Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/7/2026 4:11:00 PM

ZKA mori pjesë në programin rajonal të certifikimit “Menaxhimi i angazhimeve forenzike në sektorin publik”

Me 31 mars dhe 1 prill 2026 në Lubjanë të Sllovenisë, Ud. Udhëheqëse e Njësisë Kundër Mashtrimeve, Natyra Kasumaj Ahmeti, Auditorja Seniore e TI-së, Poliksena Berisha dhe Auditor i Performancës, Lirak Mulliqi, morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të programit rajonal të certifikimit “Menaxhimi i angazhimeve forenzike në sektorin publik”, organizuar nga Qendra për Ekselencë në Financa (CEF) në bashkëpunim me CIPFA. Programi synon forcimin e integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies në financat publike. 

Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë 22 pjesëmarrës të cilët përfunduan me sukses programin rajonal të certifikimit, ku përmes prezantimeve, shkëmbimit të përvojave dhe ushtrimeve konkrete u thelluan njohuritë në zbulimin e mashtrimeve, forenzikën digjitale dhe komunikimin hetimor, me fokus në aplikimin e tyre në situata reale dhe në zhvillimin e aftësive profesionale të komunikimit. 

Në punëtorinë praktike “Trajnimi për Trajner” pjesëmarrësit përmes disa prezantimeve dhe punës praktike shkëmbyen njohuritë dhe përvojat e tyre lidhur me aftësitë e komunikimit dhe facilitimit. 

Një arritje e veçantë e ZKA-së në këtë program ishte përzgjedhja e punimit të Auditores Seniore të TI-së Poliksena Berisha ndër tre punimet më të mira, i cili më pas u prezantua para të pranishmëve. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Tre auditorë të ZKA-së certifikohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë në Programin e Trajnimit për Auditim të Performancës

Tre auditorë të ZKA-së certifikohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë në Programin e Trajnimit për Auditim të Performancës

Nga 23 deri më 27 mars 2026, në Stokholm të Suedisë u mbajt moduli përmbyllës i programit të trajnimit njëvjeçar për auditim të performancës, i cili përfundoi me certifikimin e pjesëmarrësve të suksesshëm. 

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës në këtë program morën pjesë dhe u certifikuan auditorët Edona Abazi, Gazmend Namani dhe Gëzim Krasniqi. Ndërsa Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës, Arben Selimi, mori pjesë si fasilitues (trajner), duke ofruar ekspertizën dhe përvojën e tij me auditorët e rinj nga vendet e rajonit dhe disa vende të Evropës lindore. 

Me rastin e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit, Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, theksoi se është shumë krenare për arritjet e auditorëve të rinj, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në programin njëvjeçar të trajnimit dhe rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve për auditimin e performancës në kuadër të procesit të integrimit evropian. 

Cikli njëvjeçar i trajnimit për auditimin e performancës është zhvilluar dhe mbështetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë në kuadër të Grupit të Përbashkët Punues për Aktivitetet e Auditimit për vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Programi ka përfshirë gjashtë module njëjavore dhe shërbeu si platformë për zhvillim profesional dhe forcim të kapaciteteve të Institucioneve Supreme të Auditimit në fushën e auditimit të performancës.

Certifikimi i auditorëve në këtë program përfaqëson hap të rëndësishëm drejt fuqizimit profesional dhe institucional. Me këtë rast, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca përgëzon auditorët për përfundimin me sukses të programit. “Investimi në zhvillimin profesional të stafit është thelbësor për rritjen e cilësisë së auditimit dhe forcimin e rolit të institucionit. Njohuritë e fituara do të kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e auditimit të performancës dhe në rritjen e ndikimit të punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit”, u shpreh Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca. 

Lexo më shumë
 Auditorja e Përgjithshme prezanton qasjen e ZKA-së në punëtorinë rajonale mbi auditimin mjedisor dhe auditimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Auditorja e Përgjithshme prezanton qasjen e ZKA-së në punëtorinë rajonale mbi auditimin mjedisor dhe auditimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Me 8 dhe 9 prill 2026 Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit të TI-së, Samir Zymberi morën pjesë në punëtorinë rajonale “Auditimi mjedisor dhe auditimi i objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”, organizuar në Shkup nga Zyra Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me SIGMA. 

Punëtoria mblodhi drejtues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet e rajonit për të diskutuar praktikat më të mira në auditimin e ndryshimeve klimatike, përvojat në realizimin e auditimeve mjedisore, si dhe rolin e auditimit në forcimin e llogaridhënies publike dhe mbështetjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. 

Në kuadër të paneleve të diskutimit u trajtuan çështjet si: përcaktimi i temave dhe fushëveprimit të auditimit, përzgjedhja e qasjeve të përshtatshme të auditimit, raportimi i qëndrueshmërisë në sektorin publik, si dhe prezantimi i gjetjeve konkrete të auditimeve nga vendet pjesëmarrëse. 

Në këtë kuadër, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në auditimin e performancës për parandalimin e përmbytjeve dhe reagimin emergjent, duke theksuar përdorimin e qasjes sistemore në auditim. Kjo qasje mundëson vlerësimin e funksionimit të tërë sistemit publik që nga parandalimi dhe përgatitja deri te reagimi.   

Gjatë prezantimit znj. Spanca theksoi se menaxhimi efektiv i rreziqeve klimatike kërkon koordinim ndërinstitucional dhe kapacitete të qëndrueshme në të gjitha nivelet e qeverisjes. Auditorja e Përgjithshme tregoi se auditimi ka evidentuar mangësi në dokumentet strategjike, në përditësimin e vlerësimeve të rrezikut, në sistemet e të dhënave, si dhe në kapacitetet njerëzore dhe teknike për reagim ndaj emergjencave. 

Njëkohësisht znj. Spanca tha se kombinimi i qasjes sistemore me analizën e rezultateve dhe identifikimin e problemeve konkrete e bën auditimin më efektiv në vlerësimin e gatishmërisë dhe funksionimit të institucioneve përballë rreziqeve mjedisore dhe klimatike. 

Lexo më shumë