Spanca: Zbatimi i rekomandimeve të auditimit është thelbësor për qeverisje të mirë dhe integritet institucional
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten mori pjesë në tryezën vjetore “Progresi dhe sfidat në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit”, organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Tryeza pati për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike.
Takimi u hap nga Sekretarja e Përgjithshme e MPB-së, znj. Fahrije Tërnava-Sheremeti, e cila theksoi rëndësinë e takimeve ndërmjet institucioneve të pavarura dhe institucioneve qeveritare për të reflektuar mbi progresin por edhe sfidat në zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe gjetjen e modaliteteve adekuate për avancimin e bashkëpunimit dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies se institucioneve shtetërore.
Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca prezantoi nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit nga institucionet dhe theksoi nevojën për mekanizma më të qëndrueshëm të llogaridhënies. Ajo rikujtoi se zbatimi i rekomandimeve të auditimit është thelbësor për qeverisje të mirë dhe integritet institucional. “Zbatimi i rekomandimeve nuk është vetëm kërkesë formale por është një investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimeve publike dhe në besimin qytetar ndaj institucioneve”, deklaroi znj. Spanca.
Auditorja e Përgjithshme tha se aktualisht niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit nuk është në nivelin e duhur, prandaj u bëri thirrje institucioneve që të angazhohen më shumë për zbatimin e tyre.
Tryeza u përmbyll me konkluzione dhe rekomandime për avancimin e mëtejmë të praktikave të monitorimit dhe transparencës.
