Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/17/2026 4:09:00 PM

ZKA auditon procesin e përfshirjes dhe mbështetjes së nxënësve me nevoja të veçanta në shkollat fillore në Kosovë

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Përfshirja dhe mbështetja e nxënësve me nevoja të veçanta në shkollat fillore në Kosovë” për periudhën 2022-2025.

Auditimi do të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë krijuar dhe zbatuar në mënyrë efektive mekanizmat e nevojshëm për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta arsimore, si dhe nëse këta mekanizma kanë ruajtur cilësinë dhe kohën efektive të të nxënit në klasë.  

Fushëveprim i këtij auditimi do të jenë: Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Drejtoria Komunale e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës, si dhe disa shkolla fillore në këto komuna. Po ashtu pjesë e fushëveprimit mund të jetë edhe Inspektorati i Arsimit. 

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën bilaterale për forcimin e sistemeve të prokurimit publik përmes bashkëpunimit institucional

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në tryezën bilaterale për forcimin e sistemeve të prokurimit publik përmes bashkëpunimit institucional

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, së bashku me delegacionin e përbërë nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Naser Arllati, Drejtor i Departamentit për Metodologji në Auditim, dhe Laureta Matoshi, auditore seniore morën pjesë në tryezën bilaterale me temën “Forcimi i sistemeve të prokurimit publik përmes bashkëpunimit institucional”, organizuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik me mbështetjen e SIGMA/OECD më 14 dhe 15 prill 2026 në Tiranë. Tryeza kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe fuqizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet institucioneve të përfshira në sistemin e prokurimit publik në Kosovë dhe Shqipëri. 

Gjatë sesionit të dedikuar bashkëpunimit ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit dhe institucioneve të prokurimit publik, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në përmirësimin e sistemit të prokurimit publik përmes gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit. Ajo theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, si dhe nevojën për koordinim më të ngushtë ndërinstitucional për adresimin e dobësive sistematike në këtë fushë. 

Znj. Spanca theksoi se prokurimi publik përfaqëson një nga fushat më të rëndësishme të menaxhimit të financave publike, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit dhe që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve për qytetarët. Ajo nënvizoi se dobësitë në çdo fazë të procesit të prokurimit, nga planifikimi deri te menaxhimi i kontratave, reflektohen në kosto shtesë, vonesa në realizim dhe rënie të besimit në institucione. 

“Nga këndvështrimi i ZKA-së, prokurimi publik nuk është vetëm një procedurë administrative, janë afër 1 miliard euro të buxhetit që kalojnë përmes këtij procesi dhe nga të cilat varet mirëqenia e qytetarëve, infrastruktura publike, shëndetësia, arsimi, mjedisi dhe çdo segment i jetës”, deklaroi znj. Spanca. 

Në kuadër të sesionit “Raportet vjetore të institucioneve të përfshira në sistemin e prokurimit publik – pasqyrë e zhvillimeve kryesore, gjetjeve dhe aktiviteteve institucionale”, prezantoi auditorja seniore Laureta Matoshi, duke paraqitur gjetjet kryesore nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2024. 

Po ashtu, në tryezë u diskutuan edhe zhvillimet më të fundit në legjislacionin e prokurimit publik, praktikat për parandalimin e marrëveshjeve të fshehta në tenderë, si dhe raportet vjetore të institucioneve relevante për vitin 2025.

Lexo më shumë
ZKA-ja prezanton të arriturat dhe sfidat para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

ZKA-ja prezanton të arriturat dhe sfidat para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën prezantoi para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) zhvillimet kryesore në ushtrimin e mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, me theks të veçantë në ndikimin e auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve. Pavarësisht rritjes së cilësisë së auditimit dhe numrit të raporteve, niveli i zbatimit të rekomandimeve nga institucionet publike mbetet sfidë serioze. 

“Gjatë vitit 2025 janë publikuar gjithsej 133 raporte auditimi, duke përfshirë auditime financiare, të pajtueshmërisë dhe të performancës, të cilat kanë trajtuar çështje kyçe si cilësia e raportimit financiar, respektimi i kornizës ligjore dhe efikasiteti në shfrytëzimin e burimeve publike”, deklaroi ajo. 

Auditorja e Përgjithshme, tregoi se ZKA-ja ka shënuar progres të rëndësishëm edhe në nivel ndërkombëtar, duke u vlerësuar për pavarësi, integritet dhe ndikim në llogaridhënie, si dhe për avancimin e auditimit të jashtëm publik. Pavarësisht këtyre arritjeve, ajo bëri me dije se ZKA-ja përballet me sfida të vazhdueshme, siç është çështja e objektit pasi institucioni edhe më tutje operon në hapësira private. 

Sfida tjetër lidhet me kornizën ligjore në fuqi, meqë Ligji për Auditorin e Përgjithshëm nuk është plotësisht i përputhshëm me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, prandaj, ai duhet rishikuar dhe harmonizuar si parakusht për forcimin e pavarësisë institucionale, rritjen e cilësisë së auditimit dhe avancimin e integrimit evropian, deklaroi Auditorja e Përgjithshme. 

Lexo më shumë