Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/5/2026 10:07:00 AM

ZKA mori pjesë në takimin e Zyrtarëve Ndërlidhës të Rrjetit dhe të Komitetit të Kontaktit

Drejtoresha për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Qendresa Mulaj, mori pjesë në takimet e Zyrtarëve Ndërlidhës të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE, dhe Komitetit të Kontaktit të mbajtur më 28 dhe 29 prill 2026 në Larnaca të Qipros.

Takimet patën për qëllim koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta si dhe shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, në funksion të përgatitjes së institucioneve të auditimit për kërkesat e procesit të integrimit evropian për vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE. 

Në takimin vjetor të Zyrtarëve Ndërlidhës të Rrjetit u diskutuan aktivitetet kryesore të zbatuara në periudhën 2025–2026, përfshirë Konferencën mbi Sistemin e Menaxhimit të Cilësisë së Auditimit dhe programin rajonal të trajnimit për auditimin e performancës, si dhe punëtorinë mbi auditimin mjedisor dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. 

Pjesëmarrësit shqyrtuan prioritetet për hartimin e Planit të ri të Aktiviteteve të Rrjetit për vitet 2027–2028, duke identifikuar fusha me interes si digjitalizimi i auditimit, përdorimi i inteligjencës artificiale, zhvillimi i auditimeve të performancës, auditimi i investimeve kapitale dhe matja e ndikimit të rezultateve të auditimit dhe punës së ISA-ve. Po ashtu u shqyrtua edhe rëndësia e auditimit të fondeve të Agjendës së Reformave dhe gjetja e modaliteteve të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në këtë temë. 

Ndërsa në takimin vjetor të Zyrtarëve Ndërlidhës të Komitetit të Kontaktit të ISA-ve të Bashkimit Evropian u diskutua për përgatitjen e takimit të Komitetit të Kontaktit për vitin 2026, zhvillimet në aktivitetet e përbashkëta të ISA-ve të BE-së, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët, përfshirë raportimin mbi sundimin e ligjit dhe auditimet paralele. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme i dorëzoi Kuvendit Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2025

Auditorja e Përgjithshme i dorëzoi Kuvendit Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2025

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të mërkurën i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2025. Raporti paraqet informata për performancën e përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) karshi detyrimeve dhe mandatit ligjor, si dhe reflekton progresin e arritur dhe adresimin e sfidave përgjatë vitit.  

Znj. Spanca në fjalën e saj ka theksuar se edhe gjatë vitit 2025 ZKA-ja ka ushtruar  mandatin e saj me pavarësi të plotë, integritet të lartë profesional dhe përgjegjësi institucionale. Përmes vlerësimeve të pavarura, objektive dhe të ndershme, ajo tha se ZKA kontribuoi në informimin e publikut dhe palëve të tjera të interesit, duke forcuar transparencën dhe inkurajuar një kulturë më të avancuar të llogaridhënies në sektorin publik. 

“Ky angazhim është reflektuar qartë edhe në realizimin e plotë të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin 2024/2025, ku janë përfunduar 133 auditime, prej të cilave 104 financiare/të pajtueshmërisë, 14 të performancës, 12 të pajtueshmërisë dhe tre auditime me nivel të informacionit të klasifikuar. Ky rezultat dëshmon jo vetëm kapacitete të larta profesionale, por edhe pjekuri institucionale. Shtrirja e auditimeve në organizata me kompleksitet të lartë, e shoqëruar me vëmendje të shtuar ndaj monitorimit të zbatimit të rekomandimeve, flet për një orientim gjithnjë e më të qartë drejt ndikimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të qeverisjes publike”, deklaroi znj. Spanca. 

Më tej, Auditorja e Përgjithshme tregoi se gjetjet e auditimeve të ZKA-së vazhdojnë të evidentojnë dobësi strukturore në menaxhimin financiar dhe në sistemet e kontrollit të brendshëm. Ndonëse ka përmirësime në disa fusha, znj. Spanca theksoi se niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet nën pritshmëritë, prandaj nevojiten mekanizma më të fortë dhe më efektivë të përgjegjësisë institucionale. Në këtë aspekt mungesa e funksionimit të Kuvendit gjatë vitit 2025 ka ndikuar në ritmin e shqyrtimit parlamentar të raporteve të auditimit, duke reflektuar sfida që kërkojnë adresim për funksionimin e plotë dhe efektiv të ciklit të llogaridhënies demokratike. 

Në funksion të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik është intensifikuar bashkëpunimi me organet e drejtësisë, duke referuar rastet me elemente potenciale të veprave penale të identifikuara gjatë auditimeve. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se pavarësisht sfidave, ZKA ka ruajtur stabilitetin institucional dhe ka avancuar sistemet e saj të brendshme. Ajo shtoi se ZKA vazhdon të fuqizohet dhe të prijë në rajon si institucion i besueshëm dhe me ndikim në jetën e qytetarëve, si dhe ka konsoliduar edhe më tej pozitën e saj si partner i besueshëm në rrjetin e Institucioneve Supreme të Auditimit. 

Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2025 e gjeni këtu.

Lexo më shumë
ZKA dhe CEF thellojnë bashkëpunimin për zhvillimin e kapaciteteve profesionale

ZKA dhe CEF thellojnë bashkëpunimin për zhvillimin e kapaciteteve profesionale

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e  Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, të enjten pritën në takim Udhëheqësen e Ekipit për Lidership dhe Mësim në Qendrën për Ekselencë në Financa (CEF), Ajda Turk dhe Zyrtarin Kryesor në CEF Robert Bauchmüller. 

Palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm duke theksuar rëndësinë e programeve të përbashkëta për zhvillimin e kapaciteteve, shkëmbimin e praktikave të mira dhe mbështetjen e reformave institucionale. 

Diskutimi u fokusua te “Becoming a Learning Organization” (Shndërrimi në një organizatë e orientuar drejt të nxënit) koncept ky që përqendrohet në zhvillimin institucional dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale përmes kulturës së të mësuarit të vazhdueshëm. Programi i CEF-it përfshin gjashtë blloqe kryesore si: qeverisjen, resurset, partneritetet, ndarjen e njohurive, komunikimin, si dhe monitorimin dhe vlerësimin. 

Përfaqësuesit e ZKA-së vlerësuan se investimi në ngritjen e kapaciteteve profesionale mbetet një nga prioritetet kryesore i cili i shërben rritjes së cilësisë së auditimit dhe forcimit të rolit të ZKA-së. 

Palët shprehen gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit përmes aktiviteteve të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin e ZKA-së.

Lexo më shumë