ZKA-ja mori pjesë në takimin e 7-të të Nënkomitetit BE–Kosovë për Ekonomi, Çështje Financiare dhe Statistika të mbajtur në Bruksel
Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Muhamet Balaj ka marrë pjesë në takimin e 7-të të Nënkomitetit BE–Kosovë për Ekonomi, Çështje Financiare dhe Statistika, mbajtur më 25 nëntor 2025 në Bruksel. Takimi i 7-të vjetor pati në fokus diskutimin e zhvillimeve makroekonomike, buxhetore dhe statistike, si dhe për monitorimin e progresit të reformave në fushën e kontrollit financiar dhe auditimit të jashtëm.
Z. Balaj prezantoi gjetjet kryesore nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2024, duke theksuar nivelin e zbatimit të rekomandimeve nga organizatat buxhetore, si dhe rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në avancimin e transparencës dhe llogaridhënies publike në Kosovë. Në takim u diskutua edhe për procesin e reformave të parapara me ligjin e ri për Auditorin e Përgjithshëm dhe aktet nënligjore. Nga ana tjetër përfaqësuesit e BE-së ngritën shqetësimin e tyre për vonesat në procedimin e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe nivelin e rekomandimeve të pazbatuara.
