Zëvendës Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në aktivitetin rajonal për llogaridhënien buxhetore
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të mërkurën në Tiranë mori pjesë në aktivitetin rajonal “Nga Pajtueshmëria te Besueshmëria: Forcimi i Llogaridhënies Buxhetore në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, organizuar nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile nga rajoni të cilët shkëmbyen përvojat e tyre dhe diskutuan për reformat e nevojshme për përmirësimin e qeverisjes financiare.
Gjatë këtij aktiviteti u prezantuan gjetjet rajonale të Anketës së Buxhetit të Hapur 2025 dhe u diskutuan sfidat dhe mundësitë për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies buxhetore në vendet e rajonit.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ishte panelist në Panelin 2 – “Pse boshllëqet e llogaridhënies kanë rëndësi tani: Buxhetet nën presion”, ku ndau përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit në adresimin e boshllëqeve të llogaridhënies si dhe theksoi rolin e auditimit në rritjen e besimit publik ndaj menaxhimit të financave publike.
Z. Halilaj me theks të veçantë prezantoi para të pranishmëve nivelin e mbikëqyrjes efektive në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të auditimit, por edhe praktikat e mira të ZKA-së në bashkëpunimin me shoqërinë civile në ndikimin e vendimeve për planifikimin dhe menaxhimin buxhetor.
Në këtë aktivitet nga ZKA-ja mori pjesë edhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Blerim Kabashi.
