4/15/2026 5:50:00 PM
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën bilaterale për forcimin e sistemeve të prokurimit publik përmes bashkëpunimit institucional
Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, së bashku me delegacionin e përbërë nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Naser Arllati, Drejtor i Departamentit për Metodologji në Auditim, dhe Laureta Matoshi, auditore seniore morën pjesë në tryezën bilaterale me temën “Forcimi i sistemeve të prokurimit publik përmes bashkëpunimit institucional”, organizuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik me mbështetjen e SIGMA/OECD më 14 dhe 15 prill 2026 në Tiranë. Tryeza kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe fuqizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet institucioneve të përfshira në sistemin e prokurimit publik në Kosovë dhe Shqipëri.
Gjatë sesionit të dedikuar bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit dhe institucioneve të prokurimit publik, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në përmirësimin e sistemit të prokurimit publik përmes gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit. Ajo theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, si dhe nevojën për koordinim më të ngushtë ndërinstitucional për adresimin e dobësive sistematike në këtë fushë.
Znj. Spanca theksoi se prokurimi publik përfaqëson një nga fushat më të rëndësishme të menaxhimit të financave publike, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit dhe që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve për qytetarët. Ajo nënvizoi se dobësitë në çdo fazë të procesit të prokurimit, nga planifikimi deri te menaxhimi i kontratave, reflektohen në kosto shtesë, vonesa në realizim dhe rënie të besimit në institucione.
“Nga këndvështrimi i ZKA-së, prokurimi publik nuk është vetëm një procedurë administrative, janë afër 1 miliard euro të buxhetit që kalojnë përmes këtij procesi dhe nga të cilat varet mirëqenia e qytetarëve, infrastruktura publike, shëndetësia, arsimi, mjedisi dhe çdo segment i jetës”, deklaroi znj. Spanca.
Në kuadër të sesionit “Raportet vjetore të institucioneve të përfshira në sistemin e prokurimit publik – pasqyrë e zhvillimeve kryesore, gjetjeve dhe aktiviteteve institucionale”, prezantoi auditorja seniore Laureta Matoshi, duke paraqitur gjetjet kryesore nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2024.
Po ashtu, në tryezë u diskutuan edhe zhvillimet më të fundit në legjislacionin e prokurimit publik, praktikat për parandalimin e marrëveshjeve të fshehta në tenderë, si dhe raportet vjetore të institucioneve relevante për vitin 2025.