Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/10/2026 3:49:00 PM

Auditorja e Përgjithshme takon homologun nga Turqia, diskutohet bashkëpunimi i mëtejmë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, takoi Presidentin e Gjykatës të Llogarive Turke, Metin Yener, ku u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy institucioneve, duke vlerësuar marrëdhëniet e mira dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të përvojave profesionale. Po ashtu znj. Spanca dhe z. Yener diskutuan bashkëpunimin e mëtejmë, veçanërisht në fushën e auditimit të performancës dhe auditimit mjedisor. 

Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të shkëmbimit të praktikave të mira, si faktor kyç në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e rolit të Institucioneve Supreme të Auditimit në promovimin e llogaridhënies dhe transparencës. 

Ky takim u zhvillua në kuadër të punëtorisë rajonale për auditimin mjedisor dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

 Auditorja e Përgjithshme prezanton qasjen e ZKA-së në punëtorinë rajonale mbi auditimin mjedisor dhe auditimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Auditorja e Përgjithshme prezanton qasjen e ZKA-së në punëtorinë rajonale mbi auditimin mjedisor dhe auditimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Me 8 dhe 9 prill 2026 Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit të TI-së, Samir Zymberi morën pjesë në punëtorinë rajonale “Auditimi mjedisor dhe auditimi i objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”, organizuar në Shkup nga Zyra Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me SIGMA. 

Punëtoria mblodhi drejtues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet e rajonit për të diskutuar praktikat më të mira në auditimin e ndryshimeve klimatike, përvojat në realizimin e auditimeve mjedisore, si dhe rolin e auditimit në forcimin e llogaridhënies publike dhe mbështetjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. 

Në kuadër të paneleve të diskutimit u trajtuan çështjet si: përcaktimi i temave dhe fushëveprimit të auditimit, përzgjedhja e qasjeve të përshtatshme të auditimit, raportimi i qëndrueshmërisë në sektorin publik, si dhe prezantimi i gjetjeve konkrete të auditimeve nga vendet pjesëmarrëse. 

Në këtë kuadër, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në auditimin e performancës për parandalimin e përmbytjeve dhe reagimin emergjent, duke theksuar përdorimin e qasjes sistemore në auditim. Kjo qasje mundëson vlerësimin e funksionimit të tërë sistemit publik që nga parandalimi dhe përgatitja deri te reagimi.   

Gjatë prezantimit znj. Spanca theksoi se menaxhimi efektiv i rreziqeve klimatike kërkon koordinim ndërinstitucional dhe kapacitete të qëndrueshme në të gjitha nivelet e qeverisjes. Auditorja e Përgjithshme tregoi se auditimi ka evidentuar mangësi në dokumentet strategjike, në përditësimin e vlerësimeve të rrezikut, në sistemet e të dhënave, si dhe në kapacitetet njerëzore dhe teknike për reagim ndaj emergjencave. 

Njëkohësisht znj. Spanca tha se kombinimi i qasjes sistemore me analizën e rezultateve dhe identifikimin e problemeve konkrete e bën auditimin më efektiv në vlerësimin e gatishmërisë dhe funksionimit të institucioneve përballë rreziqeve mjedisore dhe klimatike. 

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën bilaterale për forcimin e sistemeve të prokurimit publik përmes bashkëpunimit institucional

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën bilaterale për forcimin e sistemeve të prokurimit publik përmes bashkëpunimit institucional

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, së bashku me delegacionin e përbërë nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Naser Arllati, Drejtor i Departamentit për Metodologji në Auditim, dhe Laureta Matoshi, auditore seniore morën pjesë në tryezën bilaterale me temën “Forcimi i sistemeve të prokurimit publik përmes bashkëpunimit institucional”, organizuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik me mbështetjen e SIGMA/OECD më 14 dhe 15 prill 2026 në Tiranë. Tryeza kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe fuqizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet institucioneve të përfshira në sistemin e prokurimit publik në Kosovë dhe Shqipëri. 

Gjatë sesionit të dedikuar bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit dhe institucioneve të prokurimit publik, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në përmirësimin e sistemit të prokurimit publik përmes gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit. Ajo theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, si dhe nevojën për koordinim më të ngushtë ndërinstitucional për adresimin e dobësive sistematike në këtë fushë. 

Znj. Spanca theksoi se prokurimi publik përfaqëson një nga fushat më të rëndësishme të menaxhimit të financave publike, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit dhe që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve për qytetarët. Ajo nënvizoi se dobësitë në çdo fazë të procesit të prokurimit, nga planifikimi deri te menaxhimi i kontratave, reflektohen në kosto shtesë, vonesa në realizim dhe rënie të besimit në institucione. 

“Nga këndvështrimi i ZKA-së, prokurimi publik nuk është vetëm një procedurë administrative, janë afër 1 miliard euro të buxhetit që kalojnë përmes këtij procesi dhe nga të cilat varet mirëqenia e qytetarëve, infrastruktura publike, shëndetësia, arsimi, mjedisi dhe çdo segment i jetës”, deklaroi znj. Spanca. 

Në kuadër të sesionit “Raportet vjetore të institucioneve të përfshira në sistemin e prokurimit publik – pasqyrë e zhvillimeve kryesore, gjetjeve dhe aktiviteteve institucionale”, prezantoi auditorja seniore Laureta Matoshi, duke paraqitur gjetjet kryesore nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2024. 

Po ashtu, në tryezë u diskutuan edhe zhvillimet më të fundit në legjislacionin e prokurimit publik, praktikat për parandalimin e marrëveshjeve të fshehta në tenderë, si dhe raportet vjetore të institucioneve relevante për vitin 2025.

Lexo më shumë