Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Akademinë Rajonale të Lidershipit për Gratë në Ballkanin Perëndimor
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mori pjesë në punimet e Akademisë Rajonale të Lidershipit për Gratë në Ballkanin Perëndimor, mbajtur më 23 dhe 24 prill 2026 në Tiranë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte fuqizimi i grave lidere në Ballkanin Perëndimor përmes avancimit të njohurive dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e barazisë gjinore dhe lidershipit gjithëpërfshirës.
Në ditën e parë të punimeve fokusi i diskutimeve ishte te rëndësia e barazisë gjinore në kontekstin aktual, konceptet bazë të saj, si dhe analizën e pozitës së grave dhe burrave në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër u trajtuan sfidat ekzistuese dhe u ndanë përvoja lidhur me përfaqësimin dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje.
Ndërkaq në ditën e dytë u diskutua për stereotipet gjinore dhe ndikimi i tyre në shoqëri, si dhe për zhvillimin e lidershipit përmes një perspektive gjinore. Pjesëmarrëset diskutuan edhe për mundësitë e kalimit nga vetëdijesimi në veprim, duke përfshirë reflektime dhe shkëmbim përvojash.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të programit rajonal të Bashkimit Evropian për barazinë gjinore i zbatuar nga UNDP dhe UN Women.
