Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/26/2026 10:10:00 AM

Auditorja e Përgjithshme vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Maltës

Me 24 dhe 25 shkurt 2026, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani dhe Shefja e Kabinetit, Shqipe Çavdarbasha, vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Maltës dhe u prit në takim nga Auditorit i Përgjithshëm, Charles Deguara me bashkëpunëtorë. Vizita dyditore pati për qëllim avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe shkëmbimin e përvojave profesionale.  

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në menaxhimin e financave publike dhe qeverisjes. “Edhe pse vendet tona dallojnë për nga relievi, ne jemi të bashkuar nga një qëllim: t’u shërbejmë qytetarëve tanë me integritet, profesionalizëm dhe pavarësi. Institucionet tona kanë një përgjegjësi jetike në forcimin e llogaridhënies, rritjen e transparencës dhe ndërtimin e besimit publik. Vlera e vërtetë e punës sonë arrihet kur rekomandimet tona sjellin përmirësime të qëndrueshme dhe konkrete”, deklaroi znj. Spanca. 

Përfaqësuesit e dy institucioneve mbajtën sesione të përbashkëta pune ku prezantuan praktikat dhe përvojat e tyre mbi auditimin e performancës, lidershipin, organizimin institucional, strategjinë e komunikimit, rishikimin nga kolegët (SIGMA Peer Review 2023), si dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve. 

Auditorët e Përgjithshëm nga të dyja vendet në përmbyllje të vizitës riafirmuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave profesionale në funksion të forcimit të rolit dhe ndikimit të auditimit publik në Kosovë dhe Maltë. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA mori pjesë në punëtorinë ndërkombëtare për auditimin e performancës të mbajtur në Stokholm

ZKA mori pjesë në punëtorinë ndërkombëtare për auditimin e performancës të mbajtur në Stokholm

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, morën pjesë në “Punëtorinë për Menaxherët e auditimit të performancës” të organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë nga 16 - 20 shkurt 2026 në Stokholm. Punëtoria mblodhi menaxherë dhe ekspertë të auditimit të performancës nga 19 Institucione Supreme të Auditimit nga vendet e ndryshme të botës. Aktiviteti pati për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e praktikave profesionale dhe udhëheqëse në fushën e lidershipit me theks në auditimet e performances. 

Pjesëmarrësit trajtuan tema lidhur me rritjen e ndikimit të auditimit të performancës, përmirësimin e cilësisë së raporteve, përdorimin e metodave sasiore dhe cilësore, si dhe forcimin e lidershipit dhe menaxhimit në procesin e auditimit. Në këtë kuadër, u diskutuan aspekte të rëndësishme të modeleve të lidershipit, sigurisë emocionale si dhe roli i inteligjencës artificiale, sfidat dhe mundësitë që ato sjellin për auditimin modern. 

Gjithashtu pjesëmarrësit realizuan edhe një vizitë në ambientet e punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë për t’u njohur nga afër me praktikat dhe qasjen e saj në auditimin e performancës.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme takoi Avokatin e Popullit të Maltës

Auditorja e Përgjithshme takoi Avokatin e Popullit të Maltës

Gjatë qëndrimit në Maltë, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca është pritur në takim nga Avokati i Popullit Judge Emeritus Joseph Zammit McKeon, me të cilin bisedoi për rolin e institucioneve të pavarura në forcimin e llogaridhënies dhe besimit publik.  

Auditorja e Përgjithshme dhe Avokati i Popullit diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të institucioneve të mbikëqyrjes kushtetuese në forcimin e llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë. Ata theksuan se mbikëqyrja e pavarur, dialogu institucional dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten shtylla thelbësore në forcimin e qeverisjes demokratike. 

Avokati i Popullit e njoftoi znj. Spanca për bashkëpunimin e mirë në mes të Zyrës së Avokatit të Popullit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Maltës, duke përfshirë memorandumin e tyre të mirëkuptimit dhe iniciativat e përbashkëta. Po ashtu ai përmendi edhe bashkëpunimin e mirë që ka Zyra e  Avokatit të Popullit në Maltë me  Institucionin e Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e informoi Avokatin e Popullit lidhur me rolin dhe mandatin e ZKA-së si dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve të pavarura për forcimin e llogaridhënies dhe besimit publik.  Pjesë e këtij takimi ishte edhe Auditori i Përgjithshëm i Maltës, Charles Deguara. 

Lexo më shumë