerësuar pajtueshmërinë e procesit të ndërtimit të objektit me rregullat dhe kërkesat ligjore që nga procesi i buxhetimit dhe planifikimit, procedurat e tenderimit deri te menaxhimi i fondeve dhe implementimi i kontratës.

Procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në procesin e buxhetimit, tenderimit dhe menaxhimit të fondeve. Auditimi vë në pah mospërputhje në planifikimin buxhetor për ndërtimin e objektit për klinikat Hemato-Onkologji dhe Nefrologji, qasje të dyfishtë në hartimin e specifikave teknike, mospërputhje në mes të dokumentacionit teknik të projektit dhe paramasës, si dhe mangësi në procesin e vlerësimit të ofertës gjatë procesit të tenderimit dhe në procesin e menaxhimit të shpenzimeve.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se  mangësitë e evidentuara nga auditimi reflektojnë nevojën për qasje më sistematike dhe respektim të plotë të kornizës ligjore në zbatimin e projekteve. Kjo do të mundësojë rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit në menaxhimin e fondeve publike.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë pesë rekomandime për të përmirësuar dhe siguruar mbarëvajtjen e proceseve nga faza e planifikimit e deri te zbatimi i tyre. 

Raportin e plotë të auditimit të pajtueshmerisë  “Ndërtimi i Objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës e gjeni këtu.

Lexo më shumë