ZKA dhe Prokuroria e Shtetit thellojnë bashkëpunimin në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit të mërkurën mbajtën punëtorinë “Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale”, me qëllim të përmirësimit të koordinimit, shkëmbimit të informacionit, dokumentimit dhe referimit të dyshimeve për vepra penale në funksion të rritjes së llogaridhënies dhe sundimit të ligjit.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se kjo punëtori është vazhdimësi e përpjekjeve të ZKA-së në parandalimin dhe luftën kundër keqpërdorimit të parasë publike. Ai theksoi se puna dhe kontributi i përbashkët në parandalimin e korrupsionit është e vetmja mënyrë që të sigurohet ruajtja dhe menaxhimi i mirë i parasë së taksapaguesve, dhe kjo arrihet duke promovuar dhe nxitur llogaridhënien dhe transparencën publike. Z. Halilaj tha se ZKA vazhdon të kontribuojë fuqishëm për të siguruar që institucionet publike mbahen përgjegjëse për veprimet e tyre në menaxhimin e parasë dhe pasurisë publike.
Prokurori i Shtetit, njëherësh koordinator për raste të auditimit, Bahri Hyseni, tha se janë në rrugë të drejtë për të pasur progres dhe avancim në trajtimin e çështjeve që vijnë nga Auditori i Përgjithshëm. Ai theksoi se takimet e tilla janë të mirëseardhura dhe i shërbejnë qëllimit të përbashkët për ruajtjen e parasë publike në interes të qytetarëve dhe vendit tonë.
Përfaqësuesja e UNDP-së, Fjolla Arifi Luzha, përgëzoi organizatorët për mbajtjen e punëtorisë dhe rikonfirmoi mbështetjen edhe për takimet e ardhshme në kuadër të Projektit “Luftimi i Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Gjatë sesionit të parë të punëtorisë u trajtua kuadri institucional dhe standardet për identifikimin e dyshimeve për vepra penale, ku u theksua roli i auditimit në evidentimin e shkeljeve me elemente penale, standardet e dokumentimit dhe procedurat e referimit nga perspektiva institucionale. Sesioni i dytë u fokusua në qasjen e Prokurorisë ndaj referimeve dhe kuadrin ligjor për vlerësimin e elementeve të veprës penale, ku u diskutuan sfidat e klasifikimit juridik të gjetjeve të auditimit dhe elementet minimale që duhet të përmbajë një dosje referimi.
Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit në ZKA, Minire Begaj Balaj, në përmbyllje të punëtorisë tha se konkluzionet e kësaj tryeze do të shërbejnë si bazë për koordinim më të strukturuar dhe më efektiv në të ardhmen në identifikimin, dokumentimin dhe referimin e rasteve me elemente penale.
