Prokuroria e Shtetit dhe ZKA-ja angazhohen për thellim të bashkëpunimit në funksion të forcimit të llogaridhënies dhe sundimit të ligjit
Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), Minire Begaj – Balaj dhe UD e Udhëheqëses së Njësisë Kundër Mashtrimeve, Natyra Kasumaj - Ahmeti të mërkurën u pritën në takim nga Prokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, njëherësh koordinator për raste të auditimit. Pjesë e këtij takimi ishte edhe përfaqësuesi i UNDP-së Mato Meyer.
Takimi pati për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të përmirësuar koordinimin e trajtimit të rasteve të keqpërdorimit të fondeve publike.
Znj. Begaj – Balaj e informoi Prokurorin e Shtetit lidhur me aktivitetet që do të realizohen në kuadër të projektit “Luftimi i Korrupsionit dhe Krimit Financiar” i cili po zbatohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe UNDP-së.
Z. Hyseni vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të strukturuar me ZKA-në, duke theksuar se referimet cilësore dhe komunikimi i rregullt ndërmjet institucioneve janë thelbësore për hetimin dhe ndjekjen efektive të rasteve të korrupsionit dhe krimit financiar.
Palët konfirmuan përkushtimin për vazhdim të bashkëpunimit në funksion të forcimit të llogaridhënies dhe sundimit të ligjit si dhe aktivitetet të realizohen në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.
