ZKA-ja ndër më të mirat në rajon për mbikëqyrjen e buxhetit sipas Anketës të Buxhetit të Hapur 2025
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) mirëpret rezultatet e Anketës së Buxhetit të Hapur për vitin 2025 (OpenBudget Survey) për Kosovën, të publikuara nga International Budget Partnership (IBP), e realizuar nga Instituti GAP si partner i IBP-së. Për më shumë se 120 shtete në botë OBS në formë të pavarur vlerësoi tri fusha kryesore të qeverisjes dhe llogaridhënies që përfshin transparencën buxhetore, mbikëqyrjen legjislative dhe auditimin e pavarur si dhe pjesëmarrjen publike të qytetarëve.
Rezultatet e OBS 2025 tregojnë se Kosova ka arritur t’i shënojë 57 pikë nga 100 gjithsej në fushën e transparencës buxhetore, ku vlerësohen vendet se sa të qasshme dhe gjithëpërfshirëse e kanë përmbajtjen e dokumenteve buxhetore. Në vlerësimin për pjesëmarrjen e qytetarëve, Kosova vlerësohet me 32 pikë gjithsej. Kjo tregon një performancë më të mirë në krahasim me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, e cila vjen më shumë për shkak të mekanizmave ligjor dhe proceseve të strukturuara që sigurojnë konsultime publike nga niveli lokal.
Sa i përket mbikëqyrjes buxhetore nga legjislativi dhe auditimit të pavarur, Kosova ka një rezultat prej 61 pikësh. Tek mbikëqyrja nga Kuvendi, Kosova është vlerësuar me 50 pikë, kurse mbikëqyrja nga Zyra Kombëtare e Auditimit është vlerësuar me 84 pikë duke u renditur ndër shtetet e rajonit me performancën më të mirë.
Ky vlerësim tregon se ZKA ofron mbikëqyrje të lartë gjatë procesit të buxhetit. Po ashtu, edhe te pjesëmarrja publike ZKA ka kontribuar në vlerësime më të larta për shkak të përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve. ZKA ka bashkëpunim të mirë me OSHC dhe në baza vjetore organizon tryeza diskutimi për propozimin e temave të auditimeve të performancës të cilat pastaj mund të përfshihen në Planin Vjetor të Auditimit. Po ashtu performanca e ZKA-së është në përputhje me standardet ndërkombëtare duke kryer auditime financiare, të pajtueshmërisë dhe të performancës me kapacitet të plotë profesional dhe në përmbushje të mandatit të saj. OBS gjithashtu vlerëson se ZKA përmes auditimeve mbulon të gjitha shpenzimet e institucioneve duke treguar nivel të lartë të mbikëqyrjes financiare. Edhe sa i përket pavarësisë institucionale, ZKA vlerësohet pozitivisht duke përfshirë emërimin e Auditorit të Përgjithshëm nga Kuvendi i Kosovës. Nga këndvështrimi i cilësisë dhe llogaridhënies, proceset e auditimit të ZKA-së janë rishikuar nga agjenci të pavarura ndërkombëtare të cilat kanë konstatuar përputhshmëri me standardet ndërkombëtare të auditimit.
Për më shumë informata: https://internationalbudget.org/open-budget-survey/country-results/2025/kosovo
