ZKA-ja prezanton të arriturat dhe sfidat para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën prezantoi para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) zhvillimet kryesore në ushtrimin e mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, me theks të veçantë në ndikimin e auditimit përmes zbatimit të rekomandimeve. Pavarësisht rritjes së cilësisë së auditimit dhe numrit të raporteve, niveli i zbatimit të rekomandimeve nga institucionet publike mbetet sfidë serioze.
“Gjatë vitit 2025 janë publikuar gjithsej 133 raporte auditimi, duke përfshirë auditime financiare, të pajtueshmërisë dhe të performancës, të cilat kanë trajtuar çështje kyçe si cilësia e raportimit financiar, respektimi i kornizës ligjore dhe efikasiteti në shfrytëzimin e burimeve publike”, deklaroi ajo.
Auditorja e Përgjithshme, tregoi se ZKA-ja ka shënuar progres të rëndësishëm edhe në nivel ndërkombëtar, duke u vlerësuar për pavarësi, integritet dhe ndikim në llogaridhënie, si dhe për avancimin e auditimit të jashtëm publik. Pavarësisht këtyre arritjeve, ajo bëri me dije se ZKA-ja përballet me sfida të vazhdueshme, siç është çështja e objektit pasi institucioni edhe më tutje operon në hapësira private.
Sfida tjetër lidhet me kornizën ligjore në fuqi, meqë Ligji për Auditorin e Përgjithshëm nuk është plotësisht i përputhshëm me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, prandaj, ai duhet rishikuar dhe harmonizuar si parakusht për forcimin e pavarësisë institucionale, rritjen e cilësisë së auditimit dhe avancimin e integrimit evropian, deklaroi Auditorja e Përgjithshme.
