Auditorët e ZKA-së përfundojnë me sukses në Ankara trajnimin për auditimin financiar
Dhjetë auditorë senior të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) kanë përfunduar programin njëjavor të trajnimit për auditimin financiar që u mbajt nga 20 deri më 24 prill 2026 në Ankara të Turqisë. Trajnimi u organizua nga Gjykata e Llogarive të Turqisë me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) dhe kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të auditorëve në fushën e auditimit financiar.
Pas përfundimit me sukses të moduleve të trajnimit auditorët u pajisën me certifikata nga Presidenti i Gjykatës së Llogarive Turqisë, Metin Yener dhe Zëvendësdrejtori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, Ali Ercan.
Trajnimi u fokusua të korniza metodologjike e auditimit financiar, si dhe praktikat më të mira në auditimin e ndërmarrjeve publike, pushtetit lokal dhe sistemit të sigurimeve shoqërore. Në këtë kuadër ekspertët dhe pjesëmarrësit përmes prezantimeve shkëmbyen përvojat e tyre duke përfituar njohuri të reja të cilat mund t’i aplikojnë në punën e tyre të përditshme.
Ky program trajnimi përfshiu gjithashtu prezantime mbi përdorimin e teknologjive moderne në auditim, përfshirë analizën e të dhënave të mëdha, inteligjencën artificiale dhe sistemet e menaxhimit të auditimit, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve profesionale të auditorëve në përputhje me zhvillimet bashkëkohore.
Përfundimi me sukses i këtij trajnimi kontribuon në ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve profesionale të auditorëve të ZKA-së si dhe në përmirësimin e cilësisë së auditimeve financiare në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Trajnimin e ndoqën Drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Blerina Krasniqi, Drejtori i Departamentit të Metodologjisë, Naser Arllati, si dhe auditorët senior Neslihane Mati, Florim Beqiri, Ariana Rexhëbeqaj, Alban Beka, Shqiponja Krasniqi, Fjolla Sadiku, Burbuqe Idrizi dhe Nora Rashiti.
