ZKA mori pjesë në programin rajonal të certifikimit “Menaxhimi i angazhimeve forenzike në sektorin publik”
Me 31 mars dhe 1 prill 2026 në Lubjanë të Sllovenisë, Ud. Udhëheqëse e Njësisë Kundër Mashtrimeve, Natyra Kasumaj Ahmeti, Auditorja Seniore e TI-së, Poliksena Berisha dhe Auditor i Performancës, Lirak Mulliqi, morën pjesë në ceremoninë e diplomimit të programit rajonal të certifikimit “Menaxhimi i angazhimeve forenzike në sektorin publik”, organizuar nga Qendra për Ekselencë në Financa (CEF) në bashkëpunim me CIPFA. Programi synon forcimin e integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies në financat publike.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë 22 pjesëmarrës të cilët përfunduan me sukses programin rajonal të certifikimit, ku përmes prezantimeve, shkëmbimit të përvojave dhe ushtrimeve konkrete u thelluan njohuritë në zbulimin e mashtrimeve, forenzikën digjitale dhe komunikimin hetimor, me fokus në aplikimin e tyre në situata reale dhe në zhvillimin e aftësive profesionale të komunikimit.
Në punëtorinë praktike “Trajnimi për Trajner” pjesëmarrësit përmes disa prezantimeve dhe punës praktike shkëmbyen njohuritë dhe përvojat e tyre lidhur me aftësitë e komunikimit dhe facilitimit.
Një arritje e veçantë e ZKA-së në këtë program ishte përzgjedhja e punimit të Auditores Seniore të TI-së Poliksena Berisha ndër tre punimet më të mira, i cili më pas u prezantua para të pranishmëve.
