Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/26/2026 3:24:00 PM

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në aktivitetin rajonal për llogaridhënien buxhetore

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të mërkurën në Tiranë mori pjesë në aktivitetin rajonal “Nga Pajtueshmëria te Besueshmëria: Forcimi i Llogaridhënies Buxhetore në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, organizuar nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit. 

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile nga rajoni të cilët shkëmbyen përvojat e tyre dhe diskutuan për reformat e nevojshme për përmirësimin e qeverisjes financiare. 

Gjatë këtij aktiviteti u prezantuan gjetjet rajonale të Anketës së Buxhetit të Hapur 2025 dhe u diskutuan sfidat dhe mundësitë për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies buxhetore në vendet e rajonit. 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ishte panelist në Panelin 2 – “Pse boshllëqet e llogaridhënies kanë rëndësi tani: Buxhetet nën presion”, ku ndau përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit në adresimin e boshllëqeve të llogaridhënies si dhe theksoi rolin e auditimit në rritjen e besimit publik ndaj menaxhimit të financave publike. 

Z. Halilaj me theks të veçantë prezantoi para të pranishmëve nivelin e mbikëqyrjes efektive në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të auditimit, por edhe praktikat e mira të ZKA-së në bashkëpunimin me shoqërinë civile në ndikimin e vendimeve për planifikimin dhe menaxhimin buxhetor. 

Në këtë aktivitet nga ZKA-ja mori pjesë edhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Blerim Kabashi.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA dhe PEFA diskutojnë për vlerësimin e ri të financave publike

ZKA dhe PEFA diskutojnë për vlerësimin e ri të financave publike

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Myrvete Gashi Morina dhe Drejtori për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Muhamet Balaj të hënën priten në takim ekipin nga Programi i Shpenzimeve Publike  dhe Llogaridhënies Financiare – PEFA, kryesuar nga Nadia Trkić, Alban Kaçiu dhe Ardiana Gashi. 

Qëllimi i takimit ishte diskutimi  mbi  vlerësimin e ri të PEFA  2022–2024, me theks të veçantë në ndikimet klimatike dhe buxhetimin gjinor. Gjatë diskutimeve  u trajtuan  tema të rëndësishme që lidhen me  auditimet e performancës, përputhshmërinë e buxhetit me politikat klimatike, si dhe mënyrën se si auditimet adresojnë udhëzimet buxhetore dhe shpenzimet lidhur me klimën. 

Po ashtu u diskutua edhe për auditimin e performancës klimatike, vlerësimin e rezultateve të shpenzimeve dhe aspektet e decentralizimit që ndërlidhën me çështjet klimatike.   

Takimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e financave publike në vend.

Lexo më shumë
 ZKA-ja ndër më të mirat në rajon për mbikëqyrjen e buxhetit sipas Anketës të Buxhetit të Hapur 2025

ZKA-ja ndër më të mirat në rajon për mbikëqyrjen e buxhetit sipas Anketës të Buxhetit të Hapur 2025

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) mirëpret rezultatet e Anketës së Buxhetit të Hapur për vitin 2025 (OpenBudget Survey) për Kosovën, të publikuara nga International Budget Partnership (IBP), e realizuar nga Instituti GAP si partner i IBP-së. Për më shumë se 120 shtete në botë OBS në formë të pavarur vlerësoi tri fusha kryesore të qeverisjes dhe llogaridhënies që përfshin transparencën buxhetore, mbikëqyrjen legjislative dhe auditimin e pavarur si dhe pjesëmarrjen publike të qytetarëve.  

Rezultatet e OBS 2025 tregojnë se Kosova ka arritur t’i shënojë 57 pikë nga 100 gjithsej në fushën e transparencës buxhetore, ku vlerësohen vendet se sa të qasshme dhe gjithëpërfshirëse e kanë përmbajtjen e dokumenteve buxhetore. Në vlerësimin për pjesëmarrjen e qytetarëve, Kosova vlerësohet me 32 pikë gjithsej. Kjo tregon një performancë më të mirë në krahasim me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, e cila vjen më shumë për shkak të mekanizmave ligjor dhe proceseve të strukturuara që sigurojnë konsultime publike nga niveli lokal.  

Sa i përket mbikëqyrjes buxhetore nga legjislativi dhe auditimit të pavarur, Kosova ka një rezultat prej 61 pikësh. Tek mbikëqyrja nga Kuvendi, Kosova është vlerësuar me 50 pikë, kurse mbikëqyrja nga Zyra Kombëtare e Auditimit është vlerësuar me 84 pikë duke u renditur ndër shtetet e rajonit me performancën më të mirë.

Ky vlerësim tregon se ZKA ofron mbikëqyrje të lartë gjatë procesit të buxhetit. Po ashtu, edhe te pjesëmarrja publike ZKA ka kontribuar në vlerësime më të larta për shkak të përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve. ZKA ka bashkëpunim të mirë me OSHC dhe në baza vjetore organizon tryeza diskutimi për propozimin e temave të auditimeve të performancës të cilat pastaj mund të përfshihen në Planin Vjetor të Auditimit. Po ashtu performanca e ZKA-së është në përputhje me standardet ndërkombëtare duke kryer auditime financiare, të pajtueshmërisë dhe të performancës me kapacitet të plotë profesional dhe në përmbushje të mandatit të saj. OBS gjithashtu vlerëson se ZKA përmes auditimeve mbulon të gjitha shpenzimet e institucioneve duke treguar nivel të lartë të mbikëqyrjes financiare. Edhe sa i përket pavarësisë institucionale, ZKA vlerësohet pozitivisht duke përfshirë emërimin e Auditorit të Përgjithshëm nga Kuvendi i Kosovës. Nga këndvështrimi i cilësisë dhe llogaridhënies, proceset e auditimit të ZKA-së janë rishikuar nga agjenci të pavarura ndërkombëtare të cilat kanë konstatuar përputhshmëri me standardet ndërkombëtare të auditimit. 

Për më shumë informata: https://internationalbudget.org/open-budget-survey/country-results/2025/kosovo

Lexo më shumë