Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/23/2026 8:50:00 AM

ZKA mori pjesë në punëtorinë ndërkombëtare për auditimin e performancës të mbajtur në Stokholm

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, morën pjesë në “Punëtorinë për Menaxherët e auditimit të performancës” të organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë nga 16 - 20 shkurt 2026 në Stokholm. Punëtoria mblodhi menaxherë dhe ekspertë të auditimit të performancës nga 19 Institucione Supreme të Auditimit nga vendet e ndryshme të botës. Aktiviteti pati për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e praktikave profesionale dhe udhëheqëse në fushën e lidershipit me theks në auditimet e performances. 

Pjesëmarrësit trajtuan tema lidhur me rritjen e ndikimit të auditimit të performancës, përmirësimin e cilësisë së raporteve, përdorimin e metodave sasiore dhe cilësore, si dhe forcimin e lidershipit dhe menaxhimit në procesin e auditimit. Në këtë kuadër, u diskutuan aspekte të rëndësishme të modeleve të lidershipit, sigurisë emocionale si dhe roli i inteligjencës artificiale, sfidat dhe mundësitë që ato sjellin për auditimin modern. 

Gjithashtu pjesëmarrësit realizuan edhe një vizitë në ambientet e punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë për t’u njohur nga afër me praktikat dhe qasjen e saj në auditimin e performancës.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Mbahet Takimi Rajonal i Punës “Fuqizimi i grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse”

Mbahet Takimi Rajonal i Punës “Fuqizimi i grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse”

Të enjten në Tiranë u mbajt Takimi Rajonal i Punës “Fuqizimi i grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse” në mes të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSh), Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) si dhe Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e UN Women. 

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në këtë takim u përfaqësua nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, Drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Ariana Gjonbalaj Shala, si dhe auditoret seniore Ylfete Osmani dhe Ardiana Myftari, të cilat janë duke e realizuar auditimin paralel.   

Takimi Rajonal i Punës pati për qëllim diskutimin dhe prezantimin e gjetjeve paraprake të auditimit të përbashkët/paralel të performancës. Gjatë punëtorisë dyditore, përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga të tria vendet u  dakorduan për hapat e radhës drejt fazës së raportimit, planifikimin e komunikimit të procesit dhe gjetjeve të auditimit, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse dhe UN Women.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Maltës

Auditorja e Përgjithshme vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Maltës

Me 24 dhe 25 shkurt 2026, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani dhe Shefja e Kabinetit, Shqipe Çavdarbasha, vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Maltës dhe u prit në takim nga Auditorit i Përgjithshëm, Charles Deguara me bashkëpunëtorë. Vizita dyditore pati për qëllim avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe shkëmbimin e përvojave profesionale.  

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në menaxhimin e financave publike dhe qeverisjes. “Edhe pse vendet tona dallojnë për nga relievi, ne jemi të bashkuar nga një qëllim: t’u shërbejmë qytetarëve tanë me integritet, profesionalizëm dhe pavarësi. Institucionet tona kanë një përgjegjësi jetike në forcimin e llogaridhënies, rritjen e transparencës dhe ndërtimin e besimit publik. Vlera e vërtetë e punës sonë arrihet kur rekomandimet tona sjellin përmirësime të qëndrueshme dhe konkrete”, deklaroi znj. Spanca. 

Përfaqësuesit e dy institucioneve mbajtën sesione të përbashkëta pune ku prezantuan praktikat dhe përvojat e tyre mbi auditimin e performancës, lidershipin, organizimin institucional, strategjinë e komunikimit, rishikimin nga kolegët (SIGMA Peer Review 2023), si dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve. 

Auditorët e Përgjithshëm nga të dyja vendet në përmbyllje të vizitës riafirmuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave profesionale në funksion të forcimit të rolit dhe ndikimit të auditimit publik në Kosovë dhe Maltë. 

Lexo më shumë