Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/10/2025 3:56:00 PM

ZKA: Vetëm një rekomandim u zbatua nga raporti i auditimit “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin “Përcjellja e rekomandimeve për raportin e auditimit ‘Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021’”. Përcjellja ka vlerësuar nëse veprimet e ndërmarra nga komunat Gjakovë, Klinë, Viti dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) janë në përputhje me qëllimin dhe përmbajtjen e rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit të vitit 2024. 

Rezultatet e përcjelljes së zbatimit të rekomandimeve tregojnë se vetëm një rekomandim është zbatuar plotësisht, tri janë në fazën përfundimtare të zbatimit, dy kanë filluar të zbatohen ndërsa dy nuk janë adresuar fare. Konkluzioni i përcjelljes është se MAPL dhe komunat Gjakovë, Klinë dhe Viti kanë punuar për të adresuar rekomandimet, por zbatimi i plotë i tyre kërkon ende angazhim. 

Lidhur me këtë përcjellje të zbatimit të rekomandimeve, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se megjithëse MAPL dhe komunat kanë ende për të bërë në drejtim të zbatimit të rekomandimeve, auditimi i performancës kishte ndikim të dukshëm në përmirësimin e funksionimit të komunave dhe të MAPL-së, si dhe rekomandimet kanë nxitur ndërgjegjësim më të madh për transparencën, llogaridhënien dhe përdorimin të metodologjisë së njësuar në raportimin e performancës.

Raportin e plotë të përcjelljes së zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021” e gjeni këtu. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditimi ka identifikuar mangësi në procesin e ndërtimit të objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në ShSKUK

Auditimi ka identifikuar mangësi në procesin e ndërtimit të objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në ShSKUK

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të pajtueshmërisë “Ndërtimi i objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për periudhën 2018 - qershor 2025.  

Auditimi ka vlerësuar pajtueshmërinë e procesit të ndërtimit të objektit me rregullat dhe kërkesat ligjore që nga procesi i buxhetimit dhe planifikimit, procedurat e tenderimit deri te menaxhimi i fondeve dhe implementimi i kontratës.

Procesi i auditimit ka identifikuar mangësi në procesin e buxhetimit, tenderimit dhe menaxhimit të fondeve. Auditimi vë në pah mospërputhje në planifikimin buxhetor për ndërtimin e objektit për klinikat Hemato-Onkologji dhe Nefrologji, qasje të dyfishtë në hartimin e specifikave teknike, mospërputhje në mes të dokumentacionit teknik të projektit dhe paramasës, si dhe mangësi në procesin e vlerësimit të ofertës gjatë procesit të tenderimit dhe në procesin e menaxhimit të shpenzimeve.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se  mangësitë e evidentuara nga auditimi reflektojnë nevojën për qasje më sistematike dhe respektim të plotë të kornizës ligjore në zbatimin e projekteve. Kjo do të mundësojë rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit në menaxhimin e fondeve publike.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë pesë rekomandime për të përmirësuar dhe siguruar mbarëvajtjen e proceseve nga faza e planifikimit e deri te zbatimi i tyre. 

Raportin e plotë të auditimit të pajtueshmerisë  “Ndërtimi i Objektit për Klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës e gjeni këtu.

Lexo më shumë
Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në punëtorinë ndërkombëtare të EUROSAI-t në Stamboll

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në punëtorinë ndërkombëtare të EUROSAI-t në Stamboll

Nga 2 deri më 5 dhjetor 2025, në Stamboll u mbajt punëtoria e parë e organizuar në kuadër të Projekt Grupit për Aktivitetet e Zhvillimit të EUROSAI-t, ku morën pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Turqia, Gjeorgjia, Ukraina, Moldavia dhe Kazakistani.  

Drejtoresha e Departamentit për Auditim Financiar, Mjellma Dibra Morina,  Drejtoresha e Departamentit për Auditim të Performancës, Ariana Gjonbalaj Shala dhe Zyrtarja për Komunikim me Publikun, Shqipe Hetemi, përfaqësuan Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës në këtë aktivitet.   

Punëtoria u fokusua të ndikimi i auditimit duke përfshirë procesin që nga planifikimi, mbledhja e provave, vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i cilësisë deri te raportimi dhe komunikimi i rezultateve si dhe angazhimi me palët e interesit për të rritur ndikimin. Gjatë sesioneve të shumta interaktive, pjesëmarrësit shkëmbyen përvojat dhe praktikat e mira si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen.  

Përfaqësueset e ZKA-së kontribuan në diskutime lidhur me rëndësinë e auditimit të orientuar drejt rezultateve, si dhe në avancimin e metodologjive për forcimin e transparencës, komunikimit dhe sigurisë së cilësisë në proceset e auditimit.  

Projekt Grupi për Aktivitetet e Zhvillimit të EUROSAI-t udhëhiqet nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë dhe ka për qëllim të mbështet Institucionet Supreme të Auditimit nga rajoni për të adresuar nevojat për zhvillim. Fushat për zhvillim do të caktohen në bashkëpunim me ISA-t pjesëmarrëse.  

Lexo më shumë