Auditorja e Përgjithshme: Integriteti në prokurimin publik kërkon forcim të kontrollit të brendshëm, përdorim të plotë të e-prokurimit dhe zbatim të rekomandimeve të auditimit
Auditorja e Përgjithshme tha se gjetjet e auditimit tregojnë se integriteti sfidohet në disa pika kritike të ciklit të prokurimit publik, dhe sfida më e madhe mbetet menaxhimi i kontratave. “Gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit tregojnë se integriteti në prokurim kërkon forcim të kontrollit të brendshëm, përdorim të plotë të platformës së e-prokurimit dhe zbatim më të madh të rekomandimeve të auditimit. Vetëm përmes një angazhimi të tillë të qëndrueshëm institucional mund të arrihen përmirësime reale në mbrojtjen e fondeve publike”, deklaroi znj. Spanca.
Auditorja e Përgjithshme njoftoi se, sipas rezultateve të auditimit, ka përmirësime në raportimin financiar dhe regjistrimin e pasurisë. Megjithatë, sa i përket integritetit të prokurimit publik, përfshirë procedurat e negocimit, menaxhimin e kontratave dhe sinjalet e konfliktit të interesit, përparimet mbeten të kufizuara. “Zbatimi i rekomandimeve të ZKA-së mbetet një nga sfidat më të mëdha sistemike në sektorin publik, dhe ky tregues është kyç për të vlerësuar se sa efektivisht reagojnë institucionet ndaj gjetjeve të auditimit dhe sa seriozisht angazhohen në përmirësimin e qeverisjes së brendshme. Fatkeqësisht, të dhënat e dy viteve të fundit tregojnë një trend në ulje”, tha ajo.
Znj. Spanca, bëri thirrje për një angazhim më të madh dhe efektiv në parandalimin dhe luftimin e korrupsionin në prokurimin publik, duke u bazuar edhe në praktikat më të mira ndërkombëtare. “Së bashku me institucionet tjera përgjegjëse për luftimin e korrupsionit duhet të veprojmë më shpejt, me fokus më të qartë dhe proaktivitet maksimal. Vetëm në këtë mënyrë mund të rrisim ndjeshëm transparencën, llogaridhënien dhe besueshmërinë e institucioneve tona”, theksoi ajo.
