Kryetari i KLSh-së vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës
Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, të martën priti në takim Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSh), me bashkëpunëtorë. Në takim u vlerësua bashkëpunimi shumë i mirë ndër vite ndërmjet ZKA-së dhe KLSh-së, i ndërtuar mbi profesionalizëm, besim dhe mbështetje të ndërsjellë.
Spanca dhe Shehu u zotuan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional, me theks të veçantë në realizimin e auditimeve paralele në fushën e bujqësisë, blegtorisë, si dhe të sigurisë në vend. Deri më tani janë realizuar disa auditime paralele, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetin e dy institucioneve për të koordinuar qasje dhe metodologji të përbashkëta.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve ka qenë i qëndrueshëm dhe përmbajtjesor, duke shtuar se shkëmbimi i përvojave dhe mbështetja profesionale ndërmjet dy institucioneve ka kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e rolit të institucioneve në shërbim të llogaridhënies publike. Po ashtu, palët theksuan lidhjen e veçantë që i bashkon si pjesë e të njëjtit komb, çka e bën bashkëpunimin jo vetëm institucional, por edhe natyrshëm të afërt në misionin për forcimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë.
Pjesë e takimit nga ZKA ishin edhe Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Zukë Zuka, Emine Fazliu, Agron Fetiu, Myrvete Gashi Morina, si dhe Drejtori i Përgjithshëm, Safet Berisha. Ndërsa nga KLSH ishin Drejtoresha e Departamentit të Sigurimit të Cilësisë dhe Zbatimit të Standardeve, Joniada Gocaj, Drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit, Joana Troqe, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore, Agron Halili, Drejtoresha e Departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Xhesila Nano, si dhe këshilltari Ardian Myslimaj.
